Llojet e dashurisë sipas filozofëve: Nga Aristoteli te Frojdi dhe Shrëdinger

Dashuria është një nga përvojat më të lashta dhe më universale njerëzore, por mënyra se si e përjetojmë ndryshon nga personi te personi dhe shpesh edhe brenda të njëjtës marrëdhënie. Filozofët, psiko-analistët dhe mendimtarët më të mëdhenj kanë dhënë secili vizionin e tyre për dashurinë, dhe kjo listë ironike e interpretimeve i kthen idetë e tyre në tipe marrëdhëniesh moderne, me humor të hollë dhe të vërteta të hidhura.

Këto përshkrime janë një pasqyrë e mënyrave të ndryshme se si lidhja mund të funksionojë, nga idealja, te kaotikja, te e ndërlikuara, te krejtësisht e pashpjegueshmja. Secila prej tyre prek një pjesë të realitetit të marrëdhënieve njerëzore.

Dashuria aristoteliane – Partneri yt të plotëson

Në dashurinë aristoteliane, lidhja është harmoni: dy njerëz që bashkohen për të krijuar një tërësi më të mirë. Kjo është ideja klasike e “gjysmës tjetër”. Nuk është drama që i mban bashkë, por përmirësimi i ndërsjellë.

Dashuria njutoniane – Tërheqje e fortë fizike

Këtu veprojnë ligjet e fizikës: trupat tërhiqen fuqishëm. Kjo dashuri është intensive, instinktive, e paparashikueshme, si një forcë gravitacionale që s’e kontrollon dot.

Dashuria frojdiane – Partneri i ëndrrave

Sipas Frojdit, çdo dëshirë ka rrënjë të thella psikologjike. Kjo dashuri shpesh lidhet me fantazi, idealizim dhe nevoja të pavetëdijshme. Partneri bëhet projektim i ëndrrave dhe traumave.

Dashuria lakaniane – Do që ai/ajo të të dëshirojë

Nuk të mjafton dashuria, duhet dëshira e tjetrit. Këtu dashuria është pasqyrim: dua që ti të më duash sepse nga ti mësoj kush jam.

Dashuria fokaldiane  – Disiplinë dhe kontroll

Fokalti e lidh fuqinë me marrëdhëniet. Kjo dashuri funksionon në dinamika kontrolli, dominimi, ndëshkimi, shpesh më shumë lojë psikologjike sesa romancë.

Dashuria hegeliane – Raporti zot-shërbëtor

Një marrëdhënie që ekziston vetëm kur dy njerëz janë të lidhur në mënyrë jo të barabartë. Identiteti i secilit formohet nga tjetri. Kompleks, dramatik, ndonjëherë toksik.

Dashuria shekspiriane – Roli i lojës

Në këtë dashuri hyjnë pasioni, tragjedia, drama dhe pak teatër. Njerëzit shpesh “luajnë role”, shtiren, fantazojnë. Shpesh është dashuri që djeg fort, por digjet shpejt.

Dashuria xhojsiane – Dashuri me shumë personazhe

E ndërlikuar, e hapur, me kufij të mjegullt. Mund të ketë histori me persona të tjerë, dinamika të reja, eksperimente dhe ndryshime të vazhdueshme.

Dashuria arturiane – Një partner është i martuar

Një dashuri e fshehtë, e pamundur, ose e ndaluar. Shpesh përshkruan marrëdhënie paralele, të mbushura me ndjenja të forta dhe moral të trazuar.

Dashuria shrëdingeriane – Në prag të shpërbërjes

Një lidhje që ekziston dhe nuk ekziston njëkohësisht. Nuk e di nëse jeni bashkë apo jo. E paqartë, e mjegullt, e lodhshme, si një kuti që nuk guxon ta hapësh.

Dashuria hajsenbergiane – Lëviz shpejt, por nuk di ku po shkon

Kjo dashuri është spontane, e papritur, e shpejtë dhe pa drejtim të qartë. Sa më shumë përpiqesh ta kuptosh, aq më shumë të ikën nga duart.

Dashuria hajdegeriane – Nuk jeton dot pa partnerin

Lidhja përjetohet si ekzistenciale: partneri është themeli i botës tënde. Largësia, ndarja dhe pasiguria janë pothuajse të padurueshme.

Dashuria homerike – “Jeni kushërinj”

Një ndërlikim i pastër mitologjik dhe i papërshtatshëm. Ironik, provokues dhe me humor të zi. Kjo është dashuri kaotike, e ndaluar, dramatike dhe plot ngërçe, një rrëmujë e pastër mitologjike.

Dashuria lovkraftiane – E tmerrshme dhe e pashpjegueshme

Dashuri toksike, e frikshme, e paqartë. Gjërat që ndodhin nuk mund t’i përshkruash me logjikë. E bukur dhe e frikshme njëkohësisht.

Çfarë na mëson kjo listë për dashurinë?

Këto përshkrime janë të ekzagjeruara, por secila përmban një të vërtetë të vogël. Marrëdhëniet njerëzore janë shumëdimensionale. Ndonjëherë jemi si Aristoteli; ndonjëherë jemi si Shrëdinger. Ndonjëherë kemi nevojë për mister, ndonjëherë për qetësi. Dashuria nuk është një formulë, por është një univers i tërë ndjenjash, filozofish, përvojash dhe paradoksesh.

Ajo që e bën dashurinë të veçantë është pikërisht kjo:
çdo marrëdhënie është një filozofi më vete.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here