Nga Gerton Bejo: Çfarë do të jemi? Drejtues apo përdorues të lapsit AI?

“A është ky fundi i profesionit tënd apo fillimi i një epoke krejt të re? Teknologjia AI po ndryshon rrënjësisht mënyrën si mendojmë, krijojmë dhe bashkëpunojmë. Të mbijetosh nuk mjafton, është koha për të evoluar.”

Evolucioni kreativ: Nga kompjuterët te AI

Industria kreative dhe jo vetëm, ka përjetuar disa momente kyçe që kanë ndryshuar mënyrën e punës. Në vitet ’90, futja e kompjuterëve revolucionarizoi dizajnin dhe reklamën, atëherë, kushdo që “dinte kompjuter” shihej si një magjistar teknologjik. Softuerët si Adobe dhe CorelDRAW hapën një epokë të re për dizajnerët, arkitektët dhe krijuesit e përmbajtjes. Në fillim të viteve 2000, mediat sociale përshpejtuan shpërndarjen e kreativitetit, duke i detyruar agjencitë të kalonin nga përmbajtja e përpunuar ngadalë, në një rrjedhë të vazhdueshme që matet në kohë reale.

Jam pjesë e asaj gjenerate që ka përjetuar nga afër këto ndryshime, duke parë se si çdo hap i evoluimit ka sjellë një të ardhme që dikur dukej e largët. Kjo po ndodh edhe sot, transformimi me AI nuk është thjesht teknologjik, por një zhvendosje e plotë në mënyrën se si e konceptojmë kreativitetin dhe rolin tonë brenda tij. Megjithatë, një gjë ka qenë, është dhe do të mbetet e sigurt: inputi human, energjia, ndjeshmëria dhe vizioni i njeriut do të jetë gjithmonë thelbësor në çdo dimension të së ardhmes.

Lapsi i ri magjik

Në aktivitetin e Digital Day 2020, në Beograd, theksova një fakt që mbetet po aq i rëndësishëm sa edhe sot: teknologjia nuk është drejtuesi, ajo është vetëm një mjet. Pikërisht në atë kohë post-pandemike, edhe me shumë klientët filluan të kërkonin rezultate më të shpejta dhe më të matshme. KPI-të u bënë më të kërkuara, dhe krijuesit u gjendën nën presion për të përmbushur pritshmëritë në një ritëm të pamëshirshëm. “Ai që mban lapsin, nuk është thjesht një krijues që reagon ndaj kërkesave, por është një lider që përdor mjetin për të ndërtuar diçka më të madhe.” Po në këtë event shpreha gjithashtu se, industria kreative duhet të balancojë reptilin që kërkon të veprojë shpejt dhe humanoidin që mban vizionin strategjik brenda kësaj industrie.

Transformimi i profesioneve

5th Western Balkans Digital Summit 2022, në Prishtinë, diskutova në panel për një transformim që tashmë po ndodhte: riemërtimin dhe të qenurit gati i profesioneve kreative për të përballuar epokën e re teknologjike. Kjo teknologji nuk do eliminojë rolet krijuese, por do i transformoje ato në mënyrën si ato proçesojnë detyra të ndryshme.

Por çfarë pritet të ndodhë? Ja, si i shoh disa nga profesionet, që po lindin në këtë epokë, ku ndërveprimi human do jetë gjithmonë i nevojshëm:

Inxhinier Teksti – Një evolucion i copywriter-it, ku ky profesionist harton dhe optimizon komandat për sistemet e AI, duke i bërë ato të krijojnë përmbajtje që ndikon dhe frymëzon.

Neuro Dizajner – Evolucioni i graphic designer-it, ky profesionist përdor AI për të krijuar vizualë dhe përvoja interaktive që ndërthuren në mënyrë të pandashme me teknologjinë.

Specialist Digjital Algoritmi – Një transformim i social media manager-it, ky rol përqendrohet në analizimin dhe përdorimin e algoritmeve për të optimizuar ndikimin dhe performancën në platformat sociale.

Strateg i të Dhënave Inteligjente – Një rol që shndërron të dhënat në histori dhe përvoja kuptimplote, duke ndihmuar ekipet të marrin vendime të bazuara në analiza, por gjithmonë me një frymë krijuese.

Lidhur sa më lart, njeriu do të shquhet gjithmonë për aftësinë për të ndërhyrë aty ku emocioni krijon mundësinë. Përvoja dhe ndjeshmëria janë ato që e bëjnë të aftë të kapërcejë kufijtë e logjikës së teknologjisë dhe të sjellë zgjidhje që rezonojnë emocionalisht. Teknologjia mund të fuqizojë procesin krijues, por nuk mund të zëvendësojë emocionin dhe intuitën njerëzore. E ardhmja e industrisë kreative do të jetë një balancë midis fuqisë së AI-së dhe ndjeshmërisë njerëzore, dhe suksesi varet nga aftësia jonë për ta bërë teknologjinë një aleat/laps, jo një zëvendësim.

Një transformim i mbështetur në shifra

Ndikimi i Inteligjencës Artificiale nuk është thjesht një trend, por është një transformim që po ndryshon mënyrën si ne punojmë dhe krijojmë në shkallë globale. Sipas raportit të fundit të World Economic Forum (2024), ndërsa disa role tradicionale zhduken, role të reja po lindin në çdo sektor.

Deri në vitin 2027:

1) 83 milionë vende pune do të hapen globalisht, duke përfshirë profesione që do ndërthurin kreativitetin, teknologjinë dhe plot të tjera.

2) Një pjesë e madhe e këtyre roleve do të jenë në fushat e AI, analizës së të dhënave dhe krijimit të përvojave digjitale.

3) 14 milionë vende pune neto do të humbasin, sidomos në rolet rutinë, si data entry, shërbimet administrative dhe prodhimi tradicional.

Këto shifra tregojnë qartë se e ardhmja i përket atyre që dinë të ndërthurin krijimtarinë me teknologjinë. Profesionistët e çdo industrie përfshirë edhe atë kreative, nga copywriter-at te dizajnerët, duhet të evoluojnë për të qëndruar në krye të këtyre ndryshimeve, dhe kjo nuk është një opsion, por një domosdoshmëri.

Si do të duken Agjencitë e së Ardhmes?

Në vitin 2030, agjencitë kreative nuk do të jenë më qendra prodhimi përmbajtjesh, por platforma eksperimentimi dhe inovacioni. Ato do të ndërtohen rreth bashkëpunimit mes njerëzve dhe AI-së, duke krijuar një ekosistem ku ndjeshmëria njerëzore dhe shpejtësia teknologjike bashkëjetojnë.

Ja si i parashikoj që do të funksionojnë në disa fusha (shembuj) këto agjenci nesër;

Studio e Eksperimentimit Kreativ: Ku ide të shumta gjenerohen dhe testohen me ndihmën e AI-së, duke nxjerrë në pah ato më të mirat.

Ekipi i të Dhënave dhe Strategjisë: Analistët e të dhënave krijojnë modele dhe tregime të bazuara në njohuritë që nxjerrin nga të dhënat.

Departamenti i Etikës dhe Diversitetit: Siguron jo vetëm në aspektin ligjor, që krijimet të jenë autentike dhe të ruajnë diversitetin kulturor në një botë që rrezikon të bëhet homogjene.

Normalisht edhe funksione të tjera në mbështetje të funksionimit të saktë dhe të qendrueshëm të agjencive në të ardhmen e afërt.

Për sa më lart, ka filluar të marrë jetë tashmë në kompani lider në botë dhe disa nga shembujt më poshtë janë vetëm fillimi;

Heinz dhe DALL-E: Gjenerimi i vizualizimeve futuristike që i dhanë një imazh të ri markës së ketchup-it.

Balenciaga dhe Moda Digjitale: Krijimi i koleksioneve të modës që ekzistojnë vetëm në hapësirat virtuale eksperimentet e tyre me hapësira digjitale (loja “Afterworld”), duke lidhur trendet e reja me teknologjinë.

Netflix dhe Personalizimi i Posterave: AI optimizon posterat dhe titujt për çdo përdorues, duke i bërë ata më tërheqës për shijet individuale.

Etika, pronësia, evolucioni dhe mbijetesa në epokën e AI

Kujt i përket një krijim ose thënë ndryshe pronësia intelektuale e gjeneruar nga AI? A është autori ai që komandon AI-në, apo gjithë krijuesit që kontribuan në të dhënat që e trajnuan atë? Algoritmet mund të çojnë në krijimin e një homogjeniteti të përmbajtjes së njëtrajtshme. Agjencitë duhet të jenë të afta të ruajnë ndjeshmërinë, diversitetin si edhe të ndikojnë e të aftësohen ligjërisht për çdo krijim. Industria kreative po ndryshon me shpejtësi, por ndryshimi nuk është një kërcënim, por është një mundësi.

Krijuesit që gjejnë ekuilibrin dhe aftësinë profesionale midis teknologjisë dhe ndjeshmërisë njerëzore do të jenë ata që do të udhëheqin të ardhmen.

E ardhmja nuk është një betejë mes njeriut dhe teknologjisë, por një udhëtim bashkëpunimi. A je gati për këtë sfidë? Përgjigja sërish mbetet dhe është në duart tona.

 

Artikull i shkruar nga Gerton Bejo. Bejo është Themeluesi dhe Drejtori Ekzekutiv i Vatra Agency, me seli në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Beograd. 

Shënim: Emërtimet për departamentet dhe profesioneve të reja të përshkruara në këtë artikull janë ide dhe mendime të autorit.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here