Nga Jola Hysaj
Shqipëria nën Hijen e një Diktature Hibride: Kur Ankthi dhe Depresioni bëhen Klima Kombëtare
Në Shqipëri nuk po jetojmë thjesht një krizë ekonomike. As vetëm një krizë politike. Ne jemi të zhytur në një krizë psiko-sociale, e cila ka filluar të përthithë çdo sferë të jetës së qytetarëve, si një re e zezë që rëndon mbi mendjen dhe shpirtin e një kombi të tërë.
Nën petkun e një demokracie formale, vendi po qeveriset nga një regjim hibrid, ku fasada pluraliste mbulon një realitet gjithnjë e më autoritar. Këtu vota është përçudnuar, drejtësia është një dekor, institucionet janë shërbëtore të pushtetit, dhe liria po ngulfatet çdo ditë, ngadalë, por me saktësinë e një helmi të përditshëm.
Ankthi ekonomik: Jeta mes mbijetesës dhe emigrimit
Në rrugët e qyteteve shqiptare, ankthi ekonomik është bërë tingulli i përditshëm i mijëra familjeve. Çmimet rriten, pagat qëndrojnë, dhe e vetmja gjë që ecën përpara është propaganda. Emigrimi është kthyer në strategji shtetërore për të ulur papunësinë dhe për të mbajtur shpresën jashtë kufirit. Por Shqipëria nuk mund të ndërtohet me kartolina nga emigrantët. As me remesa.
Të rinjtë nuk e shohin më veten këtu. Jo sepse nuk duan ta duan vendin e tyre, por sepse vendi i tyre nuk po i do ata. Një ekonomi që favorizon vetëm klientët e pushtetit, që e sheh të zakonshmin si barrë, jo si qytetar, e ka vrarë motivimin e mijëra të rinjve për të ndërtuar jetën e tyre këtu.
Depresioni social: Kur shpresa kthehet në lodhje kolektive
Depresioni që përfshin Shqipërinë nuk është individual. Është depresion shoqëror, një ndjenjë lodhjeje kolektive, një pafuqizim moral dhe emocional që ka bërë të heshtin edhe më të guximshmit.
Kur njerëzit nuk besojnë më as në protestë, as në opozitë, as në fjalë, as në ndryshim, atëherë kemi të bëjmë me një shoqëri të nënshtruar emocionalisht, një shoqëri që nuk pret më drejtësi, por vetëm të mos e godasin më fort se dje. Kjo është fitorja më e madhe e një diktature hibride: jo kur të burgos, por kur të bind se burgosja është e pashmangshme.
Shkatërrimi i shtresës së mesme: Fundi i baraspeshës sociale
Diktaturat hibride mbijetojnë duke shuar shtresën e mesme, të vetmen që prodhon ide, kërkon llogari dhe krijon zhvillim. Sot në Shqipëri, të pasurit janë gjithnjë e më të paktë dhe më të fuqishëm të lidhur me pushtetin. Të varfrit, gjithnjë e më shumë të harruar. Klasa e mesme është zhdukur ose është në arrati.
Nuk ka stabilitet pa një klasë të mesme të shëndetshme. Nuk ka demokraci pa një popull të fuqizuar ekonomikisht. Dhe nuk ka shpresë pa një jetë të jetueshme.
Diktaturë hibride: Demokraci vetëm në letër
Qeverisja në Shqipëri është bërë një mashtrim i institucionalizuar. Të gjitha duken demokratike: zgjedhjet, parlamenti, drejtësia, por në thelb janë thjesht mjete për të riprodhuar pushtetin. Nuk ka kontroll, nuk ka transparencë, nuk ka ndëshkim.
Shtypja nuk vjen më me dhunë fizike, por me frikë ekonomike, me përjashtim nga mundësitë, me ndëshkim të heshtur të guximit dhe shpërblim të servilizmit. Kjo është fytyra e diktaturës hibride në vitin 2025: një sistem që nuk të ndalon të flasësh, por të bën të besosh se nuk ia vlen të flasësh.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipërisë i duhet një Rizgjim i ri – jo ai i emëruar prej propagandës, por ai i lindur nga brenda njerëzve që ende nuk kanë pranuar të pajtohen me ankthin si normalitet dhe me depresionin si mënyrë jetese.
E ardhmja nuk vjen vetë. Duhet kërkuar, ndërtuar dhe mbrojtur edhe kur duket e pamundur. Sidomos atëherë.