Simbolet kombëtare janë simbole të krenarisë kombëtare. Ato mbledhin mbi vete emocione të krenarisë dhe të identitetit. Simbolet fetare përmbledhin respektin për Zotin, fjalën e Tij dhe sakrificën. Në vetvete simboli krijon gravitet për ndjenja të caktuara. Kur ne flasim për statuja të cilat përmbajnë një simbolikë të caktuar, emocionet dhe tekstet që artikulohen si pasojë e tyre janë derivate të ndjenjave të grumbulluara tek simboli. Askush nuk merret me gurin dhe hekurin e derdhur në statujë. Reagimi vjen si pasojë e emocioneve të grumbulluara në to prej simbolikës.
Një lumë ndjenjash rrjedh në ditët e festave. Ndjenja që udhëhiqen nga tipologjia e festës. Kur festa është zyrtarizuar nga shteti si e tillë, më shumë njerëz përfshihen në këto emocione, pavarësisht se shkalla është e ndryshme.
Duke qenë se në një mënyrë, sjellja ndaj simboleve është e orientuar që të jetë e tillë, sepse në kohë është punuar që popullit t’i ngulitet simbolika, është e gabuar dhe dashakeqe të mbivendosen ngjarje, simbolikat e të cilave nuk përputhen me njëra-tjetrën dhe mund ta bëjnë kaotike morinë e ndjenjave që janë shpjeguar më lart.
Ngjarja e fundit mbi mbulimin apo jo të simbolit kombëtar në shesh gjatë një feste fetare dëshmon, edhe një herë, se shteti nuk ka kryer detyrën e tij sipas të cilit simbolet kombëtare duhet të trajtohen me protokoll strikt i cili i parashikon këto raste. Shteti mungoi në 25 qershor kur dita e zgjedhjeve parlamentare u bashkua me një festë zyrtare fetare. Shteti mungoi përsëri edhe në 1 shtator. Populli që reagon nuk duhet vendosur përballë klerikëve. Populli reagon përballë atij që edhe njëherë nuk arriti të kujdeset që kaosi të mos jetë prezent; shtetit. Shteti është garantor që të respektohet edhe riti fetar, edhe simboli kombëtar. Por me sa duket shteti nuk egziston. Egziston vetëm “Timoni” që con në kaos sapo rasti t’i shfaqet./r.b2017