Qindra tanke rreth Gazës, gati për pushtim

Strategjia është e qartë: të shkatërrohet çdo ndërtesë e fundit që ka mbetur në këmbë, të detyrohen banorët të largohen, të shtrëngohet rrethimi dhe më pas të hyjnë trupat tokësore në qytetin e Gazës. Forcat ajrore izraelite janë kujdesur për hapin e parë, duke zhdukur horizontin e qytetit, ndërsa ushtria është tashmë gati për një operacion tokësor.

Sipas gazetës Yedioth Ahronoth, qindra tanke dhe buldozerë janë grumbulluar rreth perimetrit të Rripit të Gazës, gati për të hyrë nga veriu. Batalionet që ndodhen tashmë në qytet, pranë lagjeve veriore Zeitoun dhe Sheikh Radwan, do të hapin rrugën për hyrjen nga perëndimi. Një lëvizje në formë darash për një operacion që mund të zgjasë deri në katër muaj. Por edhe vetë komandantët ushtarakë paralajmërojnë qeverinë se pushtimi i qytetit të Gazës nuk do të sjellë dorëzimin apo shkatërrimin e Hamasit. Grupi ende ka luftëtarë aktivë midis Deir al-Balah, Nuseirat dhe kampeve të al-Mawasi, dhe po përgatitet për luftë guerile.

Shumë drejtues ushtarakë, përfshirë Shefin e Shtabit Zamir, i janë kundërvënë operacionit të quajtur “Qerret e Gideonit II”, duke paralajmëruar se do të rrezikohen pengjet pa arritur objektivin e shpallur të “fitores totale”. Kjo është edhe pikëpamja e pjesës më të madhe të strukturave të sigurisë, të cilat vlerësojnë se lufta në Gaza nuk ka më objektiva ushtarake të arritshme, por qeveria nuk duket e gatshme të ndalet.

Javën e ardhshme pritet që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të thërrasin 20,000 rezervistë të tjerë, duke iu shtuar 60,000 personave tashmë të mobilizuar. Ndërkohë, bombardimet vazhdojnë: dje u shënjestruan disa ndërtesa të tjera shumëkatëshe, mes tyre ajo që strehonte koleksionin më të madh arkeologjik të Rripit të Gazës. Shkolla Biblike dhe Arkeologjike Franceze në Jerusalem, së bashku me Patriarkanën Latine, kishin tentuar më kot të shpëtonin objektet më të rëndësishme ditët e fundit. Shumica e tyre nuk u arrit të zhvendosej, raporton Haaretz.

Vetëm gjatë ditës së djeshme u vranë të paktën 68 persona në të gjithë Rripin, 10 prej tyre duke kërkuar ndihmë. Ushtria izraelite deklaroi se kishte eliminuar “11 operativë të Hamasit në tunelet e Beit Hanoun”. Bilanci i viktimave që nga fillimi i luftës ka arritur në 64,800, shumica civilë.

Eksodi i banorëve dhe “zona humanitare”

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshkroi qytetin si “një kala prej rëre që po shembet”. Sipas të dhënave të ushtrisë, rreth 300,000 njerëz janë larguar drejt al-Mawasi, e shpallur si “zonë humanitare”. Por kjo zonë ende nuk ekziston realisht, pasi ushtarët po përpiqen ta krijojnë mes vështirësive të mëdha. Kombet e Bashkuara kanë ritheksuar se “në Gaza nuk ka më asnjë vend të sigurt”.

Çështja e evakuimit është bërë pjesë e propagandës së të dy palëve. Në rrjetet sociale qarkullojnë video të paverifikuara që tregojnë luftëtarë të Hamasit duke penguar të zhvendosurit të ngrejne4 çadra në zonën e Khan Younis. Ndërkohë, COGAT, autoriteti izraelit për koordinimin e territoreve palestineze, publikoi foto ku shfaqeshin zyrtarë të lartë të Hamasit dhe familjet e tyre duke tentuar të largoheshin nga Gaza. Hamasi reagoi duke pretenduar se një milion banorë kundërshtojnë dëbimin e detyruar. Në mes mbeten civilët palestinezë, të detyruar të zgjedhin mes largimit dhe mbijetesës në një qytet të shkatërruar.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here