Gjiu tajlandez që u bë i famshëm në filmin “The Beach” me Leonardo DiCaprio është rihapur pas më shumë se tre vitesh.
Maya Bay, në ishullin Phi Phi Leh, u mbyll në vitin 2018 pasi zyrtarët thanë se një rritje e shpejtë e vizitorëve kishte dëmtuar rëndë mjedisin. Por tani turistët po lejohen të kthehen për shkak të rimëkëmbjes së ekosistemit.
Një maksimum prej 375 vizitorësh do të mund të vizitojnë në të njëjtën kohë por noti do të ndalohet për momentin, thonë zyrtarët.
Guvernatori i Autoritetit të Turizmit të Tajlandës, Yuthasak Supasorn, tha për Reuters se fauna ujore me shumicën peshkaqenë janë rikthyer, shkëmbinjtë koralorë po rriten përsëri dhe uji është përsëri i pastër. Pra vendasit po shikojnë një përmirësim të ekosistemit.
Por akoma do të ketë kufizime në përdorimin turistik të gjiut. Varkat do të lejohen të ankorohen vetëm në një vendndodhje specifike për të shmangur dëmtimin e shkëmbinjve koralorë, kanë thënë zyrtarët.
Plazhi u shfaq dukshëm në filmin e vitit 2000 me këtë emër dhe turizmi pa një rritje të mprehtë në vitet në vijim. Në vitin 2008, kishte rreth 170 njerëz që vizitonin në ditë. Por deri në vitin 2018 numri ishte rritur në rreth 5,000 dhe shumica e koraleve të saj vdiqën si rezultat.
Po sikur në Shqipëri të merren masa të tilla të rrepta për të mbrotjur dhe rimëkëmbur ekosistemin e plazheve tona? Po sikur të ndalohet ndërtimi dhe hedhja në det e ujrave të zeza për njëfarë kohe a do të kemi një faunë më të plotë përreth? Po ruajtja e ishujve tanë në Ksamil, ku flora dhe fauna po zhduken nga ozurpimi i plazheve private, a do të krijonte një kulturë të re për vendasit për të mbrojtur fort bukuritë e rralla vendase?
Një tjetër mjet ndotës i ekosistemit të ujrave tona janë dhe motorvarkat e shumta që shfaqen në cdo plazh, pa u merakosur për vajrat dhe karburantin që lëshojnë në det. Akoma nuk kemi parë plane të forta për të siguruar një mbrojtje të ekosistemit tonë të plazheve. Po shikojmë vetëm ndërtime rezortesh dhe plazhe private të panumërta, mbulim me shezlonë dhe cadra të të gjithë sipërfaqes së rërës.
Të gjitha këto sjellje shkatërruese po reduktohen në shumë vende turistike të botës duke u kujdesur për një zhvillim të turizmit të qëndrueshëm.
Burimi: BBC, Reuters