The Economist: Njësia e re antikorrupsion në Shqipëri po godet të fuqishmit

Në Tiranën e viteve ’30, siç shkruan akademikja shqiptare Lea Ypi në një libër të ri, njerëzit debatonin nëse korrupsioni ishte “shkaku i mjerimit shqiptar apo pasoja më e natyrshme e tij”. Edhe sot mund të dëgjosh të njëjtën dilemë në kryeqytet. Por një gjë ka ndryshuar: për herë të parë në një shekull shtetësi, një strukturë e pavarur antikorrupsion po arreston politikanë, zyrtarë dhe trafikantë droge, pa dallim apo mëshirë.

SPAK-u dhe popullariteti i tij
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi punën në vitin 2019. Sipas sondazheve, 76% e shqiptarëve i besojnë asaj, duke e bërë institucionin më të vlerësuar në vend. Gjithnjë e më shumë figura të elitës shqiptare, përfshirë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, janë kapur në rrjetën e saj. Kryeministri Edi Rama, që në fillim e mbështeste kur arrestonte vetëm kundërshtarët e tij, tani nuk e sheh me të njëjtin entuziazëm.

Në vitin 2023 SPAK vendosi në arrest shtëpie ish-presidentin dhe ish-kryeministrin, Sali Berisha, sot kryetar i opozitës, i cili po gjykohet për korrupsion. Një vit më pas u arrestua edhe ish-presidenti Ilir Meta, tashmë udhëheqës opozitar. Edhe ish-ministra të kabinetit Rama janë arrestuar, ndërsa në shkurt erdhi radha e Erion Veliajt, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një prej figurave më të përfolura si pasardhës të Ramës. Të tre i mohojnë akuzat e ngritura ndaj tyre.

Goditjet ndaj krimit të organizuar
Në fushën e krimit të organizuar, SPAK ka shënuar suksese duke bashkëpunuar me policitë e huaja. Një bos droge shqiptar mund të veprojë nga Dubai, të blejë nga Ekuadori, të shpërndajë në Europë e më pas të investojë fitimet në ndërtim në Shqipëri. Në korrik, SPAK sekuestroi pasuri të përfituara nga pastrimi i parave dhe ngriti akuza për trafik armësh drejt Britanisë.

Arrestimet politike dhe reagimet
Por arrestimet e politikanëve janë më të debatueshme. Berisha thotë se po përndiqet politikisht dhe e quan SPAK-un “kamxhiku i Ramës”. Kur u arrestua Veliaj, vetë Rama akuzoi SPAK për shkelje të të drejtave të njeriut, deklarata që i sollën kritika nga BE-ja. Një diplomat europian i quajti pretendimet e tij “budallallëqe”. Rama u tërhoq shpejt, duke kuptuar se sulmi ndaj SPAK-ut ishte politikisht i dëmshëm.

Vetë Rama ka premtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri më 2030. Një rekord i fortë në luftën kundër korrupsionit është kusht thelbësor, dhe disa shtete anëtare vlerësojnë lart rolin e SPAK në luftën ndaj bandave të drogës.

Rasti Veliaj dhe ndarjet në opinion
Veliaj, i cili nisi karrierën si aktivist antikorrupsion dhe transformoi imazhin e Tiranës, akuzohet nga SPAK se së bashku me bashkëshorten se pastruan para përmes një sistemi me donacione tek OJF-të. Pas gjashtë muajsh, ai vazhdon të mbahet në paraburgim dhe u akuzua zyrtarisht më 23 korrik. Shqipëria ka një problem kronik me paraburgimet: 62% e të burgosurve janë ende në pritje gjykimi, një shifër shumë më e lartë se mesatarja europiane.

Përveç tij, një deputet socialist u akuzua për pengim të dëshmitarëve, ndërsa një ish-deputet tjetër për dhënie informacioni policor në këmbim të ndihmës gjatë zgjedhjeve. Të gjithë e mohojnë fajësinë.

Një vend mes shpresës dhe dyshimit
Arrestimi i Veliajt ka ndarë opinionin publik. Një pjesë thotë se SPAK po shndërrohet në “Sigurimi”-n e kohës komuniste. Të tjerë gëzohen që “të paprekshmit” më në fund po përgjigjen përpara ligjit. Një burim gjyqësor shprehet prerazi: qëllimi i SPAK ishte të thyente “kulturën e pandëshkueshmërisë” në Shqipëri. Nëse ia del, kjo do të ishte historia e shekullit.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here