Tragjedia e një shoqërie të dështuar

Pupil Sending Text Message On Mobile Phone In Class

Në oborrin e një shkolle 9-vjeçare dje ndodhi një tragjedi, e cila mund të ishte shmangur nëse nuk do të ishim një shoqëri e dështuar.

Jam matur disa herë t’i shkruaj këto fjalë, por a na mjaftojnë fjalët sot kur një 14-vjeçar humbi jetën, dhe shumë të tjerë janë me trauma nga ngjarja e rëndë?

Dikur fëmijët luanin me topa dhe ndanin lodrat me njëri-tjetrin, ndërsa sot mbahen peng të ekraneve të vogla, ku hasen me shembuj negativë në rrjetet sociale. Telefonat inteligjentë, që shpesh u jepen nga prindër të lodhur ose të paangazhuar për të fituar pak qetësi për veten e tyre, janë kthyer në mentorët kryesorë të brezit të ri. Por jo në mënyrën e duhur.

Në vend që të mësojnë përmes shembujve të përkushtimit, të respektit dhe të punës, të edukatës dhe mirësjelljes, sot fëmijët rriten me një frymë që lë për të dëshiruar: notat vijnë nga presioni mbi mësuesin dhe jo nga përpjekjet e tyre, dalin nga situata me lekët e prindërve, nuk mësojnë sepse babi do iu gjej një shkollë dhe punë të mirë, “nëse godet i pari, fitove lojën” dhe “nëse bën me hile prapë fitove“… dhe uh, desh harrova, “nqs të thonë diçka që s’të pëlqen futja në grusht se kështu bëjnë gangsterat“.

Ndërkohë në oborret e shkollave ndodhin tragjedi që nuk duhet të ndodhnin kurrë. Sistemi ynë arsimor nuk është vetëm i paefektshëm, por edhe i pafuqishëm. Shkolla pa psikologë, pa mekanizma parandalues dhe me oficerë sigurie në prag pensioni si një pasqyrë e dështimit të institucioneve. Mësuesit nuk guxojnë të ndërhyjnë në konfliktet mes nxënësve, jo për mungesë dëshire, por nga frika se përballë kanë armë të ftohta ose kërcënime më të mëdha.

Politika jonë është kthyer në një sistem të mirëmbajtjes së krimit dhe korrupsionit. Ata që duhet të sigurojnë drejtësi dhe mbrojtje për qytetarët, shpesh janë protagonistë të kronikës së zezë. Ligjet mungojnë, dhe ato që ekzistojnë nuk zbatohen. Si mund të presim ndalimin e dhunës kur liderët tanë e kanë promovuar atë në çdo hap?

Pastaj mediat, që në teori duhet të jenë pasqyrë e shoqërisë dhe promovuese të edukimit dhe kulturës, janë kthyer në platforma që ushqejnë banalitetin. TikTok-u dhe emisionet pa vlerë kanë zëvendësuar programet edukative dhe kulturore. Personazhe pa integritet dominojnë ekranet, ndërsa arti dhe kultura janë mënjanuar plotësisht. Siç thoshte dhe Albert Kamy, “një shoqëri pa kulturë dhe liri, edhe nëse është perfekte, nuk është gjë tjetër veçse një xhungël“.

Kemi dështuar si shoqëri sepse nuk kemi ndërtuar ura komunikimi dhe edukimi. Familja, shkolla, institucionet dhe media, të gjitha kanë çaluar, duke prodhuar breza të ndarë mes indiferencës dhe agresivitetit. Për të shmangur tragjedi të tilla, nevojitet investim në psikologë shkollash, programe ndërgjegjësimi për prindërit dhe një reformë e thellë në arsimin bazë.

Në oborrin e një shkolle 9-vjeçare dje ndodhi një tragjedi, e cila mund të ishte shmangur nëse nuk do të ishim një shoqëri e dështuar. Por ne jemi një shoqëri e dështuar, ku këmbanat e alarmit po çajnë qiellin bashkë me ulërimat e nënave që vajtojnë fëmijët. A jemi gati t’i dëgjojmë?

Një tragjedi si kjo duhet të jetë thirrja jonë e fundit për zgjim. Nuk mjafton të vajtojmë për rastet tragjike; duhet të ndërmarrim hapa konkretë. Edukimi cilësor duke filluar nga bërthama e familjes tek forcimi i institucioneve, përgjegjësia ligjore dhe mediat më të pastra janë misione të domosdoshme për të shpëtuar atë që ka mbetur nga shoqëria jonë.

 

Ky është një qëndrim personal nga Xh.B, redaktore kontribuese në mendimi.al. Opinioni i shprehur nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet zyrtare të platformës.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here