Votuesit nga Diaspora mund të regjistrohen që sot për zgjedhjet e majit

Në zgjedhjet parlamentare të majit, edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë, një ndryshim i kërkuar prej kohësh nga shumica e partive.

Të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të mund të regjistrohen për të votuar me postë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, duke filluar nga sot, 11 janar. Kjo do të jetë hera e parë që ata mund të hedhin votën pa u kthyer në atdhe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, tha se regjistrimi i qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë do të bëhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER) në aplikacionin celular të KQZ-së ose në faqen zyrtare të internetit.

Parlamenti i Shqipërisë lejoi votimin e shqiptarëve jashtë vendit, së bashku me ndryshime të tjera në kodin zgjedhor, më 26 korrik 2024. Deputetët e të dyja palëve miratuan ndryshimin dhe ranë dakord të lejojnë votuesit e diasporës të votojnë me postë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Censi i fundit tregoi se vetëm 2.4 milionë njerëz nga 4.6 milionë qytetarë jetojnë aktualisht në Shqipëri. Kjo shpjegon pse, në zgjedhjet e fundit lokale, në maj 2023, vetëm 38% e 3.6 milionë votuesve të regjistruar morën pjesë në votime.

Sipas Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, 3.7 milionë shqiptarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

Kryeministri Edi Rama, nga Partia Socialiste, kohët e fundit përfundoi një tur takimesh me shqiptarët jashtë vendit në qytete si Nju Jork, Londër, Athinë, Selanik dhe Milano, të cilat sipas vëzhguesve kishin për qëllim rritjen e mbështetjes elektorale. Opozita ka akuzuar se këto takime përfshinin përdorimin e burimeve shtetërore për përfitime politike.

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here