Arrestohet Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) u paraqitën në ambientet e bashkisë rreth orës 14:00 për t’i komunikuar vendimin dhe për ta shoqëruar drejt Bllokut të Sigurisë në rrugën Mine Peza.

Sipas burimeve zyrtare, GJKKO ka firmosur gjithsej pesë masa sigurie, përfshirë tre me “detyrim paraqitjeje“, një “arrest shtëpie” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, dhe “arrest me burg” për vetë kryebashkiakun.

Si nisi hetimi?

Hetimi ndaj Veliajt nisi mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga një qytetar anonim, Nesti Angoni, i cili u dërgua me postë në SPAK. Fillimisht, Veliaj nuk ishte regjistruar si person nën hetim, por në dhjetor 2024 ai dëshmoi para agjentëve të BKH-së në lidhje me një çështje të korrupsionit pasiv. Hetimet përfshinë edhe kontrolle mbi pasurinë e tij dhe të familjarëve.

Më 6 dhjetor 2024, SPAK sekuestroi telefonin e Ajola Xoxës, ndërsa me vendim të GJKKO-së u kryen kontrolle në studion artistike “Harabel” në ish-Bllok, ku u sekuestruan dokumente të rëndësishme për hetimin e pasurisë së Veliajt.

Reagimet pas arrestimit

Pas arrestimit të Veliajt, kryeministri Edi Rama anuloi të gjitha takimet e planifikuara për ditën në Shkodër. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e qeverisë ose Partisë Socialiste në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës.

Hetimet po vijojnë dhe priten zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here