Negociatat midis Iranit dhe fuqive botërore që synojnë shpëtimin e një marrëveshjeje bërthamore të 2015-ës po rifillojnë në Vienë sot pas një pauze disa ditore, me tensione të larta pasi Teherani bëri kërkesat javën e kaluar që vendet evropiane i kritikuan ashpër.
Një takim i të gjithë nënshkruesve të mbetur të marrëveshjes – Irani, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina – do të fillojë në mesditë, i kryesuar nga diplomati i Bashkimit Evropian Enrique Mora.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë pjesë në mënyrë indirekte në bisedimet në vazhdim sepse u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018 nën Presidentin e atëhershëm Donald Trump.
Presidenti Joe Biden ka sinjalizuar se dëshiron t’i bashkohet sërisht marrëveshjes. Uashingtoni planifikon të dërgojë një delegacion të kryesuar nga Robert Malley, i dërguari special i SHBA-së për Iranin, në Vjenë gjatë fundjavës.
Diplomatët evropianë i kërkuan Teheranit të kthehet me “propozime realiste” pasi delegacioni iranian bëri kërkesa të shumta javën e kaluar që palët e tjera në marrëveshje i konsideruan të papranueshme.
Bisedimet e javës së kaluar ishin të parat në më shumë se pesë muaj, një hendek i shkaktuar nga një qeveri e re e vijës së ashpër që mori pushtetin në Teheran.
Irani nën udhëheqjen e re, është bërë më kërcënues, duke shfaqur kërkesa të forta si dhe duke lidhur marrëveshje aleance me Sirinë.
Marrëveshja e nënshkruar në Vienë në vitin 2015, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, kishte për qëllim të frenonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.
Pas vendimit të SHBA-së për të tërhequr dhe rivendosur sanksionet kundër Iranit, Teherani ka rritur përsëri programin e tij bërthamor duke pasuruar uranium përtej kufijve të lejuar në marrëveshje. Irani ka kufizuar gjithashtu monitoruesit nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së për të hyrë në objektet e tij bërthamore, duke ngritur shqetësime për atë që vendi po bën jashtë syve.
Përfaqësuesi më i lartë i Rusisë në bisedimet e Vienës shprehu shpresën se një marrëveshje mund të arrihet përfundimisht edhe pse të dyja palët kanë vizione të ndryshme, por kanë dëshirën për të riaktivizuar marrëveshjen.
Burimi: AP