Plastika është kudo. Shumë produkte të përdorimit të përditshëm si dërrasat e prerjes, rrobat apo sfungjerët e pastrimit mund t’i ekspozojnë njerëzit ndaj grimcave mikroskopike plastike të quajtura mikroplastikë. Tani, edhe çamçakëzi mund të shtohet në këtë listë.
Në një studim pilot, studiuesit zbuluan se çamçakëzi mund të lëshojë qindra deri në mijëra mikroplastikë në pështymë për çdo copë çamçakëzi të përtypur dhe këto grimca potencialisht mund të gëlltiten. Rezultatet u prezantuan në takimin pranveror të Shoqatës Amerikane të Kimisë (ACS).
“Qëllimi ynë nuk është të shqetësojmë njeri,” tha Sanjay Mohanty, drejtuesi i projektit dhe profesor inxhinierie në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA). “Nuk kemi prova përfundimtare që mikroplastikët janë të rrezikshëm për shëndetin e njeriut, por dimë që ekspozohemi ndaj tyre çdo ditë dhe këtë donim të shqyrtonim.”
Studimet mbi kafshët dhe qelizat njerëzore tregojnë se mikroplastikët mund të kenë efekte të dëmshme. Derisa shkenca të japë përgjigje më të qarta, individët mund të ndërmarrin hapa për të reduktuar ekspozimin e tyre ndaj mikroplastikës.
Sipas vlerësimeve, njerëzit konsumojnë dhjetëra mijëra mikroplastikë çdo vit përmes ushqimit, ujit, ambalazheve plastike dhe proceseve të prodhimit. Por, çamçakëzi nuk ishte marrë shumë në konsideratë si burim i mundshëm. Kështu, Mohanty dhe Lisa Lowe, një studente e tij, vendosën të analizojnë sa mikroplastikë mund të çlirohen nga përtypja e çamçakëzëve natyralë dhe sintetikë.
Çamçakëzët përbëhen nga një bazë gome, ëmbëlsues, aroma dhe përbërës të tjerë. Produktet natyrale përdorin rrëshira bimore si chicle, ndërsa ato sintetike përdorin goma të prodhuara nga derivatet e naftës.
“Hipoteza jonë ishte që çamçakëzët sintetikë do të lironin më shumë mikroplastikë, pasi baza e tyre është një lloj plastike,” tha Lowe, e cila është prezantuesja e studimit.
Studiuesit analizuan pesë marka çamçakëzësh sintetikë dhe pesë natyralë, të gjitha të disponueshme në treg. Për të shmangur ndryshimet mes individëve, të gjitha copat u përtypën nga i njëjti person për 4 minuta. Pështyma u mblodh çdo 30 sekonda, së bashku me një shpëlarje finale të gojës, dhe u analizua për mikroplastikë.
Rezultatet treguan një mesatare prej 100 mikroplastika për gram çamçakëz, me disa copa që lironin deri në 600 mikroplastikë për gram. Duke qenë se një copë çamçakëzi zakonisht peshon 2 deri në 6 gram, një copë e vetme mund të lëshojë deri në 3,000 grimca plastike. Bazuar në përtypjen mesatare vjetore prej 160–180 çamçakëzësh në vit, kjo mund të nënkuptojë deri në 30,000 mikroplastika të gëlltitur në vit vetëm nga çamçakëzi.
“Për çudi, si çamçakëzët natyralë ashtu edhe ata sintetikë lironin sasi të ngjashme mikroplastikësh,” tha Lowe. Të dy llojet përmbanin polimere si: poliolefinë, polietileni tereftalat, poliamide dhe polistiren. Poliolefinat, si polietileni dhe polipropileni, ishin më të përhapurat.
Shumica e mikroplastikës u çlirua brenda 2 minutave të para të përtypjes. Nuk ishte enzima e pështymës ajo që i çliroi, por vetë veprimi gërryes i përtypjes. Brenda 8 minutash, 94% e mikroplastikëve të identifikuar ishin tashmë të çliruar. Prandaj, studiuesit sugjerojnë që nëse dikush dëshiron të reduktojë ekspozimin ndaj mikroplastikëve nga çamçakëzi, të përtypë një copë më gjatë në vend që të marrë një të re.
Për shkak të kufizimeve të pajisjeve, studimi mund të identifikonte vetëm mikroplastikë me madhësi 20 mikrometra ose më të mëdha. Kjo nënkupton se grimcat më të vogla, përfshirë nano-plastikën, mund të kenë kaluar pa u zbuluar.
“Plastika që lëshohet në pështymë është vetëm një pjesë e vogël e plastikës që përmban çamçakëzi,” përfundon Mohanty. “Prandaj, mendoni edhe për mjedisin, mos e hidhni thjesht në rrugë apo në murin e çamçakëzëve.” Hedhja e pakontrolluar e çamçakëzit të përdorur është gjithashtu një burim ndotjeje plastike për mjedisin.