Në rrugicat plot jetë të Medinës së vjetër në Rabat, Marok, ndodhet bota e vogël, por e jashtëzakonshme e Mohamed Azizit, librashitësi më i vjetër dhe më pasionant i qytetit. Historia e tij është një shembull i qëndrueshmërisë, zhgënjimit dhe përkushtimit të palëkundur ndaj fuqisë transformuese të librave, në një vend ku shumë ende nuk dinë të lexojnë.
Fëmijëria e humbur
I mbetur jetim në moshën gjashtëvjeçare, fëmijëria e Azizit ishte e mbushur me sfida dhe ëndrra të parealizuara. I vendosur për të dalë nga cikli i varfërisë, ai filloi të peshkonte për të financuar ëndrrën e tij për të përfunduar shkollën e mesme. Megjithatë, në moshën 15-vjeçare, realiteti i ashpër e rrëzoi. Kostoja e librave shkollorë ishte e papërballueshme, duke e detyruar të braktiste arsimin.
I zemëruar, por i palëkundur, Azizi iu kthye librave, jo si student, por si shitës. “Kështu vendosa të marr hak ndaj fëmijërisë time, situatës sime, varfërisë sime,” reflekton ai. Ajo që filloi si një nevojë për të fituar jetesën, u kthye në një mision të përjetshëm: ta bëjë dijen të aksesueshme në një vend që lufton ende me analfabetizmin.
Karriera gjysëm shekullore
Për më shumë se 55 vjet, Azizi ka qenë dëshmitar i përmirësimeve në normat e shkrim-leximit në Marok, por jo aq shpejt sa do të dëshironte. Në vitin 1960, 87% e marokenëve ishin analfabetë. Sot, kjo shifër ka rënë në 32%, por Azizi mbetet thellësisht i zhgënjyer. “Tre nga dhjetë marokenë ende nuk mund të shijojnë librat e mi apo ndonjë libër tjetër, sepse nuk dinë të lexojnë,” thotë ai.
Sipas Azizit, problemi qëndron në sistemin arsimor. Një shifër shqetësuese prej 47% e nxënësve të shkollës së mesme nuk vazhdojnë arsimin e lartë. Për Azizin, kjo është një kujtesë e ashpër e arsimit të tij të ndërprerë. “Ky problem nuk është i ri,” thotë ai. “Më ndodhi mua 50 vjet më parë dhe po ndodh përsëri tani.”
Ëndrra e librashitësit
Pavarësisht zhgënjimeve, libraria e Azizit është kthyer në një burim shprese dhe mësimi. Me kalimin e viteve, ajo është bërë një pikë takimi për vendasit kuriozë dhe vizitorët ndërkombëtarë, tërhequr nga thesari i librave që ai ofron. Azizi ëndërron që një ditë t’ua sigurojë librat të gjithëve që duan të mësojnë vetë, por nuk kanë mundësi t’i përballojnë.
“Jeta ime rrotullohet rreth leximit,” ndan ai. Një lexues i apasionuar, Azizi llogarit se ka lexuar mbi 4,000 libra gjatë jetës së tij në arabisht, frëngjisht, spanjisht dhe anglisht. “Kam jetuar më shumë se 4,000 jetë. Çdokush duhet ta ketë atë mundësi.” I pyetur se përse i lë librat e tij jashtë dhe nëse ka frikë se do ja vjedhin, ai thotë: “Ata që nuk dinë të lexojnë, nuk kanë ç’ju duhen librat, dhe ata që dinë, nuk janë hajdutë.”
Le të shërbejë kjo histori si burim frymëzimi për të gjithë, se nuk është kurrë vonë për të zgjeruar diapazonin e dijes dhe se leximi i një libri është si një jetë e dytë.