Jeta është e shkurtër, udhëtoni me kujdes

Ditën e djeshme, tre të rinj në lule të moshës, humbën jetën për mendtë e kokës.

Po, po. Për mendtë e kokës. Por jo vetëm për mendtë e kokës së tyre. Por të të gjithë shoqërisë. Po pyesni veten ku hyn shoqëria?

Shoqëria hyn kudo. Ta nisim nga gjeneza. Nga prindërit. Jemi aq shoqëri e dështuar sa duam ta tregojmë luksin kudo, kurdo. Të ketë komshiu më shumë se ne? E papranueshme. Kështu pra, i mësojmë fëmijët se me lekë mund të arrihet çdo gjë. Iu japim makina të shtrenjta sapo marrin patentat. Dhe s’ka gjë, ec… sa të kesh mamin dhe babin, mos e vrit mendjen. Do japim lekë kur të marrësh gjobë, kur të të hiqet patenta. Fundja, dhe po përplase njeri, e zgjidhim. Ose ik shpejt, pa të parë njeri, ose do të nxjerrim. Me lekë zgjidhet çdo gjë…

Nuk do i numëroj viktimat që kanë vdekur si pasojë e këtyre aksidenteve të shkaktuar nga çunat dhe gocat e prindërve me lekë, që nuk dinë çfarë të bëjnë në jetën e tyre përveçse të parazitojnë dhe të llastohen me mjete luksi “se ka baba çun/goc“.

Vazhdojmë me shtetin. Përveçse dyshoj që këta t’i kenë marrë patentat me meritë, por edhe sikur me gishtat e dorës disa prej tyre t’i kenë marrë me meritë… Pse nuk kanë pikë patentat tona?! Nëse dikush gjobitet 5 herë, a nuk është kjo një këmbanë alarmi, që ky personi nuk duhet të hipi më mbas timonit të një makine? Pse duam të rrisim çmimet e patentave kur sërish do korruptohen të gjithë? Ata që i japin patentat, policët që gjobisin, ata që i heqin patentat, ata që i fusin në paraburgim, ata që i fusin në burg… Korrupsion, korrupsion, korrupsion. Dhe në fund vdekje, viktima, dhimbje për familjarët, frikë…

Vërtetë u dashka që çdo ditë të dalim nga shtëpia me lutje që të kthehemi sërish në shtëpi në mbrëmje, të gjallë, pranë prindërve dhe familjarëve tanë, sepse tani ke frikë të ecësh në rrugë, të pish kafe pranë një lokali buzë rruge, të hipësh në urban, të ecësh me makinë për qejfin tënd, brenda normave, sepse prej këtyre të korruptuarve mund ta kemi jetën më të shkurtër.

Uroj që familjarët e viktimave të kenë forcë për të përballuar humbjet, që të aksidentuarit të kenë një shërim të shpejtë dhe që të gjithë ne të reagojmë përpara se të jetë vonë.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here