Nga Reila Bozdo
Zgjedhjet lokale për kryebashkiakun e Tiranës këtë vit po shfaqin një zhvillim të pazakontë në skenën politike shqiptare. Partia Demokratike dhe partitë aleate opozitare kanë vendosur të mbështesin një kandidaturë të përbashkët: Flor Binaj, një figurë jashtë politikës tradicionale dhe me profil publik të njohur e të dashur. Ky vendim shënon një kthesë strategjike për PD-në dhe sfidon fuqinë elektorale të PS-së në kryeqytet.
Si arriti Flor Binaj të dalë si një figure përbashkuese? Rritja e numrit të partive të vogla, vecanërisht zgjedhjet e fundit, dukej se e kishin bërë të pamundur bashkimin, duke krijuar idenë e një opozite të fragmentuar, në konkurrencë mes njëra-tjetrës se sa me pushtetin, duke dobësuar shanset për fitore ndaj PS-së.
Ndërsa një trio e PD-së sapo kishte dalë në takime negociuese, dhe emra të shumtë po vetëofroheshin, ngjarjet duket se rrodhën më shpejt seç pritej dhe Flor Binaj u bë sa hap e mbyll sytë një kandidaturë e shumëpranuar që bashkon partitë dhe njëkohësisht i pranueshëm për qytetarët. Flor Binaj u shfaq si zgjedhja ideale, një figurë publike e njohur dhe e respektuar, që nuk është e lidhur drejtpërdrejt me strukturat politike. Kjo i mundëson opozitës të përqendrohet në një front të bashkuar, duke shmangur përplasjet që shpesh e kanë fragmentuar më parë.
Duket se vendimi i PD-së për të mbështetur Flor Binajn përbën një kompromis strategjik në kohën kur kjo parti sapo ka dale e humbur nga zgjedhjet e përgjithshme dhe është në proceset e rikrijimit të vetes e nuk ka motivimin e duhur për një garë të fortë në këtë moment.
Kandidimi i një figure jashtë historikut të PD ka pro-të dhe kundrat e saj, por në të vërtetë është një lëvizje strategjike fine “trade-off” duke dhënë diçka për të marrë diçka. Nga njëra anë, PD humbet mundësinë të ndërtojë një figurë të re nga radhët e veta që mund të shërbejë si lider afatgjatë dhe ka rrezik të demotivojë militantët dhe bazën tradicionale që ndjehet e përjashtuar. Po ashtu, kontrolli mbi fushatën bëhet më i kufizuar, pasi kandidati i jashtëm ka autonomi në komunikim dhe vendimmarrje.
Nga ana tjetër, PD fiton kredibilitetin publik duke mbështetur një figurë neutrale dhe të njohur, bashkon opozitën dhe krijon një front të përbashkët që maksimizon shanset për fitore, depërton tek votuesit e pavendosur dhe ata që nuk janë simpatizantë të partisë dhe tregon hapje ndaj shoqërisë civile dhe komunitetit qytetar.
Flor Binaj, si kandidat i përbashkët, luan rolin e urës mes partive dhe qytetarëve. Ai ka hapësira të krijojë besim mes partive opozitare duke ruajtur neutralitetin dhe dëgjuar të gjitha palët, të komunikojë drejtpërdrejt me qytetarët duke përqendruar mesazhin te problemet reale të qytetit.
Por një variabël i rëndësishëm në këtë lojë të madhe, që mund ta ndikojë rrënjësisht suksesin e tij është mbështetja e ekipit të Erion Veliaj në këtë garë, duke i dhënë jo vetëm vota dhe por edhe mbështetje teknike. Nëse ky skenar realizohet do të kemi një nga betejat më të papara në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, ku kryeministri sfidohet nga bashkimi i opozitës me të burgosurin e partisë së tij.
Erion Veliaj nga burgu, përmes njerëzve të tij që ende i qëndrojnë në këmbë dhe duan hakmarrje, mund të jetë drejtuesi kryesor i kësaj fushate dhe mbështetësi më i madh i Binajt. Me këtë justifikohet edhe vendimi i PD-së për të mos hyrë në këtë garë me kandidat të saj, sipas parimit: mandati u ndërpre si luftë mes jush, le të vazhdojë si luftë mes jush.
Gjithsesi, në aspektin teknik elektoral, sfida kryesore mbetet mobilizimi i bazës së partive dhe koordinimi i mesazheve, veçanërisht për të ruajtur identitetin e partive të vogla. Mundësia që kjo kandidaturë ofron është e madhe. Nëse figura përbashkuese funksionon siç pritet, opozita mund të fitojë jo vetëm zgjedhjet lokale, por edhe besimin publik për të ardhmen e saj si një forcë bashkuese dhe serioze.
Kandidatura e Flor Binajt për kryebashkiak të Tiranës është më shumë se një vendim elektoral: ajo përfaqëson një strategji për bashkim dhe rikthim të besimit publik. Me “konstelacionin” e përshkruar më lart, çdo kandidat me cilësitë e integritetit, njohjes, karizmës, do të kishte shance të mëdha për fitore, të tillë mund të ishin: Ermal Hasimja, Neritan Sejamini, Sonila Meço, etj., të cilët kanë treguar vëmendje të vazhdueshme ndaj çështjeve politike dhe atyre të kryeqytetit. Por me sa duket vetëm Binaj arriti të bashkonte puzzle-in sic duhet.
Nga momenti që kandidati është pranuar gjerësisht nga forcat opozitare, pesha e përgjegjësisë së përformancës së tij gjatë fushatës është e madhe. Atij do i duhet të lëvizë me kujdes në komunikimin publik e të mos rrëshqasë në kurthin e cirkut apo teatrit. Nëse fushata zhvillohet me sukses, ky hap mund të krijojë precedentë për mënyrën se si opozita shqiptare menaxhon fragmentimin dhe sfidat politike në të ardhmen, duke e çuar në një nivel të ri besimin e qytetarëve tek politika.