Esther Perel është ndoshta zëri më i fuqishëm në botë kur flasim për dashurinë, erotizmin dhe marrëdhëniet afatgjata. Për të, qëllimi nuk është “të kesh më shumë seks”, por të rikthesh gjallërinë, pasionin, kuriozitetin, energjinë, ndjenjën e gjallë që dikur të bëri të dashuroheshe. Ajo thotë se dëshira nuk shuhet sepse çiftet nuk duan njëri-tjetrin; shuhet sepse lidhja bëhet shumë e parashikueshme, shumë e shkrirë, shumë e njëtrajtshme. Dhe në atë humbje të misterit, dikush humb edhe versionin më të gjallë të vetes.
Sipas Perel, dashuria dhe dëshira janë dy forca krejt të ndryshme: dashuria kërkon afërsi, intimitet, siguri, rutinë; ndërsa dëshira kërkon hapësirë, mister, erë të panjohur, diçka për të zbuluar. Prandaj shumë çifte që duan njëri-tjetrin thellë, nuk ndjejnë më epsh, jo sepse diçka është e prishur, por sepse funksionet emocionale të dashurisë janë krejt të kundërta me funksionet e dëshirës erotike.
Pse njerëzit tradhtojnë?
Një nga idetë më të njohura të Esther Perel është se tradhtia rrallë ka të bëjë me partnerin, dhe shumë më shpesh ka të bëjë me një ndjenjë të brendshme: “Nuk ndihem më gjallë.”
Kur rutina, prindërimi, ekonomia dhe stresi e shkrijnë çiftin në një funksionim mekanik, njerëzit humbasin versionin më spontan, më të butë, më të sigurt apo më të fortë të vetvetes. Ata tradhtojnë jo për dikë tjetër, por për një përvojë ku ndihen të lumtur, të dëshiruar, të pamundur për t’u parashikuar. Shpesh tradhtia është një revoltë kundër rutinës, monotonia, mungesës së kuriozitetit dhe hapësirës.
Perel e përmbledh kështu:
“Ajo që kërkojmë në një lidhje është të ndjejmë veten sërish. Jo partnerin e ri.”
Dhe ky është një nga mesazhet më të fuqishme të saj: njerëzit nuk tradhtojnë domosdoshmërisht nga mëria, por nga një dëshirë e thellë për tu ndjerë gjallë, plot frymëzim, spontanitet dhe liri emocionale.
Por Perel beson edhe tek rilindja:
“Disa njerëz do të kenë dy ose tre marrëdhënie gjatë jetës. Disa prej nesh do t’i kenë me të njëjtin person.”
Si rikthehet dëshira?
Kur Perel pyet çiftet: “Kur ishe herën e fundit i/e tërhequr nga partneri?” ajo dëgjon gjithmonë të njëjtat katër përgjigje:
-
kur e shoh kompetent, në fushën e tij
-
kur kemi qenë larg e pastaj ribashkohemi
-
kur më surprizon
-
kur e shoh përmes syve të tjetrit
Në të gjitha, partneri duket pak i panjohur, pak misterioz, pak i largët. Dëshira ndizet jo nga njohja tërësore, por nga hapësira modeste që krijon kureshtje.
Perel këmbëngul se mënyra e vetme për të rikthyer magnetizmin në marrëdhënie është të kujtosh se partneri është një person i veçantë, jo një zgjatim i joti. Çiftet që bëjnë gjithçka bashkë, flenë bashkë, zgjohen bashkë, shohin të njëjtin serial, ndajnë të njëjtën rutinë, humbasin pikërisht atë tension të vogël emocional që krijon erotizmin.
Të rivendosësh erotikën do të thotë të rivendosësh veten
Perel thotë shpesh: “Seksi nuk është diçka që thjesht e bën, por është një vend ku shkon.”
Pyetja e vërtetë nuk është “si të bëjmë më shumë seks”, por: “Cilën pjesë të vetes dua të sjell në këtë përvojë?”
Për disa është butësia, për disa dominanca, për të tjerë çlirimi, loja, ndjenja e kujdesit, ndjenja e dorëzimit apo e zotërimit. Pa këtë vetëdije të brendshme, trupi nuk reagon dot.
Dhe në botën e sotme, problemi kryesor është mungesa e pranisë.
Trupat tanë janë në krevat, mendja në Instagram.
Trupat tanë janë në shtëpi, mendja në punë.
Përballë këtij shkëputjeje të heshtur, Perel thotë:
“Nuk mund të shkëputesh emocionalisht gjithë ditën dhe pastaj të kërcesh në intimitet gjatë natës.”
Si i rikthejnë çiftet dëshirën pas dekadave së bashku?
Ajo sugjeron këto hapa:
Një çift që pret spontanitet magjik pas 20 vitesh bashkë është duke pritur diçka që nuk ekziston.
Perel thotë:
“Ne nuk hamë gjithmonë se jemi të uritur. Ndonjëherë hamë sepse dikush ka gatuar, dhe na pëlqen.”
Kur njerëzit thonë “nuk kam dëshirë”, shpesh duan të thonë: “Nuk jam lidhur me veten.”
Shkolla e fëmijëve, puna, stresi, telefonat, vetëkritika, të gjitha djegin jetën e brendshme.
Ndaj rikrijoni atmosfën, mos prisni që të ndodhë rastësisht. Kjo do të thotë kohë, vëmendje, të qenit më shumë person dhe më pak funksion.
Sekreti i saj më i madh për një lidhje të gjatë?
Ajo thotë:
“Nuk mund të kërkosh që çdo gjë që është e rëndësishme për ty, të jetë po aq e rëndësishme për partnerin. Por mund të kërkosh që partneri ta vlerësojë atë që është e rëndësishme për ty.”
Ajo beson se dashuria e vërtetë nuk është të bëheni njësoj, por të mësoni të hidhni hapa drejt njëri-tjetrit, edhe kur gjërat nuk ju vijnë natyrshëm.











