Pelikanët e ndrojtur shqiptarë “harbohen” gjatë pandemisë

Ditë më parë, në një artikull për Associated Press shkruhet mbi rritjen e numrit të shpendëve në lagunën më të njohur në Shqipëri. Efekti i pandemisë ka rezultuar në stimulues të rritjes së çifteve të pelikanëve gjatë kësaj periudhe. Rezultati i arritur ka tërhequr vëmendjen e kujdestarëve të lagunës dhe turistëve. 

Një gjë të mirë që solli pandemia për Lagunën e Divjakës-Karavastasë ishte qetësia që u duhej çifteve të pelikanëve për t’u shumuar sepse çiftëzimi i tyre ishte i rrezikuar dhe si rrjedhojë dhe rritja e popullatës së tyre. 

Nga zbulimet e dy viteve të fundit zyrtarët e mjedisit deklarojnë se çiftet për riprodhim janë shtuar nga 68 në 2019 në 85 këtë vit. Kjo rritje vjen dhe si rrjedhojë e përgjysmimit të numrit të vizitorëve njerëz. 

Parku Kombëtar bregdetar Divjakë-Karavasta mbulon rreth 22,000 hektarë dhe është shtëpia e rreth 260 specieve shpendë. Më i njohuri prej tyre është “pelikani kaçurrel”, siç quhet ndryshe pelikani gjigant dalmat. Ky pelikan e ka koloninë e tij në Shqipëri – në Ishullin Pelikan, ku çiftet qëndrojnë nga dhjetori deri në qershor. 

Pelikanët janë deklaruar një specie e rrezikuar në Shqipëri. Afërsia e barkave të peshkimit ka rrezikuar dhe uljen e numrit të tyre ndër vite. Në 2014 u ndërmorën masa për parandalimin e zhdukjes së tyre në këtë lagunë duke larguar barkat e peshkimit nga foletë ku çiftohen pelikanët. U ngritën rrjeta që pengonin barkat dhe afrimin e njerëzve në zonë. U krijua mbikqyrje 24-orëshe dhe monitorim për çiftimet. U krijuan dhe pengesa për erozionin si dhe foletë u ngritën nga niveli i ujit për të evituar baticat. Kjo ndihmoi disi rregullimin dhe sistemimin e përkujdesjes ndaj shpendëve. Por problem qëndron gjithmonë peshkimi intensiv përreth Lagunës, i cili zvogëlon numrin e peshqve që nevojiten për ushqim për pelikanët, thotë Adrian Koci, kreu i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Financimet kanë qënë të pakta, që nga financimi fillestar i PNUD-it, dhe mbështetjet nga dhurimet e vizitorëve turistikë si dhe kontributet e stafit, nuk ka mbështetje tjetër të rëndësishme për kujdesin e Lagunës dhe specieve që ndodhen aty. Numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm për shkak se kjo Lagunë është bërë një destinacion turistik i njohur dhe është i vështirë për t’u menaxhuar për të ruajtur zonën dhe botën e gjallë përreth. Vizitorët edhe pse jo të dëshiruar nga pelikanët e ndrojtur të cilët duan qetësinë e tyre gjatë periudhës së ciftimit, janë të mirëpritur pasi janë një burim financiar për Lagunën. 

Limya Eltayeb, përfaqësuesi i PNUD-it në Shqipëri, tha se organizata e KB-së po mbështet Shqipërinë në zbatimin e “zgjidhjeve të bazuara në natyrë” në Divjaka dhe gjetkë, dhe duke ndihmuar qendrën të bëhet e vetë-qëndrueshme – përtej financimit të vogël të shtetit dhe donacioneve private. 

Burimi: Artikull nga Llazar Semini për Associated Press

Fotot: Hektor Pustina për Associated Press

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here