Protesta në Poloni. Ndalimi i abortit detyron gratë të lindin fëmijë të sëmurë rëndë

Gratë brenda klinikës nuk e shikonin njëra-tjetrën në sy. Për Dominika Biernat, situata ishte surreale, sa i ishin bërë nervat copë.

Të gjithë kishin udhëtuar për të njëjtin qëllim: të bënin një abort në një vend që nuk ishte i tyre.

Në vitin 2020, një vendim i diskutueshëm i gjykatës në Poloni hoqi anomalitë e fetusit si bazë për abort. Tani ato lejohen vetëm kur shtatzënia kërcënon jetën e nënës, ose në rastet e përdhunimit dhe incestit.

Ka pasur disa tragjedi që nga hyrja në fuqi e vendimit: muajin e kaluar një grua vdiq sepse mjekët refuzuan të kryenin procedurën pasi rrahjet e zemrës së binjakëve të saj pushuan. Vdekja e saj pasoi atë të një gruaje tjetër shtatorin e kaluar në rrethana të ngjashme.

Dominika ishte 39 vjeç kur mësoi se ishte shtatzënë. Nuk e kishte planifikuar, por ajo mendoi se mund të ishte një nga shanset e saj të fundit për t’u bërë nënë. Por vetëm disa javë më vonë, një takim rutinë zbuloi se fetusi kishte omfalocele, një defekt i lindur që shkakton zhvillimin e zorrëve, mëlçisë ose organeve të tjera të foshnjës jashtë zgavrës së barkut. Ajo e pyeti infermieren se çfarë duhej të bënte më pas, por sapo biseda u rrotullua drejt abortit, atmosfera në dhomë ndryshoi menjëherë.

“Pashë frikë në sytë e saj, sepse ne nuk flasim për abort në këtë vend,” tha Dominika. Ajo ose do të duhej të lindte një fëmijë të sëmurë rëndë ose do të kërkonte diku tjetër të abortonte.

Qeveria konservatore e Polonisë ka lidhje të forta me Kishën Katolike. Që nga marrja e pushtetit në vitin 2015, Partia Konservatore e Ligjit dhe Drejtësisë e ka shitur veten si një avokat për familjet polake.

Ajo mbështet një vendim të marrë nga Gjykata Kushtetuese në tetor 2020, e cila gjeti një ligj të vitit 1993 që lejonte abortet në rastin e anomalive të rënda, si jokushtetues. Ishte një nga vendimet më të ashpërta në Bashkimin Evropian, pas Maltës.

Gjykata tha se “një fëmijë i palindur është një qenie njerëzore”, duke e sjellë atë nën mbrojtjen e kushtetutës së vendit, e cila nga ana e saj ruan të drejtën për jetë.

Nëse fetusi ka gjasa të vdesë pas lindjes, gratë duhet ta mbajnë atë në një shtatëzani të plotë, dhe të bëjnë njëjtën gjë edhe për çdo anomali.

Shumica e polakëve e kundërshtojnë vendimin: mijëra protestues dolën në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre. “Zgjedhje e lirë, jo terror,” brohorisnin ata. “Trupi im nuk është një arkivol”, shkruhej në pankarta.

Dr. Maciej Socha, një specialist perinatologjie me bazë në Gdansk, tha se profesionistët mjekësorë nuk janë në gjendje të ofrojnë këshilla për ndërprerjen e shtatzënive dhe se shumë prej tyre kanë frikë të kryejnë aborte nga frika se mos përballen me veprime ligjore ose humbasin punën e tyre. “Nuk më lejohet të sugjeroj asgjë. Kjo më vret”, u shpreh ai për The Telegraph. “Unë takoj 5 deri në 10 pacientë çdo ditë, që më kërkojnë, më luten t’i ndihmoj sepse nuk duan që foshnjat e tyre të vuajnë, për shkak të kushteve të fetusit.”

Dr. Socha beson se numri i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë se sa raportohet dhe se më shumë vdekje janë të pashmangshme derisa ligji aktual të ndryshojë – gjë që ai dyshon se nuk do të ndodhë së shpejti.

Gratë, fetuset e të cilave vuajnë nga anomalitë, ose ato me shtatzëni të padëshiruara, detyrohen rregullisht të udhëtojnë në vende si Gjermania ose Holanda për ndërprerje të shtatëzanisë së tyre.

Ato që nuk mund ta përballojnë financiarisht abortin, kontaktojnë me shoqata bamirësie. Që nga viti që u shpall vendimi i gjykatës, Rrjeti i Mbështetjes së Abortit (ASN) ka ndihmuar mijëra njerëz, duke mbuluar shpenzimet për pilula aborti, procedurat në klinika, udhëtime, akomodim dhe shpenzime të tjera. Ata janë kontaktuar edhe nga fëmijë deri në 13 vjeç.

Gratë mbërrijnë në vende ku nuk mund ta kuptojnë gjuhën dhe u besojnë të huajve për fatin e tyre. Për shumë prej tyre, kjo është një provë e tmerrshme.

Një grua e mbështetur nga ASN, e cila dëshironte të mbetej anonime, tha se mbajtja e një fëmije të sëmurë është makthi më i keq i çdo nëne. Ajo ndihej e “turpëruar” që jetonte në një vend ku nuk ka mbështetje për gratë në situatën e saj dhe se kishte nevojë për ndihmë nga një bamirës.

“Unë e di që pas procedurës një gur do të bjerë nga zemra ime.”

Një tjetër tha se ajo ishte shkëputur nga burimi i saj i të ardhurave nga njerëz të cilëve i besonte, ndërsa ata u përpoqën ta largonin atë nga aborti dhe se ajo “u trajtua si një gjë e parëndësishme në një inkubator”.

“Babai i fëmijës i njoftoi të gjithë për shtatzëninë, pavarësisht nga dyshimet e mia,” tha ajo për ASN. “Ne gjithashtu zbuluam se fetusi ka defekte – rezultatet dhe ekzaminimet u vonuan me dashje nga mjekët dhe spitalet që donin të më detyronin të vazhdoja shtatzëninë.”

Anka Ostrowska mori turnin e saj të parë për ASN kur vendimi hyri në fuqi. Ajo përshkroi historitë që mbetën me të për shumë kohë në memorie pasi gratë bënë abortin e tyre, nga një vajzë 15-vjeçare, nëna e panikuar e së cilës i telefonoi, te gratë e dëshpëruara për të pasur fëmijë.

Kur kishte kaluar mesnata pas turnit të saj të parë, ajo shkoi në shtrat duke menduar vetëm për gratë me të cilat kishte folur atë ditë.

Është “shkatërruese” sepse “vendos shumë njerëz në situata të tmerrshme,” tha ajo. “E kam shumë të vështirë kur kuptoj se një grua do të donte vërtet të kishte një fëmijë.”

Rrjeti i Abortit në Amsterdam mbështetet gjithashtu te vullnetarët që marrin emaile dhe posta zanore të dëshpëruara nga gratë që kërkojnë ndihmë.

Ariane Vaughan shpjegoi se para vendimit vetëm disa gra polake në muaj mund t’i kontaktonin, por tani është të paktën dy në ditë.

“Shpesh ne marrim emaile, si me një fjali, dhe më pas dy minuta më vonë e njëjta gjë, sepse ata janë të frikësuar se emaili nuk u dërgua ose se askush nuk po përgjigjet.”

Dominika udhëtoi për në Holandë për abortin e saj. Iu deshën javë të tëra për t’u rikuperuar dhe ajo e përshkroi atë si “përvojën më të fortë” të jetës së saj.

Kur doli nga klinika, Dominika pa një grua tjetër që po shkonte brenda. Në vend që të ulte kokën nga turpi, ajo i ofroi asaj një buzëqeshje për ta mbështetur.

“Duhet të jetë normale, nuk duhet të kemi turp për këtë.”

Burimi: The Telegraph

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here