Studiuesi Afrim Krasniqi: Paradoksi, “një populli deputet”

Studiuesi Afrim Krasniqi, ka postuar një analizë në lidhje me proceset në hartimin e listave për deputet në partitë shqiptare.

“Paradoksi, “një populli deputet”

Gjatë muajve të verës PD në opozitë nisi një proces propozimesh për kandidatë për deputetë. Brenda 30 ditësh u propozuan rreth 6 mijë emra, nga të cilët rreth 2 mijë refuzuan të plotësojnë formularët dhe pjesa tjetër hynë në proces konkurrimi për tu bërë deputet. Sipas premtimit emrat e propozuar do të përbënin 80% të listës shumëemërore, ose 112 të 140 vendeve në listë. Matematikisht rezulton se për 112 vende aplikuan 3593 kandidatë, pra 32 herë më shumë sesa duhej, prej të cilëve komisioni përzgjodhi 326 emra ose 3 herë më shumë sesa numri në dispozicion. Në nëntor PS inicioi nismën për vetë-propozime për deputetë, me premtimin se individët e përzgjedhur do të përbëjnë 20% të listës shumëemërore. Konkurruan 1596 individë për 28 vende (20% e listës shumëemërore) ose 57 herë më shumë kandidatë sesa vende në listë. Nëse PS do të aplikonte kuotën 80% ashtu si PD, atëherë do të priteshin rreth 6.3 mijë kandidatë, po aq sa pati fillimisht në PD mbi bazën e propozimeve të anëtarësisë.

Në Shqipëri partitë e mëdha kanë nga rreth 100 mijë anëtarë të deklaruar, pavarësisht se kur zhvillojnë procese zgjedhore të brendshme nuk marrin pjesë më shumë se 60-70 mijë anëtarë në secilën parti. Imagjinoni: në 60-70 mijë anëtarë mbi 6 mijë ose 1 në 10 anëtarë duan të bëhen deputetë dhe aplikojnë madje edhe zyrtarisht për deputetë! Në parti të mëdha si CDU gjermane (PD thotë se ka marrë modelin e saj) apo Laburistët britanikë (PS thotë se ka marrë statusin e saj) raporti është 1 kandidat për deputetë në 1116-1126 anëtarë ose 110 herë më i lartë sesa “demokracia” shqiptare.

Pyetja thelbësore është: përse shqiptarët duan të bëhen deputetë? Numri i politikanëve reale matet me gishtat e dorës, numri i ekspertëve në politikë është minimal, numri i individëve me formim politik është minimal, e megjithatë, të gjithë duan të bëhen deputetë: mjekë e juristë, nëpunës e policë, artistë e bodigardë, biznesmenë e të fortë lagjesh, punonjës banke e punonjës bashkish, a thua behet fjale per rezervim darke ne restorant dhe jo perfaqesues ne institucionin me te larte vendimmarres ne RSH? Si është e mundur që individë, të cilët nuk kanë një CV arritjesh në jetën e tyre, nuk kanë dëshmi të ndonjë merite publike, nuk kanë gjurmë të ndonjë ideje ose kontributi politik, megjithatë janë gati dhe aplikojnë të bëhen deputetë?

Ka katër shpjegime: E para, sepse të gjithë kanë kuptuar se profili i deputetit në vitet e fundit ka prekur fundin, individë me formim mediokër dhe pa asnjë meritë përfunduan në sallën e Kuvendit, ndaj shumë njerëz në rrugë mendojnë se janë më të mirë sesa ata; e dyta, – njerëzit kanë kuptuar se partitë nuk kanë sistem merite dhe hierarkie ndaj cilido mund të jetë deputet e ministër nëse shefi politik e merr përzemër, siç ka ndodhur edhe dekadën e fundit; e treta, perceptimi është se deputetët nuk jetojnë vetëm me rrogën e punës, por drejtojnë gjithçka, tenderë e punësime, duke qenë më fitimprurës sesa hyrja si individ në biznes, dhe së fundi, kur njerëzit shohin ca emra në parlament me 3-4 mandate që nuk flasin kurrë, nuk lexojnë ligje, nuk kuptojnë se çfarë ndodh, por rrinë e vegjetojnë duke ngritur kartonin për gjithçka thotë shefi i Partisë, të gjithë mendojnë se këtë “sakrificë” mund ta bëjnë edhe vetë. Në fakt, të katra perceptimet janë të sakta. Imagjinoni një prej atyre qindra e mijëra kandidatëve anonimë në PD e në PS, që nuk ka lexuar në jetë ndonjë libër dhe kalon ditën lokal më lokal duke provuar pijet e duke u grindur me shokët për politikën, – hap TV dhe sheh disa prej ish ministrave apo ministrave aktualë, ish deputetëve apo deputetëve aktualë, drejtues në PD dhe në PS e partitë e tjera, – që edhe ata nuk dinë të lexojnë, që kalojnë kohën lokaleve, që njihen vetëm të aftë për bilardo apo për sharje në kamerave televizive, që janë marrë dikur me ndonjë drogë apo vjedhje dhe që tani kanë blerë kostume të reja e quhen politikanë? Ata thonë, njësoj jemi, atëherë përse të mos jem unë? Dhe i bëjnë like shefit të Partisë në facebook, e më pas shënojnë emrin për deputet, me video e me mesazh!

Partitë po bëjnë sikur po hapen, sikur po bëjnë garë, sikur po sjellin vlera, por ato po injorojnë një fakt domethënës: ky model politik ka prekur fundin dhe në fundin e tij, po rrezikon të kthehet në sistem referimi. Para se një popull të synojë të bëhet deputet, ne kemi nevojë të kemi një popull qytetar dhe më pas përmes qytetarisë të krijojmë sistem përfaqësimi edhe për deputet. Integriteti, moraliteti, vizioni, aftësia, profesionalizmi nuk kanë përse të jenë fjalë të huaja në një vend ku turma e injoranca shihet si vlerë dhe merr vendime për jetët tona. Ndaj para se të aktrojmë me gara absurde e qesharake të një populli militant që do të bëhet deputet, partitë duhet të bëjnë garë të brendshme për kryetarin e Partisë, për drejtuesit politikë, për programin e vlerat me shpresën se do të vijë një ditë kur numri i qytetarëve të jetë më i madh sesa numri i militantëve.”

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here