Një stuhi rëre që u ngrit të paktën 100 metra në lartësi ka lënë një qytet në Kinën veriperëndimore të mbuluar me pluhur një ditë më parë. Nga imazhet e përftuara të Dunhuang duket muri i rërës që zvarritet ngadalë mbi ndërtesat dhe autostradat. Qyteti është i vendosur në buzë të shkretëtirës Gobi, e cila është e njohur për klimat e saj të ashpra. Shumica e autostradave u mbyllën gjatë stuhisë.
Kjo nuk është hera e parë që Kina përjeton stuhi të këtij lloji. Në mars të këtij viti, një stuhi masive rëre në ngjyrë potokalli goditi qytetin e Pekinit, duke bllokuar transportin dhe duke dërguar nivelet e ndotjes në rritje. Sipas autoriteteve kineze kjo ishte stuhia më e keqe e rërës që ka goditur kryeqytetin kinez për një dekadë.
Kina është një nga vendet më të rrezikuara nga stuhitë e rërës dhe formimit të shkretëtirës. Sipërfaqja totale e tokës me shkretëtirë në Kinë arrin në 2.67 milion km2, që është 27.9% e siparfaqes tokë të vendit. Toka e shkretëtirëzuar është shpërndarë kryesisht në Veri-Perëndim, Veri dhe Verilindje. Për shkak të thatësirës së zgjatur, presionit në rritje të popullsisë dhe progresit të kufizuar në riformimin e bimësisë, procesi i shkretëtirëzimit është përshpejtuar, me një normë vjetore zgjerimi prej 1560 km2 në vitet 1970, 2100 km2 në 1980, 2460 km2 në mes të viteve 1990 dhe 3436 km2 në fund të viteve 1990 (pra gati dyfishuar në një periudhë 20 vjeçare).
Sipas një studimi të kryer nga FAO, ky lloj fenomeni ka rezultuar në degradimin e mjedisit ekologjik dhe kërcënon hapësirën e mbijetesës së popullit kinez. Është vlerësuar se rreth 400 milion njerëz janë prekur nga ky fenomen, dhe humbjet e drejtpërdrejta ekonomike të shkaktuara nga shkretëtirëzimi vlerësohen në gati 7.7 miliardë dollarë amerikanë çdo vit. Fenomeni i stuhive të rërës dhe shkretëtirëzimit është një shkak kryesor i varfërisë, pasi një numër i konsiderueshëm i qarqeve ekonomikisht të pazhvilluara gjenden në rajone të shkretëtirës shpjegohet në raport.
Shkaqet kryesore të shkretëtirëzimit ndahen në katër kategori. Së pari, reshjet janë mjaft të kufizuara, përgjithësisht nën 400 milimetra në vit, shumë të ndryshueshme nga një vit në tjetrin, dhe të shpërndara në mënyrë të pabarabartë midis stinëve, me një përqendrim prej 60% – 80% të reshjeve vjetore në verë, duke rezultuar në thatësirë të shpeshtë pranverore.
Së dyti, era e fortë është një faktor i rëndësishëm. Çdo vit, numri i ditëve me erë dhe me pluhur tejkalon 200, dhe ditë me erëra të forta nga 30 në 80. Për fat të keq, shumica e periudhës me erë ndodh në dimër dhe pranverë kur mbulesa e bimësisë së tokës është minimale.
Së treti, materialet në nivelin e tokës përbëhen kryesisht nga sedimente ranore të lirshme.
Së katërti, mbulesa e bimësisë tokësore është e pakët dhe e rrallë në shpërndarje, dhe e thjeshtë në përbërje, e cila zvogëlon aftësinë për mbrojtjen e tokës.
Stuhitë e rërës nuk e kanë origjinën vetëm në Kinë dhe ato nuk ndalen në kufijtë kinezë. Ndërsa Kina ka bërë përpjekje të frytshme në kontrollimin e fenomenit të formimit të shkretëtirës, kërkohet bashkëpunimi me vendet fqinje në Azinë Verilindore dhe Qendrore në mënyrë që të ndalet efektivisht procesi i përhapjes së shkretëtirëzimit. Për këtë arsye Kina është e përfshirë në nismat botërore për rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare që do të gjenerojnë përfitime dhe kontribuojnë në një mjedis më të mirë global.
Burimi: FAO, BBC