Ne të gjithë fillojmë një marrëdhënie me qëllimet më të mira. Takohemi me dikë, pëlqehemi, dhe pastaj biem në dashuri, dhe shumë shpejt mbërrijmë në pikën kur zgjedhim mobilje dhe planifikojmë udhëtime të fundjavës sëbashku.
Dashuria dhe marrëdhënia në dashuri është e mrekullueshme, është e këndshme sepse ajo ndjenjë e vërtetë të bën të ndjesh kuptimin e jetës. Të bën më entuziast, më pozitiv, më të mirë me njërëzit në punë. Është kaq e dukshme për sytë e të tjerëve kur jemi të dashuruar. Por pastaj disa prej nesh fillojnë të ndiejnë një “pickim” të brendshëm. Ndonjëherë kjo ndodh sepse ne fillojmë të bëhemi më posesivë, dëshirojmë kontroll, bëhemi më të vëmendshëm dhe vërejmë sinjale alarmi nga raportet, si për shembull kur e dashura juaj – dikur e ëmbël – tani dëshiron t’ju kontrollojë, deri të dijë dhe fjalëkalimin e Facebook-ut apo Instagramit tuaj; ose ndoshta partneri papritmas sillet thjesht keq pa absolutisht asnjë arsye. Herë të tjera, marrëdhëniet marrin një kthesë kur ne thjesht po kërkojmë diçka që partneri ynë domethënës nuk po e siguron më për ne.
Sido që të fillojë, tradhëtia shpesh fillon si një çështje emocionale – por gjërat mund të përshkallëzohen shpejt në një nivel fizik nëse nuk kapet që në fillim. Dhe pastaj, natyrisht, ndonjëherë ndodh që partneri juaj thjesht nuk të kënaq më seksualisht, dhe ju i nënshtroheni kënaqësive trupore jashtë lidhjes ndërsa me shërbim pune diku në një vend tjetër.
Çështja është se këto gjëra ndodhin. Ju mund të mos mendoni se do të ishit ndonjëherë ai person që ose ju ndodh të tradhëtoheni ose jeni ju që tradhëtoni. Por kush është ai person që fillon një lidhje të dytë duke pyetur veten se kur do të përfundojë dhe ku do të ta çojë? Disa prej nesh e dinë se si është të tradhëtohesh, por ka të tjerë që priren të mendojnë se nëse jemi mjaft të kujdesshëm, nuk do të kapemi kurrë. Dhe sigurisht, ndonjëherë ndodh kështu, por shumë njerëz kapen (më e keqja madje rrëfehen), dhe sigurisht që nuk është e bukur, pavarësisht se si përfundon.
Ja se çfarë më ka rrëfyer një nga mikeshat e mia për tradhëtinë e të shoqit dhe të sajën, kur ajo vendoset në rolin e të dashurës:
“Kur zbulova se im shoq më tradhëtonte, më dukej sikur jeta ime po dilte jashtë kontrollit. Shumë herë, më dukej se e kisha fajin vetë. Disa nga miqtë tanë e dinin dhe kjo më mundonte shumë. Unë po luftoja depresionin vetëm, dhe tani vazhdoj duke punuar vetëm me këtë, duke evituar sikletin e ndarjes nga ai, dhe duke u përpjekur të kuptoja se çfarë roli duhet të merrja për ne. Fëmijët ishin forca ime lëvizëse që më mbanin të qëndrueshme. Ata ishin dhe janë forca ime, sytë e mi, gjithçka e imja.
Kur fillova udhëtimin tim të jetës, ai përfshinte burrin tim dhe fëmijët e mi. Qëllimi im përfundimtar në jetë ishte t’i bëja ata më të mirë. Domethënë të isha nëna dhe gruaja më e mirë që mundesha. Asnjë martesë nuk është një përrallë dhe e jona ishte shumë larg prej saj. Ne jemi përballur me pabesinë, abuzimin verbal dhe fizik dhe braktisjen. Por dukej se ne gjithmonë luftonim. Ose të paktën unë njëherë. Por isha lodhur shumë. Ndërsa kalonim kohë të ndarë, mësova se po luftoja vetëm. E kuptova që burri im ishte larguar shumë kohë më parë. Kuptova që kam toleruar më shumë seç duhet. Sigurisht që unë ende e doja martesën time. Por unë doja një martesë që do të donte edhe burri im. Ishte gjatë kësaj ndarje të përkohshme, ku u detyrova të punoja dhe dy punë, kur takova një mashkull tjetër.
Si fillim, synimet e mia nuk ishin të bija në dashuri sërish. Në fakt, isha larg kësaj ideje. Pavarësisht buzëqeshjes që mbaja çdo ditë, isha shumë në depresion. Kisha humbur besimin në dashurinë dhe shpresën. Largova çdo njeri që donte vëmendjen time. Çdo njeri gënjente dhe donte vetëm një gjë në sytë e mi. Çdo njeri mendoja se përfundimisht do të më përdorte mua. Por jo Ai. Unë me të vërtetë nuk e kuptoja pse, por Ai ishte i veçantë në momentin që e pashë. Ai ishte shumë i sinqertë që në fillim dhe kjo e bëri pëlqimin shumë më të lehtë. Mbaj mend një ditë që flisja me Të dhe vura re sytë e tij. Ata më tërhoqën dhe unë duhej t’ja ndërprisja fjalën për ta komplimentuar. Por në mendjen time pashë shpirtin e tij, mendimet e tij, dëshirat e tij dhe dashurinë e mundshme. Deri në këtë pikë unë nuk kisha pranuar të lidhesha me këtë njeri që e dija se nuk mund të ishte kurrë i imi. Por ishte pikërisht në atë moment, u ndjeva viktimë e hijeshisë së Tij. Kam harruar të gjitha paralajmërimet e mëparshme, të vërtetën dhe realitetin, dhe kush isha në të vërtetë; një grua që ishte lënduar nga pabesia e burrit të saj. Sytë e tij më kapën dhe më mbajtën afër dhe më thanë se gjithçka do të ishte mirë.
Ai arriti të magjepsë qenien time me vëmendjen, budallallëkun, kujdesin dhe vëzhgimet e tij. Ai kuptoi ditët e mia të këqija ose kur më shqetësonte diçka. Ai dinte të thoshte gjërat e duhura për të rregulluar mendjen time. Më dha përsëri shpresë. Ai më ktheu besimin tim. Ai më bëri të besoj se ditët më të mira po vinin dhe ata po vinin duke përfshirë dhe Atë. Ai na konsideroi si grup bashkëpunues. Ishte diçka që kisha besuar gjithmonë për të pasur një lidhje të suksesshme. Ai gjithmonë fliste për të ardhmen tonë. Dhe kisha filluar ta shikoja aq qartë.
Sigurisht që kishte shumë herë, kur u ndjeva aq fajtore. Do të përpiqesha të largohesha prej Tij, por për disa arsye nuk munda. Ai më tha që e dinte se e doja dhe ai kishte të drejtë. Sa më shumë e luftoja, aq më shumë e doja Atë. Ai më donte aq shumë derisa harrova që kishte një grua. Edhe kur Ai ishte me të, Ai donte të sigurohej se unë akoma të ndihesha sikur të isha një pjesë e vlefshme e jetës së Tij. Isha e sigurt se ky njeri me të cilin po dashurohesha do të rregullonte gjithçka në një moment.
Shumë gra do të më urrejnë për veprimet e mia, por në fakt nuk pendohem më. Njerëzit vijnë në jetën tonë për shumë arsye. Dhe kur Ai erdhi tek unë, më gjeti të rrëzuar. Isha në depresion dhe ende doja një martesë me një burrë që e la martesën shumë kohë para se ai të largohej nga shtëpia jonë. Unë sigurohesha që familja që ai la të mbijetonte. Dhe unë e bëra këtë vetëm. Shkoja në shtëpi vetëm çdo natë. Po i kaloja ditët vetëm. Por kur tjetri erdhi në jetën time, Ai zgjoi përsëri shpirtin e lumturisë. Ai më zgjoi përsëri ëndrrat. Dhe për këtë unë gjithmonë do ta respektoj dhe do ta dua Atë. Por unë gjithashtu e doja Atë aq sa ta largoja kur të ishte koha e duhur. Kalova në një depresion për ca kohë, por pashë lumturinë e tij. Dhe përmes kësaj, unë pashë përsëri dashuri. Mund të mos jetë me burrin që doja, por më kujtoi se e kisha gjetur veten dikur dhe mund ta bëja përsëri.
Unë jam e lehtësuar që martesa e tyre nuk u prek. Unë doja që Ai të ishte i lumtur dhe nuk kishte rëndësi se çfarë duhej të bëja që kjo të ndodhte; edhe nëse kjo nënkuptonte pranimin e humbjes sime. Shumë do të mendojnë për mua si një shkatërruese shtëpie. Por kjo nuk ishte ajo që isha. E vërteta është se nuk ishte puna ime të respektoja martesën e tij. Ishte e Tij. Unë besoj se Ai ishte i pakënaqur me gruan. Unë besoj se Ai me të vërtetë donte të ishte me mua. Unë me të vërtetë besoj se Ai donte një të ardhme me mua, por unë, si dhe Ai, gjithashtu e dija që Ai tashmë kishte një familje dhe detyrime. Kam mësuar nga martesa ime e dështuar që ju nuk mund ta detyroni me forcë dashurinë. Mund të respektoni vetëm detyrimet. Unë e dija shumë mirë dhimbjen. Gjithësesi kjo ishte një histori që më bëri më të qetë, më rriti vetëvlerësimin dhe më ktheu tek fëmijët si një qënie e re me shumë energji. Ai e kishte kryer misionin e tij. Më rimëkëmbi.”
Historitë e dashurisë dhe tradhëtive tregojnë shpesh aspekte pozitive në një marrëdhënie, veçanërisht në rastet e personave të rritur mjaftueshëm dhe që mund të menaxhojnë ndjenjat e tyre.