Ndahen Çmimet Nobel, gratë nuk janë fituese në çmimet shkencore

Kjo është java e ndarjes së Çmimeve Nobel. Edhe këtë vit, për shkak të pandemisë, ceremonia madhështore është e ndaluar, dhe çmimet po ndahen me komunikime për shtyp nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.

Ditët janë të caktuara sipas kategorive të çmimeve duke filluar nga mjekësia dhe deri tek paqja. Nominimet janë të shumta për këtë vit. Për Çmimin Nobel për Paqe për 2021, ka 329 kandidatë, nga të cilët 234 janë individë dhe 95 janë organizata. Një nga vitet me kandidimet më të larta, pas 2016 me 376 kandidime për mimin e Paqës.

Në tre ditët e para të javës janë ndarë çmimet për zbulimet shkencore, por asnjë grua nuk u cilësua në çmimet shkencore. Në një intervistë për median CNN, Claes Gustafsson, një profesor në biokiminë mjekësore në Universitetin e Gothenburg dhe anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave u shpreh për këtë: “Ne po ftojmë më shumë gra të jenë nominuese. Është një punë e gjatë dhe strategjike. Ne ishim shumë të lumtur që patëm dy gra (fituan çmimin e kimisë) vitin e kaluar dhe me siguri do të kemi shumë gra në vitet që vijnë. Është një përparësi shumë e lartë për ne.”

Në vitin 2019, Komiteti Nobel u kërkoi kandidatëve të merrnin parasysh larmishmërinë në gjini, gjeografi dhe fushë, por atë vit vetëm burrat ishin midis fituesve për Nobelin e Shkencës. Në vitin 2020, tri grave në shkencë iu dha njohja Nobel shkruan CNN.

Por kandidaturat për femra nuk kanë munguar në kategoritë e tjera, si Letërsia dhe Paqja, ku femra shkrimtare, politikane dhe aktiviste janë nominuar së shumti.

Të hënën, në Solna të Suedisë, janë ndarë çmimet për Fiziologji dhe Mjekësi, ku fitues u shpallën David Julius dhe Ardem Patapoutian për zbulimet e tyre të receptorëve për temperaturën dhe prekjen.

Çmimi Nobel i këtij viti në Fizikë i jepet njëra gjysmë Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann “Për modelimin fizik të klimës së Tokës, përcaktimin e ndryshueshmërisë dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale” dhe gjysma tjetër Giorgio Parisi “Për zbulimin e ndërveprimit të çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike nga shkallët atomike në planetare”. Fituesit kanë hedhur themelet e njohurive tona për klimën e Tokës dhe sesi ndikon njerëzimi në të, si dhe kanë revolucionarizuar teorinë e materialeve të çrregullta dhe proçeseve të rastësishme.

Çmimi Nobel në Kimi iu dha Benjamin List dhe David W.C. MacMillan, dy shkencëtarë të nderuar për krijimin e “një mjeti gjenial për ndërtimin e molekulave” që ka ndihmuar në zhvillimin e barnave të reja dhe e ka bërë kiminë më të gjelbër.

Sot në Stokholm u dha Çmimi Nobel i Letërsisë. Çmimi Nobel në Letërsi 2021 i jepet shkrimtarit nga Zanzibari, Abdulrazak Gurnah “për depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në gjirin midis kulturave dhe kontinenteve”. Të preferuarit e këtij viti përfshijnë Ngugi wa Thiong’o të Kenias, shkrimtaren franceze Annie Ernaux, autorin japonez Haruki Murakami, Margaret Atwood të Kanadasë dhe shkrimtaren antiguano-amerikane Jamaica Kincaid. Ndër kandidatët e shumtë është shkrimtari shqiptar i nominuar prej kohësh Ismail Kadare.

Të premten me datë 8 Tetor dhe të hënën me datë 11 Tetor do të jepen Çmimet Nobel përkatësisht në fushat e Paqes dhe Shkencat Ekonomike.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here