8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, në një vend pa të rinj

8 Dhjetori është Dita Kombëtare e Rinisë, një moment që duhet të festojë energjinë, shpresën dhe kurajon e brezit të ri shqiptar. Por në Shqipërinë e sotme, kjo ditë tingëllon gjithnjë e më shumë si një ironi e hidhur. Rinia po largohet masivisht nga vendi, duke e kthyer këtë datë në një përkujtim të asaj që mund të ishte, në vend të një reflektimi mbi atë që është.

Sipas analizave të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), të rinjtë shqiptarë po largohen nga vendi jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për shkak të zhgënjimit të thellë me sistemin politik dhe shoqëror. Në vitin 2022, 46,460 shqiptarë emigruan, një rritje prej 10.5% krahasuar me 2021, dhe shumica ishin të rinj. Ndërkohë, një sondazh tregon se 71% e të rinjve kanë në planet e tyre afatshkurtra ose afatmesme largimin nga Shqipëria.

Kjo valë emigrimi ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm te popullsia rinore e vendit. Vetëm në katër vitet e fundit, popullsia e të rinjve (14-29 vjeç) ka rënë me 2.5%, duke përforcuar një prirje alarmante të tkurrjes demografike.

Demokracia në krizë

Largimi masiv i të rinjve nuk është thjesht një çështje ekonomike; është një kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë shqiptare. Të rinjtë janë zakonisht motorët e ndryshimit, të angazhuar në çështjet shoqërore dhe politikën, por kur ata largohen, një pjesë thelbësore e zërit demokratik të vendit humbet.

Demokracia në Shqipëri po dobësohet, jo vetëm për shkak të korrupsionit dhe keqmenaxhimit, por edhe për shkak të mungesës së një rinie që kërkon llogari. Largimi masiv i tyre krijon një vakum që plotësohet nga një sistem klientelist, ku patronazhi dhe lidhjet politike zëvendësojnë meritokracinë dhe angazhimin qytetar.

Pse ikin të rinjtë?

Arsyet e emigrimit janë të shumta dhe shqetësuese duke filluar nga papunësia e të rinjve me një shifër prej 27.9%, mungesa e sistemit arsimor që përgatit të rinjtë, e duke vazhduar me standardin e ulët të jetesës dhe korrupsionin e nepotizmin.

Në këtë kontekst, Dita Kombëtare e Rinisë duket si një festë boshe. Politikanët mbajnë fjalime dhe organizojnë aktivitete që nuk rezonojnë me realitetin e të rinjve. Si mund të festohet rinia, kur shumica dërrmuese po largohet ose po lufton për mbijetesë në një sistem që nuk u ofron as mundësi, as perspektivë?

Nëse ky trend nuk ndalet, Shqipëria rrezikon të humbasë jo vetëm një brez të artë, por edhe të ardhmen e saj. Disa masa urgjente që duhet të ndërmerren për të kthyer këtë situatë janë reformimi i arsimit, nxitja e sipërmarrjes, lufta kundër korrupsionit dhe mbështetja financiare e të rinjve.

Thirrje për reflektim

Është e lehtë të fajësojmë rininë për pasivitetin e saj. Por e vërteta është se një brez i ri nuk mund të lulëzojë në një mjedis që e shtyp, që nuk i ofron mundësi dhe që nuk i jep një arsye për të besuar.

8 Dhjetori duhet të jetë një ditë reflektimi dhe zgjimi, jo thjesht një ditë pushimi. Nëse nuk investojmë te të rinjtë, nëse nuk krijojmë mundësi për ta dhe nëse nuk i frymëzojmë për të besuar te fuqia e ndryshimit, atëherë kjo ditë do të mbetet thjesht një kujtim i largët i 34 viteve më parë, ku studentët u ngritën kundër regjimit komunist.

Le të mos festojmë më një Ditë të Rinisë pa të rinj. Le ta kthejmë këtë ditë në një thirrje për t’u angazhuar, për të sfiduar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një Shqipëri ku askush nuk ndihet i detyruar të largohet. Ndryshimi fillon me një zë, me një akt të vogël rebelimi, dhe mbi të gjitha, me shpresën se mund të bëjmë më mirë.

 

Ky është një qëndrim personal nga Xh.B, redaktore kontribuese në mendimi.al. Opinioni i shprehur nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet zyrtare të platformës. 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here