back to top
Monday, November 2, 2026
21.8 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Intervistë me Greta Dishën: Deklarata e përbashkët e KAPU në lidhje me ”The Albanian Files”

Publikimi i librit “The Albanian Files”, i cili ekspozon projektet e 61 studiove të huaja në Shqipëri duke përjashtuar tërësisht ekspertizën vendase, ka shërbyer si një pikë kthese për komunitetin e planifikuesve shqiptarë. Ky vëllim e zhveshi fasadën e zhvillimit urban, duke zbuluar një sistem të centralizuar ku hapësira publike trajtohet si një kanavacë ekskluzive e pushtetit dhe ku procedurat e hapura anashkalohen përmes komunikimeve informale.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij margjinalizimi sistematik, arkitektët dhe urbanistët kanë tejkaluar reagimet sporadike duke u bashkuar në një organizim konkret të quajtur KAPU, ose Komuniteti i Arkitektëve, Planifikuesve dhe Urbanistëve. Ky formësim institucional nuk është thjesht një akt rezistence, por një përpjekje thelbësore për të rikthyer meritokracinë, për të kërkuar decentralizimin e vendimmarrjes dhe për t’i kujtuar shoqërisë se e drejta mbi administrimin e territorit u përket qytetarëve dhe profesionistëve që e jetojnë atë. Intervista që vijon hedh dritë pikërisht mbi këtë rrugëtim të domosdoshëm profesional dhe qytetar.

Çfarë ju shtyu konkretisht të dilnit me një deklaratë publike kundër Albanian Files? Çfarë janë Albanian Files në sytë tuaj?

“The Albanian Files – Freedom and Architecture” është një publikim nga “Lars Müller Publishers”, një shtëpi botuese zvicerane, në të cilën paraqiten projektet e 61 studiove arkitekturore ndërkombëtare në Shqipëri, projekte që datojnë prej vitit 2000, disa prej tyre të ndërtuara e disa në pritje për tu ndërtuar. Bie në sy që asnjë prej këtyre studiove nuk është shqiptare. Pra, shohim një sistem përjashtues të ekspertëve vendas. Shpesh këto studio ftohen me një telefonatë ose mesazh në instagram nga vetë kryeministri, duke tejkaluar çdo hallkë të një procesi normal projektimi për objekte me karakter publik.

Për ne, ky publikim është dëshmia e një sistemi që flak profesionistin shqiptar jashtë e nuk e lejon të projektojë territorin e vet. Duke marrë parasysh që universitet shqiptare nxjerrin mbi 200 arkitektë, planifikues urban dhe urbanistë në vit, pyetje e natyrshme është përse këtyre profesionistëve nuk ju jepet mundësia të ushtrojnë profesionin në vendin e tyre?!

Albanian Files po ashtu është një shprehje e qartë e centralizimit dhe arrogancës së pushtetit. Projektet e paraqitura në të shpesh duken sikur kryeministri luan “lego” mbi territorin shqiptar. Duket se thellë brenda vetes kjo gjë e argëton e madje do të kishte dashur që si profesion të parë të kishte arkitekturën. Po ashtu në titull thuhet “Liri dhe arkitekturë”, e vetmja liri që paraqitet në këtë botim është liria e kryeministrit për të bërë çfarë të dëshirojë me territorin dhe nëse flasim për arkitekturë është dukshëm një arkitekturë që edhe në përmasa është një okupatore e mjedisit, e cilat justifikohet nën emrat e mëdhenj të arkitektëve ndërkombëtarë.

Kjo ishte shtysa që ne të vinim me një deklaratë, si qëndrim i joni i parë zyrtar.

Pse zgjodhët një deklaratë kolektive dhe jo reagime individuale? Kush e inicioi dhe si u vendos për përmbajtjen e saj?

Rrugëtimi për tek deklarata nisi përgjatë takimeve të zhvilluara. Shumë prej nesh ishin përballur me pyetjen «Ku janë arkitektët?», pasi vërehej mungesa e tyre në protestë. Si përgjigje ndaj kësaj pyetje, plotësisht të drejtë në këtë situatë lindi ideja e parë që ishte pjesëmarrja jonë si grupim në protestë me pankartën «Arkitektët janë këtu». Po ashtu lindi ideja e deklaratës, e cila është përpiluar me pjesëmarrjen e te gjithë anëtarëve të grupit, në një proces shumë demokratik. Secili shtonte komentet dhe parashtronte idetë dhe gradualisht u arrit forma e saj finale. Përsa më sipër i gjithë grupi ra dakort për një reagim kolektiv. Natyrisht që deri në ato momente kishte patur plot reagime individuale nga anëtarë të grupit në platforma të ndryshme, por deklarata erdhi si zë i joni i përbashkët.

Cilat janë problemet aktuale në fushën tuaj? Cilat janë kërkesat tuaja kryesore?

Problemet në fushën e ndërtimit janë të panumërta duke nisur nga si projektohet, kush i merr vendimet, ekzisteca e një tregu kaotik.

Shumica e projekteve, siç paraqitet edhe në “Albanian Files” konceptohen nga studio të huaja, të cilat nuk përzgjidhen nëpërmjet një konkursi ose procedure publike. Këto studio bashkëpunojnë me studio vendase të cilat janë implementueset e projekteve. Nëse flasim për bashkëpunim dhe shkëmbim ekpertize duhet të ketë një formë të rregulluar, jo “skllevër” dhe “padronë” siç ndodh aktualisht.

Kërkesat tona kryesore janë: Trajtimi i terrorit me ndjeshmërinë dhe respektin që i takon, decentralizim i vendimarrjes për vendimet që lidhen me territorin. Përfshirja e profesionistëve vendas në vendimarrje dhe sigurimi i një tregu me kushte të barabarta me profesionistët e huaj.

Si arritët të bëni bashkë një numër kaq të madh profesionistësh arkitektë e urbanistë? A ka edhe të tjerë, por që nuk duan të shfaqen me emër? Nëse po, pse mendoni ata nuk shfaqen?

Mendoj se ideja e krijimit të një poli profesionistësh është një mendim që ka fjetur në mendjet dhe zemrat e shumë arkitektëve, urbanistëve e planifikuesve prej kohësh.

Kësisoj kësaj thirrje ju bashkuan menjëherë profesionistë që zhvillojnë karrierën brenda trojeve shqiptare dhe jashtë saj.

Patjetër që po, ka shumë kolegë që na kontaktojnë privatisht, na përgëzojnë për iniciativën dhe shprehin pamundësinë për të na u bashkuar pasi janë të punësuar nëpër institucione shtetërore dhe ju rrezikohet vendi i punës, ose nëpër studio private dhe rrezikojnë të mos ju aprovohen aplikimet për leje nëse shfaqen publikisht.

A është Revolucioni Flamingo një lëvizje kundër qeverisë aktuale apo një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si funksionon sistemi politik në Shqipëri?

Në optikën time Revolucioni Flamingo është lëvizja qytetare më e madhe dhe më e jashtëzakonshme që ka ndodhur ndonjëherë në trojet tona. Është një përpjekje për një Shqipëri ku dëgjohet zëri i qytetarit, ku funksionon drejtësia, meritokracia, ku qytetari ndihet i denjë dhe i respektuar në vendin e vet, realitet të cilin nuk ja ka ofruar asnjë prej sistemeve politike të deritanishme.

Nëse nesër qeveria do të ndryshonte, por sistemi dhe praktikat politike do të mbeteshin të njëjta, a do ta konsideronit revolucionin të suksesshëm?

Nuk do ta konsideroja të sukseshëm. Vetë fjala “Revolucion” – ndryshim i thellë dhe rrënjësor, do të thotë se jemi duke kërkuar ndryshime rrënjësore në strukturën politike. Sistemi dhe struktura çedon në shumë pika. Prandaj duhet një ndryshim që i jep zgjidhje këtyre problematikave.

A ka njerëz brenda lëvizjes që kanë ambicie për t’u kthyer më pas në aktorë politikë?

E bukura e këtij grupimi është që ka anëtarë që kanë bindje të majta, të djathta, disa prej tyre janë pjesë e partive politike të ndryshme në vend, por të gjithë bashkohemi në një pikë: Interesi mbi territorin.

Besoj se mund të ketë anëtarë të cilët kanë ambiecie për tu kthyer më pas në aktorë politikë, por kjo gjë nuk përbën shqetësim për mua përsa kohë është e qartë se ky grupim është teknik dhe jo politik.

Cili është mekanizmi përmes të cilit mendoni se këto kërkesa mund të realizohen institucionalisht?

Kërkesat tona synojnë të përkthehen në masa konkrete përmes një procesi të strukturuar dialogu dhe bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për planifikimin, zhvillimin dhe administrimin e territorit.

Ne propozojmë që, pas formalizimit të kërkesave dhe prioriteteve të grupit, ato t’u paraqiten institucioneve përkatëse përmes takimeve zyrtare, konsultimeve publike dhe propozimeve konkrete për ndryshime në kuadrin ligjor, rregullator dhe procedural.

Njëkohësisht, kërkojmë krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm konsultimi ku përfaqësues të profesionistëve të territorit të kenë një rol aktiv në proceset vendimmarrëse që lidhen me arkitekturën, urbanistikën dhe zhvillimin territorial.
Qëllimi nuk është vetëm të shprehim kundërshtime, por të ndërtojmë alternativa professionale dhe të krijojmë mekanizma institucionalë që garantojnë transparencë, përgjegjshmëri dhe pjesëmarrje reale të komunitetit profesional në vendimmarrje.

Artikujt më të klikuar