Emmanuel Macron mposht Marine Le Pen dhe fiton mandatin e dytë si president francez

Rezultati ishte një lehtësim për aleatët në Evropë dhe Uashingtonin, të kujdesshëm ndaj një sfiduesi të ekstremit të djathtë, i cili ishte armiqësor ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Rmmanuel Macron fitoi një mandat të dytë si president i Francës, duke triumfuar të dielën mbi Marine Le Pen, sfiduesen e tij të ekstremit të djathtë, pas një fushate ku premtimi i tij për stabilitet mbizotëroi mbi tundimin e një balte ekstremiste.
Projeksionet në mbyllje të votimit, të cilat përgjithësisht janë të besueshme, treguan se z. Macron, një centrist, fitoi 58.5% të votave ndaj 41.5% të zonjës Le Pen.  Fitorja e tij ishte shumë më e ngushtë se në vitin 2017, kur diferenca ishte 66.1%  kundrejt 33.9% për znj. Le Pen, por më e gjerë se sa dukej dy javë më parë.
Duke folur para një turme të grumbulluar në Champ de Mars përballë Kullës Eiffel që vezullonte, zoti Macron tha se fitorja e tij ishte një fitore për “një Francë më të pavarur dhe një Evropë më të fortë“.  Ai shtoi: “Vendi ynë është i mbushur me kaq shumë dyshime, kaq shumë ndarje.  Do të duhet të jemi të fortë, por askush nuk do të mbetet në anë të rrugës”.
Zonja Le Pen pranoi humbjen në përpjekjen e saj të tretë për t’u bërë presidente, por kritikoi ashpër “metodat brutale dhe të dhunshme” të zotit Macron, pa shpjeguar se çfarë donte të thoshte.  Ajo u zotua të luftojë për të siguruar një numër të madh përfaqësuesish në zgjedhjet legjislative në qershor, duke deklaruar se “francezët kanë treguar këtë mbrëmje dëshirën e tyre për një kundërfuqi të fortë ndaj Emmanuel Macron“.  Në një moment kritik në Evropë, me luftimet që janë ndezur në Ukrainë pas pushtimit rus, Franca hodhi poshtë një kandidat armiqësor ndaj NATO-s, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe ndaj vlerave të saj themelore që thonë se asnjë qytetar francez nuk duhet të diskriminohet  sepse janë myslimanë.
Jean-Yves Le Drian, ministri i Jashtëm, tha se rezultati pasqyronte “mobilizimin e popullit francez për ruajtjen e vlerave të tyre dhe kundër një vizioni të ngushtë të Francës”.
Francezët në përgjithësi nuk i duan presidentët e tyre dhe asnjëri nuk ka arritur të rizgjedhet që nga viti 2002, e lëre më me një diferencë prej 17 pikësh.  Arritja e pazakontë e zotit Macron në sigurimin e pesë viteve të tjera në pushtet pasqyron kujdesin e tij efektiv mbi krizën Covid-19, rindezjen e tij të ekonomisë dhe shkathtësinë e tij politike për të pushtuar të gjithë qendrën e spektrit politik.
Burimi: The New York Times
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here