Europa ul çmimet e apartamenteve, Tirana shtrenjton edhe periferinë

Vendet e Bashkimit Evropian kanë parë rënie të çmimeve të apartamenteve duke filluar që nga tremujori i fundit i vitit 2022. Çmimi mesatar i apartamenteve ra me 1.7% në Eurozonë dhe 1.5% në BE, krahasuar me tremujorin e tretë të vititi 2022. Sipas Eurostat kjo është rënia më e madhe tremujore në Eurozonë që nga tremujori i katërt i vitit 2018 dhe që nga tremujori i pare i vitit 2009 për BE-në.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Tiranën pasi gjatë 2022 çmimet e apartamenteve vijuan tendencën e tyre rritëse. Çmimi i pasurive të patundshme për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 në Tiranë, rezultoi 28.4% më shtrenjtë se gjashtëmujori i dytë i vitit 2021.

Duket se tendenca e rritjes së çmimeve vazhdon edhe për këtë vit. Zonat periferike, si zona e Freskut ka rritur çmimin e apartamenteve me 14%, ku çmimi aktual është 800 euro për metër katror. Zona e Komunës së Parisit ka arritur 2,200 euro për metër katror, ndërsa zona e ish-Bllokut deri në 3,500 euro për metër katror për ndërtimet e reja.

Sipas disa aktorëve të tregut, rritja e çmimeve në kryeqytet ndikohet nga flukset e parave informale. Ndërtuesit kanë paralajmëruar rritje të çmimeve nëse miratohet aministia fiskale, pasi kryesisht emigrantët me të ardhura informale do të jenë blerësit kryesorë të apartamenteve.

Gjatë vitit 2022, si pasojë e rritjes së ndërtimeve, ka pësuar rritje dhe sektori i pasurive të paluajtshme me 11.21% sipas INSTAT, duke u bërë sektori me rritjen më të lartë. Në vlerë, ndërtimet kanë arritur nivelin rekord prej 1.7 miliardë euro, ndërsa pasuritë e paluajtshme mbi 1 miliardë euro.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here