Gentjan Shaqiri ka shkruar historinë për motorsportin shqiptar duke u shpallur Kampion Evrope në FIA CEZ (Zona Sportive e Evropës Qendrore), në kategorinë më të lartë, D/E2-SS, në disiplinën Hill Climb. Ky është suksesi më i madh deri më tani për një pilot shqiptar në garat ndërkombëtare të automobilizmit, duke vendosur një standard të ri për motorsportin në Shqipëri.
Shaqiri përfundoi sezonin në krye të renditjes me 97 pikë, duke mposhtur Laszlo Szasz, kampionin e pesë viteve të fundit, i cili grumbulloi 75 pikë. Përfaqësuesini “Naçut Racing Team” jo vetëm që tregoi aftësi të jashtëzakonshme në timon, por edhe një përkushtim të madh, duke arritur një sukses historik që pasqyron përpjekjet e tij dhe mbështetjen e ekipit.
Në garën finale të sezonit, të zhvilluar në St. Agatha të Austrisë, Shaqiri ruajti pozicionin e tij si kryesues i kampionatit, duke u renditur i dyti në kategorinë e tij dhe i katërti në klasifikimin e përgjithshëm të Formula. Ky rezultat konfirmon se Shaqiri ka arritur një nivel të lartë në garat evropiane dhe ka shkruar një kapitull të ri për motorsportin shqiptar.
Arritja e Shaqirit tregon se me vullnet, përkushtim dhe mbështetje, pilotët shqiptarë mund të ngjiten në nivelet më të larta të garave ndërkombëtare. Fitorja e tij shërben si frymëzim për të gjithë ata që ndjekin pasionin e tyre në këtë sport sfidues dhe kërkues.