back to top
Wednesday, June 24, 2026
29.7 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Kërkesat e protestuesve të Revolucionit Flamingo

Një lëvizje qytetare e mbajtur gjallë për më shumë se tre javë në shesh ka arritur në një pikë kthese, duke u përpjekur të kalojë nga faza e manifestimit të pakënaqësisë në atë të artikulimit të një vizioni shtetformues. Dokumenti i prezantuar nga grupi koordinues i protestës nuk përfaqëson thjesht një reagim emocional të momentit, por një përpjekje për të rishkruar rregullat e lojës politike dhe institucionale në vend. Duke kërkuar një shkëputje të plotë nga status quo-ja, kjo platformë synon t’i japë përgjigje një krize të thellë besimi mes të qeverisurve dhe qeverisësve, një krizë që tashmë kërkon zgjidhje përtej rotacionit të zakonshëm elektoral.

Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë politike për të sqaruar protestuesit, si dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht në shesh, qoftë ata që na mbështesin me zemër dhe mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

  1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
  2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
  3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
    • Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
    • Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
    • Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
  4. Paralelisht, kërkojmë:
    • Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
    • Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
    • Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
    • Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
  5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre.

Artikujt më të klikuar