Intervistë me Najadën, sipërmarrësen shqiptare në Paris: Ja si ndjehemi sot!

Najada Musa shkoi në Paris përpara 3 viteve. Pas viteve të punës në një nga bankat e suksesshme në Shqipëri, Najada vendosi të provojë në mënyrë shumë kurajoze sipërmarrjen larg atdheut, në Paris, ku krijoj markën e saj të bizhuterive me emrin ‘‘9 Muses’’.

E kontaktuam Najadën për të marrë më shumë informacion dhe përshtypje për situatën në Paris, në këto ditë izolimi për shkak të COVID-19, dhe bëmë me të këtë intervistë të shkurtër.

Si është situata në Paris?

Është fiks siç na thanë: “Luftë me një armik të padukshëm”. Nuk dëgjojmë të shtëna, armë, por ndjejmë panikun, kemi izolimin dhe jemi të varur nga lajmet. A nuk ndodhte kështu në luftë? Të gjithë rrinin pranë radios të dëgjonin se sa ishin vrarë një ditë më parë dhe në çfare fronti ishte lufta. Tani kemi teknologji më të avancuar dhe armiq më të avancuar gjithashtu, ata janë të padukshëm, janë virus.

Si po e kaloni diten ju dhe familja juaj?

Aktiviteti më artistik që bëjmë gjatë ditës është të dalim në ballkon në orën 20:00 çdo mbrëmje, për të duartrokitur të gjithë ata heronj që luftojnë në spitale. Çdo mbrëmje duartrokasim për rreth 10 minuta dhe çdo mbrëmje më mbushen sytë me lot.
Kjo është dita e 6-të e izolimit dhe nuk jam mërzitur ende, sepse jeta në përditshmëri në Paris është shumë e gjatë dhe e zhurmshme. Të rrimë në shtëpi gjithë ditën, është diçka që pothuajse nuk e kemi bërë asnjëherë. Prandaj po shfrytëzojmë këto ditë për të qëndruar në familje, për të parë filmat që gjithmonë do të donim të shihnim por s’kishim kohë, të gatuajmë me bashkëshortin apo të luajmë me djalin tonë 8-muajsh. Gjithashtu, po rikrijojmë lidhjet me njerëzit që na rrethojnë. Flasim me miq dhe të afërm dhe nuk ka më pyetje ‘‘Si kaluat me pushime?’’ apo ‘‘si ishte shfaqja mbrëmë në teatër ?’’. Tani pyesim ‘‘Si jeni me shëndet ?’’ dhe flasim më shumë në planin human. Ky virus çdo ditë dhe po na bën njerëz më të mirë.

Si ndjehen njerëzit atje në Paris?

Shumica janë të frikësuar dhe ndjehen të pasigurtë. Si shumica e njerëzve sot.
Të gjithë mbyllen punët ditën e premte, lamë shënimet në bllokun tonë për punët që do kryenim të hënën që do të riktheheshim në punë. Dhe nuk u rikthyem. Çdo gjë ndaloi.
Dhe të ndalojë aktivitetin një qytezë e vogël me 10 mijë banorë nuk është njësoj si Parisi me 12 milion banorë kur ndalon aktivitetin me një buton. Kjo krijoi panik, konfuzion dhe frika ishte gjithmone me ne në zemër.
Pas pothuajse një jave, mendoj se njerëzit janë të ndërgjegjësuar, të kujdesshëm dhe në pritje që e gjithë kjo të mbarojë dhe ti rikthehemi normalitetit.


Çfarë po bëhet në Paris me biznesin? E dimë që ju keni një dyqan atje…

Une kam pothuajse dy vite një dyqan në Paris të quajtur ‘‘9 Muses Paris’’ me bizhu dhe aksesorë mode. Tani, përveç farmacive dhe supermarketeve, çdo aktivitet tjetër është i mbyllur. Fatmirësisht po bëjmë shitje me porosi me klientët ekzistues të dyqanit dhe me me instagramin @9musesparis. Ndërkohë këto ditë do të dalim dhe online me faqen tonë www.9musesparis.com.

Qeveria ka njoftuar se nuk do të paguajmë asnjë shpenzim mujor. Do të subvencionohen punonjësit dhe bizneset në mënyrë që të mos ketë të falimentuar. Paketa është ende në përgatitje dhe varet edhe nga jetëgjatësia e situatës. Kjo granaci nga shteti na jep qetësi që ta përdorim kohën për të punuar online.

Çfarë mendimi ke personalisht për këtë situatë?

Po përjetojmë ditë konfuze. Në mënyrë të menjëherëshme u mbyllën shkollat, bizneset, zyrat, u anulluan fluturime, koncerte, ndeshje futbolli dhe gjithë planeti u mbyll në shtepi.

Duke qenë se nuk e dimë sa kjo situatë do të zgjasë dhe sa gjatë njerëzit do duhet të rrinë brenda dhe duke patur parasysh që shumica e punëve nuk kryhen plotësisht mirë nga distanca, mendoj se do përjetojmë një krizë ekonomike.

Prandaj “lufta” bëhet që çdo pasojë e keqe të minimizohet, sa më pak njerëz të preken dhe kjo do kërkojë më pak shpenzime dhe masa të rrepta për tu përballuar. Prandaj duhet të rrimë në shtëpi dhe të bëjmë durim.

Le të lutemi që sa pak njerëz të preken nga ky virus dhe të gjithe ti kthehemi normalitetit por duke mos harruar asnjëherë mësimet e këtyre ditëve: Jeta është e bukur kur jemi të bashkuar, kur kujdesemi për veten dhe të tjerët!

Duket sikur koronavirusi ka një mësim urgjent për të na dhënë, por nuk e di sa ne jemi të aftë për ta degjuar…

Më poshtë disa foto nga vendet zakonisht më të populluara të Parisit, totalisht bosh sot datë 21 Mars 2020.


/mendimi.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here