Ku “ngec” PD-ja ?

Pas 6 vitesh në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha është përpjekur ta pozicionojë  veten në politikë si lider me tipare europiane, pa egzagjerime në sjellje dhe i formatit perëndimor ku karakteristika më tipike është thirrja për kufizimin e pushtetit dhe mungesa e tipareve orientale autokratike.

Pas 6 vitesh në krye të Partisë Demokratike ai ka bërë disa beteja jo vetëm me kundërshtarin politik, por edhe me kundërshtarët brenda partisë që drejton.

Të sapo dalë nga pushteti në 2013, pas dorëheqjes së Sali Berishës, pretendentët për ta pasuar “doktorin” ishin të shumtë. Pretendimet u bënë të dukshme më vonë sa herë Lulzim Basha sulmohej nga brenda partisë.

Në vitet e para të opozitës, 2013-2015, Partia Demokratike u la e shkretë. Shumë nga drejtorët dhe përfituesit e pushtetit të “doktorit” u tërhoqën për të shijuar qetësisht çfarë kishin mbledhur. Të tjerë vazhduan të qëndronin në poste në administratë si aksionerë të përhershëm. Në një moment të tillë zbrazëtie, Lulzim Basha hodhi hapin e parë drejt promovimit të figurave të reja duke lançuar 24 koordinatorë kombëtarë të cilët i quajti si pasuri kombëtare. Koordinatorët kombëtarë ishin figura të reja me CV shumë të mira në fusha të ndryshme.

Humbja e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës në 2015-tën, krijoi më shumë lëvizje në PD, ku një pjesë e mirë e stafit të bashkisë pasi la detyrën u drejtua nga partia për të marrë role të reja. Ata ishin pretendentët kryesorë që dëshironin të zëvendësonin “të vjetrit” në PD. Nga ana tjetër, figurat e reja të sapo promovuara, ishin një rrezik eminent për pretendentët e rinj.

Në këto kushte të brendëshme duhet ta drejtonte Lulzim Basha Partinë Demokratike; mes betejës së heshtur të senatorëve, pretendentëve dhe të rinjve.

Vetëkuptohet që në 2015 më të dobëtit ishin ata më të rinjtë të cilët pushtetin e njihnin fare pak.

Në 2019, pas 4 vitesh, shohim që lojën politike të PD e drejtojnë ish-pushtetarë të para 2013-tës. Ish zëvendës ministra, ish ministra, ish-drejtorë, etj.

Duket se Lulzim Basha ka humbur kohë në betejat e brendëshme të partisë duke mos i lënë hapësirë rritjes së figurave që nuk kanë lidhje me pushtetin e vjetër. Nuk ka patur kohë, nuk ka mundur apo nuk ka dashur, kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është të kuptohet që PD ka nevojë për linja të reja të përfaqësimit brenda partisë jo thjesht duke u vënë emrin diku personave specifikë, por duke i angazhuar dhe fuqizuar në kapacitet të plotë. PD duhet të kuptojë se nese nuk rritet, nuk fiton. Pikërisht këtu “ngec” PD-ja, grupimet e të cilës përpiqen të ruajnë pozicionet e tyre të ngushta, ndërsa nevoja e liderit për të qenë fitues janë lëvizjet për zgjerimin dhe modernizimin e partisë. /mendimi.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here