Sonila Meço mbi shqiptarët dhe Afganistanin

Gazetarja Sonila Meço ka bërë një reagim mbi situatën në Afganistan të cilin e ka publikuar në faqet e saj në rrjetet sociale. Ajo shkruan:

”Ajo e Afganistanit është një histori e dështimit të përsosur prej korrupsionit dhe përfitimeve marramendëse prej tij. Nga vendas e të huaj.

Në Shqipëri, kjo fjalë prej përdorimit të shpeshtë ka krijuar fenomenin psikologjik të ngopjes semantike, thënë thjesht: përsëritja e vijueshme e një fjale bën që ajo të humbasë thelbin për dëgjuesin, që më pas përfton vetëm tinguj të pakuptimtë. Korrupsioni shoqëroi një luftë, që nisi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit (për pak ditë mbushen plot 20 vjet).

Do bie edhe unë në përsëritje duke i shtuar nga një gllënkë “ngopjes semantike” të shqiptarëve me fjalën “korrupsion”, por është ekzaktësisht ai, që riktheu Talebanët me lehtësi të papërballueshme në pushtet.
Korrupsion i furnizuar edhe nga tregëtia e pakontrolluar e drogës, opiumit, mobilizimi i miliarda dollarëve (gati një trilion), në projekte të pafundme jo efektive për misionin e deklaruar, ndërtimin e demokracisë.

Pse u intereson shqiptarëve dhe nuk vlen një groshë cinizmi me analizat nga një vendth i vogël në juglindje Europe për çfarë ndodh në anën tjetër, në Lindjen e Mesme?

E para, sepse na thirrën në vëmendje duke zgjedhur Shqipërinë si vend strehimi të sigurt për afganët, që bashkëpunuan me forcat aleate. Do të bashkëjetojmë me ta, si me muxhahedinët, do të integrohen në jetën tonë dhe në kushte transparence minimale të gjithë do të rreken të kuptojnë, spekullojnë, konspirojnë. Në vendin ku askush nuk pyetet. Askush nuk dëgjohet.

E dyta, sepse ishim pjesë e Koalicionit Antiterror, me qëllimin e mirë të nisjes së një lufte të drejtë, duke kontribuar me njerëz e mjete në luftën në Afganistan. Pa ngurimin më të vogël. Të gatshëm e dinjitozë, komando, bij nënash, baballarë e njerëz të mirë shqiptarë iu dhanë pa asnjë hezitim, rrezikuan jetë një lufte të egër për të bërë botën më të sigurt nga terrorizmi.

E treta, sepse aleati ynë më i madh strategjik, SHBA vendosi tërheqjen nga Afganistani duke shënuar disfatë pas dy dekadash përpjekjeje. Dhe kur aleati strategjik, të cilit i beson edhe procese të rëndësishme shtet-ndërtuese në vend, tërhiqet nga një betejë për eksportim demokracie në një vend tjetër të gërryer korrupsioni, kjo e trondit jo pak perceptimin mbi të ardhmen afër teje. Pse mos dështojmë edhe ne?

E katërta, sepse pamjet e tmerrshme të ikjes së çartur me avionë të tejmbushur, me mjete të çdo mënyre të njerëzve të lebetitur nga triumfi i talebanëve ngacmojnë kujtesën kolektive të një vendi dërrmuar nga emigracioni masiv.

E pesta, sepse prek ndjeshmërinë njerëzore ideja e grave dhe vajzave të rrezikuara nën një regjim, që u mohon të drejtat për shkollim e punësim, që i ndëshkon nën ligje të rrepta dhe ekstremiste. Teksa i sheh të braktisura, me fëmijë që i ndjekin nga pas të çoroditur kur baballarët ikin nga sytë këmbët drejt së panjohurës të ligështon ideja se sa thjesht rrezikohet jeta, liria e siguria edhe kur ke një koalicion shtetesh të fuqishme me miliarda dollarë, që investohen prej dekadash për mbrojtjen e tyre.

E gjashta, sepse edhe qëllimet më të mira, të angazhimeve me mijra ushtarë, mijra OJF, me miliarda dollarë mund të jenë duke luftuar armikun e gabuar në mënyrë të gabuar. Dhe në fund të ditës, populli i thjeshtë paguan. Elitat janë sidoqoftë të shpëtuara. Në Shqipëri janë hedhur shumë para në tre dekada me asistencë teknike, projekte; ndërkombëtarëve u janë besuar reforma thelbësore shtetare, e megjithatë korrupsioni majmet. E kur majmet korrupsioni, thotë tashmë historia, triumfojnë talebanët.

E shtata, sepse Afganistani konsiderohej laboratori i mirfilltë eksperimental për eksportimin e liberaldemokracisë. Një formulë që në doza më të vogla i është ofruar Shqipërisë, që ende pas tre dekadash nuk bën dot një palë zgjedhje të ndershme. Dështimi në Afganistan krijon dyshime të forta në Shqipëri, aq më tepër kur establishmentet janë gjithsesi të shpëtuarit e mëdhenj. Ata u pasuruan në Afganistan, atyre iu la dorë e lirë për korrupsion, ata u shpëtuan më të parët. Dhe hendeku mes popullit dhe elitës qe rezultat i qartë i këtij eksperimenti afgan.

E teta, sepse ende analiza nuk ka përgjigje shteruese për tërheqjen nga Afganistani, për kulisat pas një ngjarjeje të ndërlikuar ku pështillen interesa të shumë fuqive. Kina po planifikon investime gjigande, Pakistani, Irani e fqinjë të tjerë me konflikte të trashëguara e kufij të përgjakur, por edhe i gjithë rajoni ndikohen fort nga rokada afgane. Që do të thotë një dështim me një regjim në një vend, korrupsioni masiv dhe konfliktet e bartura e të lëna pezull, sjellin pasoja për gjithë kontinentin. E fitilat janë kaq të ekspozuar kësaj here, ndërsa fuçitë e barutit plot. Rajon me aromë ende të freskët baruti jemi.

Për këto e shumë arsye të tjera, që lidhen edhe me sindroma të ngjashme të flasësh e analizosh për Afganistanin nga Shqipëria nuk është sport popullor, as snobizëm. As terezi e soditjes prej facebook-u.
Shqipëria është vend eksperimental dhe si i tillë asnjë “incident” laboratori nuk mund të kalojë me qesëndisjen e zakonshme të kavies.
Shumë mirë që njerëzit mendojnë, analizojnë, rreken të kuptojnë e të formohen duke vrarë apatinë në një gjiriz korrupsioni.”

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here