Evropa po përjeton një pasiguri të madhe për shkak të bisedimeve mes SHBA-ve dhe Rusisë. Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar zërat për një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Megjithatë, sipas burimeve nga BILD, shërbimet e inteligjencës dhe politikanët perëndimorë shqetësohen se negociatat e nisura sot në Riad mund të çojnë në reduktimin ose largimin e prezencës ushtarake amerikane në pjesë të ndryshme të Evropës.
Media gjermane “BILD” raporton se vendet evropiane po përgatiten për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane, veçanërisht pas takimit të organizuar në Arabinë Saudite mes SHBA-ve dhe Rusisë. Sipas burimeve, shqetësimi është i madh për mundësinë që kjo marrëveshje mund të rezultojë në një reduktim të ndjeshëm të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Rreziku i një pushtimi rus
Sipas ekspertëve, një tërheqje e trupave amerikane mund të krijojë një situatë të rrezikshme, pasi mund të ndihmojë Rusinë të avancojë në territore si Estonia, Letonia dhe Lituania, duke shkaktuar një konflikt të mundshëm me Poloninë. Konsensusi mes vendeve fqinje me Rusinë është se prezenca e trupave amerikane ka qënë faktor kyç për garantimin e pavarësisë së tyre.
Një zyrtar i sigurisë nga Evropa Lindore ka thënë se në negociatat e Riadit u diskutua për kërkesat e Putinit të vitit 2021, që parashikojnë tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.
Italia dhe Ballkani përballë tërheqjes
Sipas informacioneve të BILD, edhe Italia po shqyrton mundësinë e një tërheqjeje të trupave amerikane nga Kosova. Kjo mund ta lërë Ballkanin në një pozitë të vështirë, përballë ndikimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe ushtrisë së fuqishme serbe. Diplomacia gjermane e ka cilësuar një skenar të tillë si “të mundshëm” dhe një zhvillim shqetësues për stabilitetin rajonal.
Forcat amerikane janë të stacionuara në kampin Bondsteel, në afërsi të Ferizajt, rreth 40 kilometra nga Prishtina. Ato operojnë së bashku me partnerët e tjerë në kuadër të KFOR-it, misioni i të cilit në Kosovë realizohet bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bondsteel është kampi ushtarak amerikan i vetëm në Evropën Juglindore dhe ka një rol kyç në stabilitetin e rajonit.
Pasojat për Evropën
Sipas analizave të Financial Times, Putini synon të largojë trupat e NATO-s nga të gjitha territoret që dikur i takonin ish-Bashkimit Sovjetik. Zyrtarë evropianë besojnë se Trump mund të pranojë një tërheqje nga rajonet baltike dhe ndoshta edhe më tej drejt Perëndimit. Kjo do ta linte BE-në të ekspozuar dhe pa mbrojtje nga ushtria ruse.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë një numër të madh bazash ushtarake në Evropë, me prani më të madhe në Gjermani, por edhe në Itali, Britani të Madhe, Portugali, Turqi, Belgjikë, Spanjë, Bullgari, Holandë, Hungari dhe Greqi. Megjithatë, sipas BILD, bazat ushtarake amerikane në Ramstein, Gjermani, dhe ato të forcave ajrore në Britaninë e Madhe nuk janë aktualisht në diskutim për tërheqje. Pjesa tjetër e Evropës duhet të përgatitet për ndryshime të thella nëse Trump dhe Putin arrijnë një marrëveshje.