PD-ja ka shumë të rinj cilësorë, pse nuk i fut në parlament?
Ua them unë: Në një drekë me ish-liderin e PD, më pati thënë se x-i, fiton në qarkun e Lezhës.
Unë kapa pjatën ku ishte një zog pule i pjekur dhe thashë: Në qarkun e Lezhës, edhe ketë gjel po ta kandidosh, ka rrezik e fiton. Por ti duhet të zgjedhësh, a do jesh lideri i një partie të rinjsh në perspektivë që garantojnë të ardhmen e partisë me 10-15 vjetët në vazhdim, apo do jesh lideri i një grupi njerëzish në prag pensioni që hanë e pinë dhe gëzojnë falas votat e PD?
Sepse logjika është kjo: Në qarqe, PD merr një numër votash si votë partie. Lideri i cili harton listat, zgjedh se “kujt do tia falë ato vota“, pra kujt do t’ia falë mandatin partiak.
A “ia fal” të rinjve punëtorë e që kanë perspektivë politike, që krijojnë simpati, që kanë një nivel, që krijojnë përfaqësim, apo “ua fal” atyre që nuk bëjnë asnjë punë, nuk kanë zell politik, nuk kanë veprimtari publike, duan të dalin në pension në parlament, as e vrasin mendjen, ngaqë mbahen me vota falas të partisë.
Liderët e PD, kanë preferuar muzeumin, kanë preferuar lidhjet e ngushta klienteliste dhe kanë prodhuar ato lista që prodhojnë. Dhjetra të rinj e të reja me talent politik, njerëz që nëse ua jep mundësinë, punojnë, njerëz që janë ku e ku më të zgjuar e më përfaqësues se reliket e muzeut, lihen jashtë, nuk u jepet mundësia për tu futur në parlament e në politikë.
Prisni, iu thuhet, sepse ka radhë, radha jonë – ironia e sloganit.
Dhe ata presin. Sepse siç shkruan Milovan Gjilas për konfliktet e tij me Stalinin dhe Titon: “Besnikëria jonë ndaj partisë, është dobësia jonë përballë partisë“.
Pra, i mbajnë peng duke iu kujtuar se duhet të jenë besnikë ndaj partisë, ndërsa liderët vetë, nuk janë në asnjë moment besnikë ndaj partisë por besnikë vetëm ndaj interesave, lobingut, simpative personale deri edhe motiveve banale.
Dhe dhjetra të rinj e të reja të cilët i njoh por sdua t’i përmend këtu, privohen nga mundësia për të treguar kush janë e si janë. E kanë kthyer partinë si market në lagje periferike, me rafte të vitit 1995, me llambë të vitit 1997, nga ato llambat e lyera me gëlqere, shitësi me pallaskë mizash në dorë duke vrarë miza. E duke u ankuar pastaj se njerëzit janë tradhëtarë e të shitur pse nuk shkojnë për të blerë aty.