back to top
Friday, May 8, 2026
18.5 C
Tirana

Top 5 E JAVËS

Artikuj të ngjashëm

Nga Indrit Vokshi: Si u konceptua Nisma Kombëtare

Si ide ka lindur në vitin 2023. Ka dashur kohën e vet. Kemi qenë të vetëdijshëm se mbizotëron mendimi se partitë janë kot, partia është diçka bajate, ndërthurur kjo me ata që të thonë: Mos u lodh kot, nuk bëhet, nuk ka shanse, partitë e mëdhaja s’të lënë, kanë shumë lekë, kanë mediat, kanë gjithçka. Ja edhe në 2025 e provuan të tjerë dhe e shumta deri 2 mandatë fituan.

Krahas këtij mendimi realist-pesimist, jeton edhe mendimi realist-optimist i njerëzve të cilët kur ka krizë përfaqësimi nuk shohin disfatë por shohin hapsirë dhe shans. Janë njerëzit të cilët arrijnë të shohin disa “të fshehta” dhe të parashikojnë disa zhvillime. Këta njerëz ta bëjnë mbarë e të japin kurajë por edhe të paralajmërojnë; s’duhet bërë kjo, s’duhet bërë ajo, s’duhet përsëritur ky apo ai gabim. Të orientojnë krejt mirë.

Ne, falë Zotit e kemi afër ketë përvojë sepse kemi ndejtur e rrimë me njerëz të mençur. Për më tepër nuk e kemi për turp të na mësojnë. Edhe mbretërit absolutë të Mesjetës kanë dëgjuar e mësuar prej priftërinjve, hoxhallarëve e shkollarëve, jo më ne. Është fat kur ke ku të marrësh mend.

Përshembull një mik të cilin e vlerësoj më tha: Mund të futesh e të marrësh edhe 100 këshilltarë bashkiakë por çfarë ka më tej? Do jesh një Tom Dosh i krahut të djathtë, veçse më i varfër se ai, por kaq, asgjë më shumë. I thashë se nuk është veç ky synim, politika operative nëse nuk ndërthuret me politikën ideologjike e kulturore, s’ka vlerë, mbetet vetëm inkursion elektoral dhe aq.

Ne synojmë politikë ideologjike, kulturore, karakteriale, mandej ketë korpus ideo-kulturor duam ta forcojmë duke i dhënë legjitimitet e vlefshmëri nëpërmjet votës. Sepse edhe vota e papërforcuar me korpus politiko-kulturor është e cunguar, edhe korpusi i papërforcuar me votë mbetet thjesht akademizëm. Prandaj duam t’i ndërthurim. Në rregull, kështu ndryshon puna.

Nisma Kombëtare është projektuar si shkallare socio-politike, platformë kombëtariste për njerëz të rinj në të gjithë Shqipërinë të cilët kanë prirje për politikë, kanë diçka për të thënë, duan të angazhohen, mirëpo nuk gjejnë hapsirë në politikën shqiptare. Sepse në politikën shqiptare duhet të paguash një çmim: Ose të bëhesh servil e të humbësh veten dhe shkëlqimin, edhe kjo vetëm nëse ke lidhjet e duhura pasi në rreshtin e servilizmit radha është e gjatë, ose duhet të të financojë dikush në atë masë sa të mbetesh kukulla e tij sepse përndryshe t’i presin fijet, ose të kesh vetë miliona euro e ta paguash përfaqësimin dhe mandatin.

Prandaj duhet krijuar një hapsirë ku kushtet e vetme për një individ janë puna dhe performanca. Secilit i njihen aksionet dhe secili është bashkëaksioner. Ajo çfarë na ka munguar. Ne nuk kemi asnjë interes që Nisma Kombëtare të degradojë në një mjet për interesat e 4-5 vetëve, pasi nëse degradon ashtu “i bie vlera në bursë”, dhe edhe interesat e atyre 4-5 vetëve, zhvlerësohen totalisht dhe Nisma Kombëtare nuk i duhet gjë askujt, arkivohet siç janë arkivuar shumë lëvizje të tjera në arkivin e dështimit politik, sepse i ka vrarë meskiniteti dhe vogëlsia e drejtuesve apo nismëtarëve. Na intereson të bëhet e madhe, përfaqësuese dhe vazhdimisht në rritje.

Nisma Kombëtare ka për të qenë themelimi i politikës kombëtariste në Shqipëri. Jo kombëtarizëm folklori e stadiumi, por kombëtarizëm politik: Shteti shqiptar i themeluar nga Rilindasit Kombëtarë është ideuar që shqiptarët të kenë institucionet politike, financiare, ekonomike e kulturore të cilat do të mbrojnë dhe garantojnë mbijetesën e kombit shqiptar në vazhdimsinë e njerëzimit. Nuk mund të degradohen institucionet në ente private biznesi të cilat shërbejnë që 5% e sunduesve dhe njerëzve rreth tyre të vjedhin para në Shqipëri e të krijojnë kastë politiko-ekonomike brenda vendit, por edhe i çojnë paratë jashtë vendit.

Nuk mund të degradohet Shqipëria në vend ku sundon banditizmi, prej banditizmit strukturor financiar, deri te banditizmi i rrugës ku njerëzit e lidhur me politikën rrahin e vrasin njerëz, iu marrin pronat, e njerëzit skanë ku ankohen. Rendi dhe siguria janë shumë të rëndësishme.

Nuk mund të nënshtrohen shqiptarët, së pari me varfëri, pasi varfëria shkatërron familjet. Së dyti, përmes sëmundjes, duke mos i garantuar shërbimin shëndetësor atij që s’ka. Së treti, nënshtrim përmes injorancës, duke i varfëruar aq keq saqë të mos munden të paguajnë arsim cilësor, ose duke mos pasur arsim cilësor publik.

Këto kemi kryesoret: ekonomi dhe lek, nëse shqiptarët nuk kanë lek, nëse nuk ka shtresë të mesme të gjerë dhe, mbi të gjitha, nëse ata që janë të varfër mbeten të varfër e s’kanë mundësi për tre breza të ngjiten prej varfërisë në shtresë të mesme, s’ka komb, ka thjesht popullsi, por komb jo.

Rend e siguri: Për arsye karakteriale nuk pranojmë që vendin tonë ta nënshtrojë e ta shkelë banditizmi, kush janë ata? Si mund të pranohet që një komb të tërë ta shkelin halabakët? A ka burra këtu a s’ka? Ne i përçmojmë ata. Nuk mundet halabaku që është askushi të bëjë zap një vend të tërë.

Humanizëm: Gjynah prej Zotit që të mos u jepet haku njerëzve që punojnë, ose të rinjve të talentuar; njerëzve u duhet dhënë shansi që ta ngrenë veten e tyre në shoqëri. E gjynah prej Zotit që njerëzit e sëmurë të mos kenë mundësi kurimi, ata dhe familjarët të përjetojnë vuajtje të panevojshme veç pse s’kanë lek. Zoti na ka shpallur që njeriu është krijesa e Tij dhe duhet respektuar, kush jemi ne për të dalë kundër Zotit?

Të gjitha këto mbeten qëndrime të larta e mendime të bukura nëse nuk fuqizohen me votë e me legjitimitet. Prandaj do të përdorim të gjithë përvojën organizative e politiko-partiake për tu dhënë vlerë dhe fuqi mendimeve dhe qëndrimeve.

Qytetaria dhe njerëzit e kulturuar kanë nevojë për mbështetje me “ushtri politike” që qytetaria të mos mposhtet. Ushtria politike ka nevojë për mbështetjen e qytetarisë që fuqia të fitojë legjitimitet. Ne ketë synojmë të arrijmë. Prandaj ftojmë secilin të bashkohet me Nismën Kombëtare të disa njerëzve të cilët nuk merren me vogëlsira, me kulisa, me meskinitete të cilat ua neverisin marrjen me politikë, por mbajnë qëndrime të larta kulturore sepse kanë njohje të njeriut dhe mënyrës si duhet të funksionojë një organizatë.

Artikujt më të klikuar