Revizionimi i të Djathtës në Shqipëri.
Individë dhe grupime njerëzish janë shkëputur prej PD-së, partisë më kryesore të djathtë në Shqipërinë e pas vitit 1990.
Janë shkëputur prej luftës me liderin, janë shkëputur prej mungesës së hapësirës për tu përfaqësuar si deputetë, si ministra apo si kryetar bashkie. Kohët e fundit ka lindur edhe një arsye shtesë për tu shkëputur; analfabetizmi i cili ka mbërritur deri në nivelet udhëheqëse.
Të djathtët shqiptarë sot kanë epërsi në argumente, mirëpo epërsia nuk përfaqësohet dhe nuk institucionalizohet në politikë, nuk garanton epërsi politiko-kulturore në shoqëri dhe, si rrjedhojë nuk përkthehet në votë.
Komunizmi si biologji: Sot komunizmi trajtohet si çështje biologjike. Jemi ne dhe, janë “bijtë e etërve“. Pra, përplasja është biologjike. Pika më e dobët në përplasjen biologjike është se vetë lideri i të djathtës ka shërbyer si sekretar komunist, ka foto në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe me Enver Hoxhën. A është prani e izoluar sepse ishte doktor? Rrjedha pas vitit 1990, dëshmon të kundërtën: Na paraqitet skulptori Kristaq Rama si xhelati kryesor, mirëpo ta zëmë, partia ka zgjedhur deputet Rrustem Gjatën i cili ka dhënë dënime me vdekje kundër të burgosurve politikë. Djali i Kristaq Ramës është djalë krimineli, ndërsa djali i Rrustem Gjatës demokrat i shquar të cilin partia e ka emëruar në postet më të larta. Ky shembull nuk paraqitet për të denigruar asnjërën familje, mirëpo ka vlerë të madhe për të ilustruar se lufta kundër komunizmit si realitet bioligjik është e humbur thellë. Dhjetëra djem oficerësh sigurimi apo kryetarësh fronti, apo hierarkësh të tjerë si Gramoz Pashko, biri i një prokurori famëkeq ushtarak, emrin e të cilit e mban një sallë në PD, janë arsyeja se pse e djathta e ka të humbur luftën kundër komunizmit si qasje biologjike, dhe fraza “bijtë e etërve” del krejt qesharake. Sepse na thuhet se komunistët të cilët janë me ne janë të mirë, ndërsa komunistët me partitë e tjera janë komunistë. Lufta kundër komunizmit ka marrë trajtat kanunore të një “gjakmarrjeje” me familjen Rama dhe familje të tjera.
Komunizmi nuk luftohet me qasje kanunore kundër familjeve të caktuara. Komunizmi është ideologji totalitare e cila denigron individualitetin e njeriut dhe kësisoji, ai luftohet vetëm duke ndryshuar qasjen ndaj njeriut, qasjen ndaj lirive politike, lirive ekonomike, lirive fetare etj.
Për sqarim, as i biri i Rrustem Gjatës, as i Josif Pashkos nuk po shahen; Gramoz Pashko ishte personalitet qytetar akademik i cili u identifikua si “liberali i parë” ndërsa Çlirim Gjata është avokat i cili nuk i ka bërë keq njeriu në ketë shoqëri. Ata kanë të drejtën e tyre të jenë të djathtë pikërisht sepse e djathta nuk duhet të japë dënime biologjike, si partia e Enverit e cila individit të dënuar i masakronte edhe familjen biologjike dhe e eksterminonte në shoqëri, duke i mohuar të drejtën për tu arsimuar, duke i mohuar të drejtën për të pasur shtëpi, e duke e degdisur në punët më të rënda.
E djathta e sotme ose thënë më saktë struktura institucionale e saj, shpallin fajësi biologjike dhe promovojnë e mbjellin tek popullsia dhe simpatizantët botëkuptimin biologjik të “bijëve të etërve” duke e denigruar e shpërfytyruar mendimin politik të së djathtës. Për shembull e djathta e shprehur me liberalizmin klasik në shekullin e fundit iu ka mundësuar miliona njerëzve të dalin nga varfëria ekstreme dhe të jenë pjesëmarrës në ekonomi. Është e kundërta e nazizmit dhe e diktaturës komuniste.
E Djathta Gjenetike: Ka njerëz në Shqipëri të cilët shqiptojnë se “jemi gjenetikisht të djathtë“, pa e kuptuar se kjo është fjali hitleriane dhe enveriste. Bejlerët, agallarët dhe bajraktarët janë relike historike; ata kanë vlerë të madhe për traditën si komponent kryesor i të djathtës mirëpo nuk kanë asnjë epërsi në shoqëri për arsye biologjike sepse epërsia e pretenduar bie ndesh me kriterin kryesor të së djathtës: meritokracinë. Është edhe kjo qasje disi biologjike.
Krahinizmi: E Djathta në Shqipëri perceptohet si krahinore. Tentohet të mbahet gjallë ndarja Veri-Jug; janë toskët e majtë janë gegët e djathtë dhe janë të tjerët ndërmjet tyre. Kjo është mbjellë shumë keq dhe shumë thellë në shoqërinë shqiptare. Nëse partitë e majta në çdo manifest e statut të tyre sanksionojnë se “Partia është repart i lëvizjes internacionale socialiste“, e djathta tërheq më shumë drejt kombëtarizmit. E djathta thotë se nuk mundesh të jesh ndërkombëtar pa qenë kombëtar. Qasja kombëtariste ka armike krahinizmin, tribalizmin, si dhe repartin e lëvizjes internacionale socialiste pasi kjo lëvizje ka shpallur si armike të saj kombin si nocion, duke e quajtur prodhim të interesave të borgjezisë. Duke qenë kështu e djathta duhet të luftojë në këtë front kundër krahinizmit, tribalizmit dhe socializmit; duhet arritur në gjendjen psikologjiko-politike ku të jetë krejt e natyrshme dhe legjitime që lider i të djathtës në Shqipëri të jetë edhe dikush nga Delvina apo Leskoviku, jo vetëm dikush nga Tropoja apo Shkodra.
Qëndrimi ndaj pronës: Qëndrimi ndaj pronarëve nuk ka të bëjë vetëm me pronarët historikë të para vitit 1945. Atyre duhet t’iu jepej haku i cili iu vodh me legalizimet dhe me dyndjet e mbështetura nga dy partitë politike. Ajo mbetet retorikë bajate dhe e zhvlerësuar, mbetet veç tentativë për të fituar pak tifozeri nëpërmjet ngacmimit të emocioneve. Qëndrimi ndaj pronësisë është krejt më i gjerë; ai lidhet me politikat favorizuese të cilat mundësojnë sot që kush nuk ka pronë të bëhet pronar, kjo si mënyrë për të forcuar familjen sepse familja nuk është vetëm njësi biologjike por edhe njësi ekonomike e rrjedhimisht përmes pronësisë forcohen edhe liritë individuale përballë qeverive.
Qëndrimi ndaj persekutimit komunist: Të përndjekurit politikë dëmshpërblehen vetëm duke mbrojtur ato vlera e principe prej të cilave u persekutuan nga komunizmi, jo duke i mashtruar e duke i bindur se jemi në hakmarrje biologjike, si mënyrë kjo për t’i polarizuar e për të përfituar prej tyre.
Nisma Kombëtare nuk synon as reformimim e PD, as përmirësimin e saj, sepse PD është parti tjetër për të cilën anëtarësia dhe strukturat e saj kanë vendosur në mënyrë sovrane se çfarë rruge do të ndjekin.
Nisma Kombëtare nuk ka për të qenë parti-individ apo mjet përmes të cilit kryesuesit negociojnë karrierat e interesat karrieriste në opozitë, frymëzuar prej ëndrrës se ndonjë ditë në qeverisje do të kapin drejtorin e patentave, drejtorin e postës, bordit të kullimit ku shitet e blihet naftë, apo çdo institucion punishte artizanale ku prodhohen lek.
Nisma Kombëtare nuk ka për të qenë patetizëm populist me përmbysje sistemesh dhe me gjueti për të gjetur të pakënaqur për arsye meskine, sepse sistemet nuk përmbysen, sistemet rinegociohen dhe rishkruhet “Pakti i Republikës” në përputhje me fuqinë që ka secili.
Nisma Kombëtare është revizionimi i të djathtës në Shqipëri. Revizionim ideologjik e politik, revizionim kulturor, moral, historik, ekonomik e shtetëror, dhe mbi të gjitha, revizionim për të nesërmen, duke “pikturuar” e skicuar se si duhet të jetë e djathta dhe i djathti në Shqipërinë e nesërme. I djathti si model njeriu politik, si model kulturor, model sjelljeje, model qasjeje ndaj shtetit dhe ekonomisë, ndaj fesë e ndaj kulturave të tjera.
Mirësevini në revizionizëm!

