Pas gati 1 viti mbas rritjes me 2,000 lekë, qeveria vendosi të rrisë sërish pagën minimale nga 34,000 lekë në 40,000 lekë.
Megjithatë nga ndryshimet e pagës, përfituesi më i madh do të jetë shteti, ndërsa rritja do të rëndojë kostot e bizneseve.
Duke u rritur paga minimale, do fillojë rritja edhe për punonjësit të cilët aktualisht paguhen me 40,000 lekë, pasi nivelet e tyre ndryshojnë për shkak të eksperiencës dhe produktivitetit. Industria fasone duket se do të vuajë rritjen e kostove, pasi rritja e pagës minimale rrezikon të kthehet në bumerang. Të vetmit që do të kenë përfitimin nga rritja 17,5 % e pagës minimale do të jenë të ardhurat e buxhetit.
Është vërtetë e nevojshme të bëhet kjo rritje për punonjësit, por që barra të mos rëndojë vetëm te biznesi duhet të shoqërohet me lehtësira fiskale, me qëllim që të rritet produktiviteti dhe konkurrueshmëria.
Janë rreth 47,000 mijë të punësuar në sektorin fason që preken nga rritja me 4,000 lekë e pagës minimale. Në fund të vitit 2021 sipas të dhënave të INSTAT numri i ndërmarrjeve në sektorin tekstil dhe veshje ishte 564 dhe numri i të punësuarve 27,062 punonjës. Në sektorin lëkurë dhe këpucë për 2021 ishin 219 ndërmarrje dhe 19,651 të punësuar.
Fabrikat fason po humbasin konkurrueshmërinë në raport me Maqedoninë e Veriut dhe Serbisë për shkak të rritjes së kostos.
Faktorët kryesorë të shtimit të kostove janë rritja me 17,5% e pagës minimale, rënia e euros kur në shtetet fqinje si Serbia apo Maqedonia e Veriut kursi është i fiksuar dhe i mbrojtur me ligj, mungesa e punonjësve dhe produktiviteti i ulët, amortizimi i impianteve prodhuese dhe rritja e karburantit që ndikon në shtim të kostos të transportit të punonjësve dhe të mallrave.
Këto elementë ndikojnë në humbjen e konkurrueshmërisë në Ballkan, por ndikon edhe në kontratat afatgjate dhe solide me brandet europiane, të cilat po orientohen drejt vendeve afrikane apo Uzbekistanit për shak të çmimeve më të ulëta.
Sektori fason është i përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit dhe krahu i lirë i punës ka qenë baza kryesore e mbështetjes së eksporteve shqiptare.