Rudina Murati, e diplomuar në ekonomi, me eksperiencë bankare dhe në sektorin e ndërtimit, ka bashkuar pikat në fushën e zhvillimit duke e lehtësuar procesin për shumë palë.
Rudina, si fillim, kam kuriozitet të di angazhimin profesional ku je fokusuar dhe po shpreh pasionin dhe përgatitjen tënde profesionale. Çfarë po ofron Rudina sot në treg?
Sot jam tërësisht e fokusuar te investimet dhe zhvillimi i projekteve në tre sektorë kryesorë: pasuri të paluajtshme, hoteleri dhe turizëm, dhe energji e rinovueshme.
Kompania ime R3 Capital Advisory pozicionohet si një partner strategjik për investitorët dhe zhvilluesit, vendas dhe të huaj. Nga njëra anë, punojmë me investitorë vendas që duan të zhvillojnë dhe strukturojnë projektet e tyre në Shqipëri dhe EU; nga ana tjetër, mbështesim investitorët ndërkombëtarë që kërkojnë të hyjnë në tregun shqiptar dhe kanë nevojë për një partner lokal profesional, që njeh tregun dhe mund t’i shoqërojë gjatë gjithë procesit.
Ajo që na diferencon nga konsulenca tradicionale është se nuk ndalemi te këshillimi. Ne përfshihemi në zhvillimin e projektit, strukturimin e investimit dhe financimit, koordinimin e palëve dhe më pas e ndjekim projektin gjatë ciklit të tij të jetës.
Është një model biznesi niche që plotëson boshllëkun mes një ideje apo një aseti me potencial dhe një projekti realisht të strukturuar, të financueshëm dhe të realizueshëm.
Paralelisht, jam pjesë e Alpha Mediterranean Capital Partners, një platformë investimi që lidh kapitalin me mundësi investimi në këta sektorë në Shqipëri dhe në Mesdhe. Kjo platformë na lejon të shkojmë një hap më tej: jo vetëm të strukturojmë dhe zhvillojmë investimet, por edhe të investojmë përkrah partnerëve tanë. Është një model ende i ri për tregun shqiptar dhe rajonal dhe ne kemi zgjedhur ta sjellim pikërisht sepse besojmë se tregu ka nevojë për forma më të strukturuara dhe më fleksibël të lidhjes mes kapitalit dhe projekteve.
Në thelb, puna ime sot është pikërisht aty ku kapitali, strategjia, investimi dhe zhvillimi takohen, duke transformuar mundësitë në projekte të strukturuara, të investueshme dhe të realizueshme.

Nëse do ta përshkruaje jetën tënde profesionale me tre kthesa vendimtare, cilat do të ishin?
Jeta ime profesionale ka qenë shumë e pasur dhe dinamike, por nëse do të veçoja tri kthesa që më kanë formuar më shumë, do të ishin këto:
E para ka qenë kalimi nga eksperte në drejtuese. Gjatë eksperiencës sime në bankë, pas disa vitesh pune, m’u dha mundësia të drejtoja një njësi të vogël. Isha pak më shumë se 25 vjeç dhe, për mua në atë kohë, ishte një arritje, por njëkohësisht edhe një sfidë shumë e madhe. Mbaj mend që në atë moment kuptova se duhej të ndryshoja mënyrën se si mendoja dhe veproja: nuk duhej të mendoja më vetëm si eksperte, por si drejtuese, besoj se aty filloi realisht rrugëtimi im në lidership.
Kthesa e dytë ishte vendimi për të lënë sektorin bankar dhe për t’iu bashkuar sektorit të ndërtimit, dhjetë vite më parë. Në atë kohë ndërtimi nuk ishte në “modë” si sot; ishte një treg shumë më pak i strukturuar dhe kjo e bënte vendimin edhe më të vështirë për mua, duke ardhur nga një industri shumë e rregulluar si banka. Por, vetëm pak muaj pasi hyra në këtë botë, kuptova se kisha gjetur sektorin tim. Më tërhoqi kompleksiteti i tij, fakti që bashkon financën, investimin, zhvillimin, njerëzit dhe krijimin e diçkaje konkrete, qe mbetet per te pakten 100 vite. Aty kuptova se ky do të ishte një rrugëtim afatgjatë për mua.
Kthesa e tretë ishte vendimi për t’u larguar nga kompania ku kisha punuar për më shumë se shtatë vite dhe për të ndjekur një tjetër fazë të rrugëtimit tim. Nuk ishte aspak një vendim i lehtë, Orion Construction e kam dashur shumë dhe ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës dhe udhëtimit tim profesional. Jam rritur dhe kam ndërtuar shumë aty, por erdhi një moment kur ndjeva se duhej të provoja të ndërtoja diçka timen, duke qëndruar në të njëjtin sektor, por duke sjellë një formulë të re biznesi dhe një mënyrë tjetër për ta parë zhvillimin dhe investimin në Shqipëri dhe vende të tjera të BE-së.
Çfarë ka qenë më e vështirë: të ngjitesh në një organizatë të madhe apo të ndërtosh diçka tënden nga e para?
Janë dy sfida të ndryshme. Të bësh karrierë në një organizatë të madhe, për më tepër në moshë shumë të re, kërkon të punosh dhe të sfidohesh shumë, për mua ka qenë një shkollë shumë e rëndësishme jete, nuk do te isha kjo që jam sot pa atë eksperiencë. Por të ndërtosh diçka tënden është ndryshe sepse duhet të krijosh gjithçka nga e para: vizionin, strukturën, ekipin, klientët dhe pozicionimin në treg. Në një organizatë ndërton vendin tënd brenda një sistemi; kur ndërton diçka tënden, duhet të ndërtosh vetë sistemin.
Ti e prezanton Shqipërinë para investitorëve ndërkombëtarë. Çfarë pyetje të bëjnë pothuajse gjithmonë?
Pyetja që vjen pothuajse gjithmonë është: “Sa i sigurt është investimi në Shqipëri?” Dhe kjo pyetje përfshin shumë më tepër sesa perceptimin e përgjithshëm për vendin. Investitorët duan të kuptojnë sigurinë juridike, pronësinë, stabilitetin e kuadrit rregullator, proceset e lejeve, transparencën dhe, sigurisht, mundësinë për të dalë nga investimi.
Në fund, kapitali kërkon mundësi, por kërkon edhe besim. Sidomos kur hyn në një treg të ri, investitori duhet të kuptojë qartë ku po investon, çfarë risku po merr dhe si është strukturuar investimi i tij.
Cili është avantazhi ynë më i madh që ne vetë nuk e kuptojmë?
Shqipëria është ende një nga tregjet më pak të zhvilluara në Europën Juglindore, dhe pikërisht këtu qëndron një nga avantazhet tona më të mëdha: jemi ende në një fazë ku mund të krijojmë shumë vlerë.
Kemi një kombinim të rrallë: një pozicion gjeografik strategjik, natyrë të jashtëzakonshme, histori dhe trashëgimi kulturore, ushqim fantastik, burime natyrore, afërsi me tregjet europiane dhe perspektivën e integrimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu prej pak vitesh, Shqipëria po tërheq edhe një vëmendje të rëndësishme ndërkombëtare.
Sfida jonë është që këtë potencial të mos e konsumojmë, por ta strukturojmë dhe ta zhvillojmë me vizion afatgjatë, duke krijuar vlerë të shtuar jo vetëm për investitorët, por edhe per ne dhe për vendin.
Po pengesa më serioze që vazhdon t’i trembë investitorët?
Mendoj se pengesa më serioze vazhdon të jetë mungesa e parashikueshmërisë dhe e rasteve të konsoliduara të suksesit të investitorëve të huaj në këta sektorë. Investitorët mund ta pranojnë riskun, sidomos në një treg në zhvillim, por duan ta kuptojnë, ta matin dhe të shohin një historik që u krijon besim.
Çështjet e pronësisë, proceset administrative, ndryshimet rregullatore dhe mungesa e standardizimit në disa procese vazhdojnë të krijojnë pasiguri.
Shqipëria nuk ka mungesë mundësish investimi; përkundrazi, ka shume interes nga investitorët e huaj. Ajo që duhet të sigurojmë është strukturë, transparencë dhe parashikueshmëri. Vetëm kështu mund ta kthejmë këtë interes në kapital që realisht investohet dhe qëndron në vend në afat të gjatë.
Nëse nesër do të kishe mundësi të ndryshoje vetëm një politikë ekonomike në Shqipëri, cila do të ishte?
Nëse do të mund të ndryshoja vetëm një politikë ekonomike, do të krijoja një paketë fiskale konkurruese për investimet individuale dhe institucionale afatgjata, veçanërisht për kapitalin e huaj dhe atë të diasporës.
E ndërthurur me struktura të qarta investimi, transparencë dhe parashikueshmëri, per Shqipërinë, kjo mund të përkthehej në incentiva konkrete për kapitalin që investohet dhe riinvestohet në vend për një periudhë afatgjatë. Qëllimi nuk duhet të jetë vetëm të tërheqim më shumë kapital, por kapital cilësor që qëndron dhe krijon vlerë në ekonomi.
A mendon se një grua duhet ende të provojë më shumë se një burrë për të fituar besimin në tavolinat e vendimmarrjes?
Po, mendoj se shumë herë një grua duhet të provojë më shumë se një burrë. Së pari, për të arritur të jetë në tavolinat e vendimmarrjes dhe, së dyti, për të pasur realisht një zë në atë tavolinë. Por besoj gjithashtu se, pikërisht kur prezenca dhe zëri janë të fituara dhe jo të dhuruara, ato kanë një peshë tjetër. Dhe kjo bën diferencë, në çdo tavolinë vendimmarrjeje dhe përtej saj.
Cili është paragjykimi më i zakonshëm që ke hasur?
Kam histori plot lidhur me këtë. Besoj se kam qenë një target relativisht i lehtë për paragjykime, sepse kam filluar të bëj karrierë shumë e re në bankë. Më pas, hyra direkt në një pozicion drejtues në sektorin e ndertimit, në një kohë kur ndërtimi nuk ishte kaq “cool” sa duket sot.
Paragjykimet kanë qenë nga më të ndryshmet: “është shumë e re”, “ta shohim sa do të zgjasë”, “kë ka nga pas?”. Shumë shpejt kuptova se mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur paragjykimeve është të bësh atë që ke për të bërë sa më mirë, të kesh rezultate dhe të mbetesh vetvetja. Në fund, koha dhe puna flasin shumë më mirë se çdo përpjekje për të provuar se kush je.
Çfarë këshille nuk do t’i jepje grave të reja, edhe pse dëgjohet shpesh?
Nuk do t’u thosha: “po kërkon shumë” apo “nuk mund t’i kesh të gjitha ato që do në jetë”. Besoj se duhet të kemi guximin të shkojmë drejt asaj që duam vërtet, duke zgjedhur me kujdes shtyllat kryesore mbi të cilat duam të ndërtojmë jetën tonë.
Është një privilegj i madh të kesh mundësinë të zgjedhësh. Sigurisht, çdo zgjedhje ka kostot e saj dhe jo çdo gjë vjen në të njëjtën kohë. Ka momente kur një pjesë e jetës kërkon më shumë prej nesh dhe të tjera kur prioritetet ndryshojne. Për mua, më e rëndësishmja është të ndërtosh një jetë që të rri ty në lëkurë, jo atë që të tjerët presin prej teje, dhe të kesh kurajën të shohësh sa larg mund të shkosh me atë që ke brenda vetes.
Si e mat suksesin sot, krahasuar me 10 vite më parë?
Suksesi për mua sot është marrëdhënia që kam me veten, me njerëzit e rëndësishëm për mua dhe liria për të zgjedhur si e ndërtoj jetën. Ndoshta sot e mas suksesin më pak me atë që kam arritur dhe më shumë me cilësinë e jetës që zgjedh. Kam mësuar të pyes veten më shpesh: “Sa e rëndësishme është vërtet kjo?” Kam mësuar të them “jo”, të zgjedh më mirë ku vendos kohën dhe energjinë time dhe të mos i jap çdo gjëje të njëjtën peshë. Sot i kushtoj shumë më tepër vëmendje gjërave të thjeshta, atyre esenciale: gjumit të mirë, ecjes nga liqeni, një gote vere të mirë, kohës cilësore me njerëzit me të cilët jo vetëm ndan atë që ke në zemër, por edhe rritesh.
Çfarë trashëgimie profesionale do të dëshiroje të lije pas?
Do të doja që trashëgimia ime profesionale të mos matej vetëm me projektet apo bizneset që kam ndërtuar, por edhe me mënyrën se si kam punuar dhe me atë që ka mbetur pas tyre.
Do të doja të kem kontribuar në krijimin e projekteve dhe investimeve të menduara mirë, të strukturuara me profesionalizëm dhe me një perspektivë afatgjatë.
Po aq e rëndësishme për mua janë njerëzit. Besoj shumë te respekti dhe dinjiteti në marrëdhëniet profesionale dhe personale dhe jam përpjekur gjithmonë të krijoj një mjedis ku njerëzit ndihen të vlerësuar, kanë hapësirë të rriten dhe të ndërtojnë rrugën e tyre. Kalojmë një pjesë shumë të madhe të jetës sonë duke punuar dhe mënyra se si e bëjmë këtë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës sonë.
Dhe do të doja që projektet ku kam qenë pjesë të kenë krijuar vlerë që zgjat përtej vetë investimit dhe momentit.
Në fund, për mua trashëgimia do të ishte pikërisht kjo: të kem ndërtuar me profesionalizëm, të kem krijuar vlerë dhe të kem ndihmuar njerëzit rreth meje të rriten gjatë rrugës.
Çfarë të motivon në ditët kur gjithçka duket se shkon keq?
Mendimi që kam kaluar plot ditë të tilla dhe që, në fund, ato janë pjesë normale e jetës. Kam mësuar t’i lejoj, t’i jetoj, por të mos i lejoj të më ndalojnë. Dorëzimin nuk e kam pasur kurrë si opsion. Ndoshta më ka ndihmuar pikërisht kjo: këmbëngulja për t’i shkuar deri në fund asaj që kam nisur, edhe kur rruga bëhet e vështirë.
A ke një rutinë që nuk e prish kurrë?
Koha me veten, sidomos në mëngjes. Kafja e mëngjesit vetëm ose një ecje nga liqeni janë ndër ritualet e mia të preferuara.
Cilin libër u dhuron më shpesh njerëzve?
Librat janë dhurata ime e preferuar. Më pëlqen shumë t’i dhuroj dhe përpiqem gjithmonë ta zgjedh librin në varësi të personit që kam përballë. Një nga librat që kohët e fundit kam dhuruar më shpesh është “Meditimet” e Mark Aurelit.
Nëse do të mund t’i jepje një këshillë vetes tënde 25-vjeçare, cila do të ishte?
Do t’i thosha: nuk ke nevojë të jesh perfekte për ta dashur dhe për ta zgjedhur veten më shumë.
Për shumë kohë mendojmë se duhet të arrijmë diçka, të provojmë veten apo të përmbushim pritshmëri të caktuara për t’i dhënë vetes vlerën që meriton. Sot do t’i thosha vetes 25-vjeçare të ishte pak më e butë dhe më e dashur me veten, t’i besonte më shumë vetes dhe të mos kërkonte gjithmonë kaq shumë prej saj.

