Sipas shkencëtarëve, miokarditi është një gjendje e karakterizuar nga inflamimi i muskujve të zemrës dhe mund të dobësojë rrjedhën e gjakut nëpër trup. Shkaku më i zakonshëm është infeksioni dhe në ato raste mund të jetë serioz, madje edhe fatal.
Të dhënat tregojnë se vaksinat kundër koronavirusit rrisin rrezikun që një person të zhvillojë miokardit, me rrezikun më të lartë tek djemtë e rinj dhe pas dozës së dytë. Një grup ekspertësh nga e gjithë SHBA shqyrtoi 139 raste të miokarditit të shkaktuar nga vaksina te njerëzit e moshës 12 deri në 20 vjeç, me moshën mesatare 16 vjeç. 9 nga 10 raste ishin te djemtë dhe pas dozave të dyta.
Nga 139 personat që shkuan në spitale me ankesën, më pak se 1 në 5 u shtruan në kujdesin intensiv dhe asnjë nuk vdiq. Dhimbja e gjoksit ishte një simptomë pothuajse e kudogjendur dhe një në tre persona vuante gulçim ose temperaturë.
Sipas Dr. Dongngan Truong, autori i parë i studimit dhe një profesor i asociuar i pediatrisë në Universitetin e Utah këto të dhëna sugjerojnë se shumica e rasteve të miokarditit të dyshuar të lidhur me vaksinën Covid-19 te njerëzit më të rinj se 21 vjeç janë të lehta dhe zgjidhen shpejt.
Gjithashtu sipas Dr. Donald Lloyd-Jones , presidenti i Shoqatës së Amerikanë të Zemrës, ky studim mbështet dukurinë që njerëzit e identifikuar dhe trajtuar herët dhe në mënyrë të përshtatshme për miokarditin e lidhur me vaksinën Covid-19 zakonisht përjetojnë raste të lehta dhe kohë të shkurtra shërimi. Ai deklaron më tej se këto gjetje mbështesin gjithashtu qëndrimin e Shoqatës Amerikane të Zemrës se vaksinat Covid-19 janë të sigurta, shumë efektive dhe themelore për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur familjet dhe komunitetet tona kundër Covid-19 dhe për t’i dhënë fund pandemisë. Ndaj rekomandohet që të vaksinohen fëmijët sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas të dhënave nga Komiteti i Përbashkët i Mbretërisë së Bashkuar për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), për çdo një milion injeksione me Covid të dhëna si dozë e parë për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, ka nga 3 deri në 18 raste të miokarditit.
Shqetësimi për këtë efekt anësor bëri që JCVI të ishte i kujdesshëm dhe fillimisht të mos rekomandonte që nën-16-vjeçët të merrnin injeksionin, pasi rreziku nga Covid është kaq i ulët.
Megjithatë, javën e kaluar JCVI tha se do të fillojë t’u japë 12-15 vjeçarëve një dozë të dytë, pasi dolën më shumë të dhëna për nevojën e mbrojtjes së fëmijëve nga Covid nëpërmjet vaksinës më dy doza.
Burimi: The Telegraph