Studentët përballë sfidës për të arritur qëllimin. A do t’ia dalin?

Revolta e studentëve këto ditë dhjetori tronditi themelet e grupimit “jemi ne, pa jeni ju”. Mijëra studentë me hall të përbashkët, të cilëve u ka ardhur nē majë të hundës sistemi “paguaj më shumë që të marrësh më pak” u sinkronizuan në mënyrë të përkryer në një melodi hyjnore. Qytetarët e një vendi të bekuar, por të varfër nuk po i besonin veshëve që kjo melodi po kumbonte.

Segmente të caktuara me sens protagonizmi donin të merrnin meritën. Me siguri, si shpesh në këtë vend edhe pazarxhinjtë e kauzave ngritën antenat. Manipulimi, presioni, përçarja janë aty. Por studentët po ia dalin mbanë të mos i largohen qëllimit të tyre.
Studentët e dinë që kanë nevojë për kushte më të mira; për klasa me ndriçim dhe ngrohje, për kosto arsimi në përpjestim logjik me të ardhurat, për tregje pune dhe mundësi punësimi në universitete, për praktika mësimore, për pedagogë me integritet profesional. Një thënie e Winston Churchil i merr parasysh ata që pengojnë arritjen e qëllimeve; penguesit, manipuluesit, përçarësit, denigruesit. Churchil thotë: “Nëse i gjuan me gur çdo qeni që leh në rrugën tënde, nuk do arrish dot në destinacion”.
Prandaj studentët, të rinj e të parrahur me nivelin e intrigës duhet të qëndrojnë fort të lidhur pas qëllimit. Me ta të bashkohet kushdo që punon për atë qëllim.

Mijëra studentë në protestën e dhjetorit e rrëzuan Reformën e Arsimit të Lartë. Ata treguan që situata e tyre nuk është bërë më e mirë.

Studentët duhet të artikulojnë kërkesat e tyre në tre nivele:
– kërkesa që duhen plotësuar në mënyrë imediate: reduktimi i tarifave, përmbushja e kushteve minimale fizike të zhvillimit të mësimit; ndriçim, ngrohje. Fakultetet të specifikojnë kërkesat për materiale dhe laboratore sipas profileve.
– kërkesa që duan më shumë kohë të përmbushen duke vendosur një afat realizimit të tyre: financimi i librave, investimi i bibliotekave, investimi i kërkimit shkencor, integriteti profesional i pedagogëve, etj.
– kërkesa që lidhen me hartimin e politikave arsimore që kanë në qendër studentin dhe tregun e punës duke caktuar një grup pune tek i cili ata kanë besim.

Studentët kanë në dorë sot t’i zbukurojnë jetën vetes dhe të gjithë kombit shqiptar.
Jemi me studentët! /mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here