Të kuptojmë sigurinë ushqimore.

E. Dumi, J. Begaj

Rreziqet që vijnë nga ushqimi konsiderohen nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë e të gjitha shteteve të botës si një problem shumë serioz. Seria e krizave të sigurisë ushqimore, duke filluar që nga kontaminimi me dioksinë i zinxhirëve të ndryshëm ushqimore, e për të vazhduar me zhvillimin e patogjenëve si E. Coli, kanë ngjallur një shqetësim të gjerë publik për sigurinë e ushqimit. Një pasojë e këtyre ngjarjeve ka qënë edhe rënia e besimit të konsumatorit tek aktivitetet rregullatore që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit në sektorin agroushqimor.

Shpeshherë konsumatorët perceptojnë risk të ndryshëm nga ai që perceptojnë individët me aftësi dhe njohuri teknike të specializuara, pra ekspertët e fushës. Në shumë raste ekspertët pyesin veten përse konsumatorët janë të gatshëm të pranojnë rreziqe të larta nga zgjedhjet e pashëndetshme ushqimore, por në të njejtën kohë nuk tolerojnë ato rreziqe që ekspertët i konsiderojnë të një rëndësie të ulët. Pra, për të ndërmarrë politika të efektshme përsa i takon sigurisë ushqimore, si dhe komunikimit të rrezikut që vjen nga kategori të caktuara ushqimesh nuk duhen marrë parasysh vetëm gjykimet e ekpertëve të fushës. Gjithashtu duhet kuptuar sjellja konsumatore. Sjellja konsumatore në lidhje me çështjet e sigurisë ushqimore mund të parashikohet në mënyrë të saktë duke kuptuar mënyrën sesi konsumatori percepton riskun dhe përfitimet lidhur me cështje të ndryshme të sigurisë ushqimore. Ky perceptim ndikohet shumë nga karakteristikat personale të individit, por nuk duhen nënvlerësuar edhe ato të mjedisit ku ai jeton

Siguria ushqimore mund të konsiderohet si e kundërta e rrezikut nga ushqimi – pra, si probabiliteti i mosvuajtjes nga ndonjë rrezik kur konsumon një ushqim specifik. (Henson dhe Caswell, 1993). Sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë, siguria ushqimore është koncept i një rëndësie qëndrore, pasi luan një rol thelbësor në ecurinë e shëndetit publik. Gjithashtu, qëndrimi i konsumatorëve ka një ndikim të madh mbi çështjet e sigurisë ushqimore, të cilat janë me interes si për prodhuesit dhe shitësit e produkteve ushqimore, autoritetet publike dhe për edukatorët shëndetsorë. Ky interes reflektohet në diskutimet rreth asaj se si duhet të përcaktohet siguria e ushqimit dhe sesi konsumatorët e perceptojnë atë.

Sipas Shoqërisë Mbretërore (1992), risku përkufizohet si një kombinim i probabilitetit ose frekuencës së shfaqjes së një rreziku të përcaktuar dhe madhësisë së pasojave të ndodhjes së këtij rreziku. Pra, situatat shumë të rrezikshme, por që kanë pak gjasa të ndodhin, mund të vlerësohen me një risk të ulët teknik, pasi madhësia e pasojave të ndodhjes shumëzohen me probabilitetin e ulët. Megjithatë, kjo qasje teknike për përcaktimin e riskut kritikohet për dy arsye kryesore. Së pari, për shumë situata të rrezikshme për publikun, probabiliteti dhe madhësia e pasojave nuk njihen. Së dyti, rregullat e vendimmarrjes për situatat e pasigurta, janë shumë të ndryshme nga ato që përdoren në situata ku probabiliteti dhe pasojat janë të përcaktuara mirë.

Burimet e riskut ushqimor

Analiza që lidhet me sigurinë ushqimore mund të fillojë duke identifikuar burimet e rrezikut. Rreziku është një ngjarje apo dukuri e lidhur me një aktivitet apo proces, i cili mund të rezultojë në pasoja negative për mjedisin dhe individët që jetojnë në këtë mjedis. Rreziqet që lidhen me konsumimin e ushqimit mund të klasifikohen rreziqe mikrobiologjike, kimike dhe teknologjike.

Risku mikrobiologjik përfshin të gjitha rreziqet e shkaktuara nga bakteret. Këto mikroorganizma mund të shkaktojnë ndotjen e ushqimit dhe shpeshherë shkaktojnë helmimin e konsumatorëve. Këto mund ta dëmtojnë shëndetin e individit në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte. Pjesa më e madhe e helmimit nga ushqimi shkaktohet nga bakteret si Salmonella, Campylobactercoli dhe Escherichia coli (FSAC, 1993). Dy bakteret e para gjenden kryesisht tek mishi i pulës. Salmonella gjendet kryesisht tek mishi i pagatuar. Sipas

Trickett (1997), shumica e pulave dhe kafshëve të tjera që rriten nëpër ferma përmbajnë Salmonella në zorrët e tyre për shkak të ushqimit të kontaminuar me të cilin rriten, si dhe për shkak të metodave intensive të mbarështimit të tyre.

Risku kimik është i lidhur me përdorimin e aditivëve, proceseve dhe kontrolleve kimike në industritë bujqësore dhe ushqimore. Përdorimi kimik përfshin përdorimin e agro-kimikateve,hormonit të kontrollit të rritjes, trajtimet anti-biotike për të rritur pjellorinë etj. Kimikatet mund të përdoren gjerësisht në fazat e përpunimit dhe shpërndarjes të zinxhirit të furnizimit të ushqimit për të siguruar ose ruajtur karakteristikat specifike të produktit. Mbetjet kimike të padëshiruara mund të lindin për shkak të përdorimit ose menaxhimit të papërshtatshëm. Produktet e ushqimit mund të përmbajnë elemente kimike qëllimisht ose pa qëllim. Elementet e panjohura ka të ngjarë të jenë mbetje të padëshiruara nga proceset e prodhimit.

Risku teknologjik i referohet pasojave të mundshme negative të avancimeve teknologjike në produktet ushqimore, siç janë rrezatimi i ushqimit dhe modifikimi gjenetik i ushqimit. Në përgjithësi, teknologjia ka kontribuar me shumë tek rritja e përfitimeve në aspektin e sigurisë së ushqimit, si dhe rritjes së disponueshmërisë së tij. Por është e zakonshme që publiku të tregojë shqetësimin e vet për teknologjitë e reja. Clarke dhe Moran (1995) citojnë se avancimet teknologjike zakonisht janë kontraverse dhe është e vështirë të parashikohet se si konsumatorët do t’i pranojnë ato. Përdorimi i teknologjisë së rrezatimit është një rast për shembull. Një studim i kryer nga Shoqata e Konsumatorëve në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1990 tregoi se më shumë se një e treta e konsumatorëve nuk e favorizonin rrezatimin e ushqimit (Harris, 1990). Ekzistojnë disa rreziqe potenciale për cilësinë e produktit me teknikën; për shembull, disa baktere mund të kufizojnë jetën e ruajtjes së ushqimit të rrezatuar (FSAC, 1993). Gjithashtu, ushqimet e modifikuara gjenetikisht (OMGJ) u bënë një nga problemet më të mëdha për sigurinë ushqimore pas publikimit të një studimi të diskutueshëm që provonte problemet e mundshme shëndetësore tek minjtë e ushqyer me patate gjenetikisht të modifikuara (Gregoriadis, 1999, Pollack, 1999, Weiss, 1999). Debati i vazhdueshëm, i karakterizuar nga shumëllojshmëria e mendimeve të shprehura nga shkencëtarët dhe ekspertë të tjerë, ngre më tej ndjenjën e pasigurisë rreth produkteve OMGJ në mesin e një publiku më pak të informuar shkencërisht. Prandaj, është e rëndësishme që debati shkencor të përkthehet për konsumin e përgjithshëm.

Trendet që kanë rritur sfidat/shqetësimet për sigurinë ushqimore

Ndryshimi i praktikave në blegtori: Së pari, praktikat moderne të mbarështimit të kafshëve po përdoren për të maksimizuar prodhimin. Këtu përmendim kryesisht trajtimin me hormonet e rritjes. Kjo ka rezultuar në shfaqjen e disa patogjenëve si Salmonela apo Campylobacter, pothuajse të të gjitha kafshët që përdoren për prodhimin e produkteve të mishit (pulat, lopet, derrat etj). Së dyti, përdorimi i antibiotikëve tek kafshët është lidhur me shfaqjen e bakterieve të reja reszistente ndaj antibiotikëve.

Ndryshimi i praktikave në bujqësi: Praktikat bujqësore kanë kontribuar në rritjen e rreziqeve lidhur me frutat dhe perimet e freskëta. Këtu përfshihen përdorimi i plehut të kafshëve, fertilizuesit me kimikate, përdorimi i ujrave që përmbajnë patogjenë për ujitje.

Rritja e tregtisë ndërkombëtare: lejon lëvizjen e shpejtë të mikroorganizmave nga një vend në tjetrin. Koha e rritur midis përpunimit dhe konsumimit të ushqimit çon në mundësi shtesë për kontaminimin e tij, duke rritur kështu rrezikun e sëmundjeve ushqimore. Gjithashtu, ushqime që paraqesin rrezik mund të arrijnë më lehtë te konsumatorët në mbarë botën.

Rritja e lëvizjes së lirë (udhëtimeve): Personat e ekspozuar ndaj sëmundjeve të ndryshme ushqimore në një vend mund t’ua transmetojnë individëve të tjerë që mund të jetojnë me mijëra kilometra larg vendit të origjinës së sëmundjes.

Ndryshimet në stilin e jetës dhe kërkesat e konsumatorit: Këto trende kanë ndikim në frekuencën dhe natyrën e sëmundjeve ushqimore, pasi konsumatorët preferojnë të kenë qasje për ushqime sezonale gjatë gjithë vitit. Për më tepër, në vendet në zhvillim vërhet një rritje e përgjithshme në jetesën urbane dhe konsumimi i ushqimit të përgatitur jashtë (street food) është një komponent i rëndësishëm i dietës ditore të kësaj jetese.

Bioterrorizmi: Pas incidenteve në rritje të sulmeve terroriste në shumë vende në vitet e fundit, shqetësimet rreth kontaminimeve të qëllimshme të ushqimeve nga terroristët, kriminelët apo grupe të tjera antisociale, janë intensifikuar ndjeshëm. Sipas OBSH, “çelësi për parandalimin e bioterrorizmit është përmirësimi i programeve ekzistuese të sigurisë ushqimore. Forcimi i programeve kombëtare lidhur me sigurinë ushqimore kërkon që politikat, legjislacionet ushqimore, inspektimet etj të përditësohen”.

Ushqime që kanë shkaktuar sëmundje në rajone të ndryshme

Në shtator të 2008, u raportuan rastet e para të sëmurjes së foshnjave në Kinë si pasojë e konsumit të një marke qumështi pluhur me një formulë specifike. Deri në 26 shtator të 2008, rreth 54,000 foshnja kishin kërkuar trajtim mjekësor dhe 12,900 prej tyre u shtruan në spital. Deri në dhjetor të atij viti, u regjistruan 294000 raste të prekurish, ku 6 prej tyre humbën jetën. Arsyeja për këtë krizë drastike të sigurisë ushqimore u identifikua formula e qumështit pluhur, që përmbante nivele shumë të larta melamine. Deri në këtë kohë, rreth 47 vende e kishin importuar këtë produkt të kontaminuar me melaminë. Megjithatë, tregtimi u ndërpre pasi shumë shtete aplikonin tolerancë zero të melaninës në produktet e qumështit për shkak se mungonin studime shkencore ndërkombëtare për nivelet e lejuara të këtij përbërësi tëk produktet e destinuara për fëmijë. Pas një takimi të ekspertëve nga FAO dhe OBSH në Kanada në dhjetor të 2008 u përcaktua një sasie e tolerueshme e konsumit ditor të melaminës.

Në 2002, në Kinë, më shumë se 200 nxënës u helmuan dhe 38 prej tyre humbën jetën për shkak të kontaminimt të qëllimshëm të prodhimeve të brumit nga një konkurrent i një restoranti në Tangshan, një provincë e Nanjing. Ai hodhi helm minjsh në ushqimet që do të servireshin në vaktin e mëngjesit.

Në 2000, një helmim ushqimor u lidh me produktet e qumështit të prodhuar nga një fabrikë (Snoë Brand Company) në Osaka, Japoni. Si pasojë e tij, u prekën rreth 14,780 persona, duke e bërë një nga rastet më të rënda të helimimit nga ushqimet në shtetin japonez.

Në 1996, të paktën 9,578 individë (kryesisht nxënës shkolle) u prekën nga Escherichia coli për shkak të konsumimit të lakrës së bardhë në Japoni.

Në 1988, në Kinë u përhap një epidemi e rëndë e Hepatitis A si pasojë e konsumimit të molusqeve. Nga kjo u prekën rreth 292,000 individë dhe 9 prej tyre humbën jetën.

Perceptimi mbi riskun ushqimor

Janë bërë studime të gjera për të lidhur burimin e riskut ushqimor me perceptimin e konsumatorit. Megjithatë, duket se perceptimi i rrezikut të konsumatorit për sigurinë e ushqimit përcaktohet jo aq nga vetë rreziku sesa nga karakteristikat sociale dhe psikologjike të rrezikut të ushqimit. Slovic dhe kolegët e tij sugjerojnë një sërë karakteristikash rreziku për të shpjeguar perceptimin publik, të tilla si ashpërsia e pasojave, kontrolli mbi rrezikun, efekti i menjëhershëm, njohuritë për rrezikun, etj. Slovic (1987) më tej tregon se disa karakteristika të rrezikut janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën në një gamë më të gjerë rreziqesh. Rreziqet që perceptohen të jenë vullnetare kanë tendencë që të vlerësohen si të kontrollueshme; rreziqet me efektet negative të vonuara kanë tendencë të jenë “të panjohura” për publikun.

Studimet e fundit tregojnë se perceptimi i riskut dhe sjellja e blerjes janë të lidhura me njëra tjetrën: e para është një variacion i rëndësishëm shpjegues i këtij të fundit. Huang (1993) thotë se konsumatorët tregojnë një tendencë për të shmangur produktet ushqimore që në konceptin e tyre janë të kontaminuar. Në një kontekst të thjeshtë, Eom (1994) konfirmon se konsumatorët perceptojnë se prodhimet që përmbajnë pesticide shfaqin rreziqet shëndetësore dhe përpiqen të reduktojnë konsumimin e tyre. Të dy studimet theksojnë rëndësinë e subjektivitetit të perceptimeve të rrezikut në sjelljen e blerjes, duke siguruar dëshmi të marrëdhënieve negative mes perceptimit të rrezikut dhe gjasave të blerjes.

Referencat

Clarke J. dhe Moran A., 1995, “An investigation into the current market for fruit in the UK and the measures taken to promote an increase in con umer consumption’’, Nutrition & Food Science, Vol. 95 No. 6.

Eom Y. S., 1994, “Pesticide residue risk and food safety valuation: a random utility approach”, American Journal of Agriculture Economics, vol. 76, faqe 760-772.

FDA, 2016, “2016 Food Safety Survey”, Consumer Studies Branch, Center for Food Safety and Applied Nutrition.

FSAC, 1993, “Food Safety: Questions and Answers”, 2nd ed., Food Safety Advisory Centre. Gregoriadis L., 1999, “GM foods overtake BSE as top safety concern, says survey”, The

Guardian.

Harris L., 1990, “Science at the supermarket: Your food, whose choice?”, HMSO, Londër, faqe 1834.

Henson S. dhe J. Caswell, 1999, “Food safety regulation: an overview of contemporary issues”, volume 24, Issue 6, faqe 589-603.

Huang C. L., 1993, “Simultaneous equation model for estimating consumer risk perceptions, attitudes, and willingness to pay for residue free produce”, The Journal of Consumer Affairs, vol. 27, faqe 377-378.

Pollack A., 1999, “A disputed study suggests possible harm from genetically altered food”,

New York Times.

Royal Society, 1992, “Risk: Analysis, Perception and Management”, The Royal Society, London.

Slovic P., 1987, “Perception of risk”, Science, vol. 236, faqe 280-285.

Trickett J., 1997, “Food Hygiene for Food Handlers”, 2nd ed., Macmillan Press Ltd,

Basingstoke.

Weiss R., 1999, “Gene-altered food study fuels a fire”, The Washington Post.

/mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here