“Të rifitojmë jetën”: Më shumë vende lehtësojnë kufizimet e koronavirusit

E mbani mend kohën kur festonim deri vonë? Uleshim krah-më-krah në kinema, nuk mbanim maska. Pak nga pak, shumë shtete po i lehtësojnë kufizimet e tyre ndaj COVID-19 dhe shpresojnë që vala e omicron e ka kaluar pikun, në mënyrë që t’i rikthehemi jetës së mëparshme. Këto lehtësime mund të shënojnë një pikë të re kthese në thuajse dy-vite-pandemi. Varianti jashtëzakonisht i ngjitshëm, omicron, ka shkaktuar më shumë se 90 milion raste, në më pak se 10 javë – më shumë sesa gjatë 2020, viti i parë i pandemisë.

OBSH këtë javë tha se shumë shtete po konsiderojnë lehtësimin e masave anti-covid nëse kanë një shkallë të lartë imuniteti, sistemi i tyre shëndetësor është i fortë dhe trendet epidemiologjike po shkojnë në drejtimin e duhur.

Sipas Ministrit turk të Shëndetësisë, Fahrettin Koca, më e keqja ka kaluar, ndërsa Ministri norvegjez i Shëndetësisë Ingvild Kjerkol tha ditën e martë se ka ardhur momenti që t’i rikthehemi jetës së mëparshme.

Norvegjia hoqi orën policore dhe lejoi grumbullimet me më shumë se 10 persona, ndërsa Austria, vendi i parë evropian që i bëri vaksinat të detyrueshme, po planifikon që gjatë këtij muaji të lejojë qëndrimin e restoranteve hapur deri vonë.

Vetëm pak ditë para Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, Kina vazhdon t’i qëndrojë politikave zero-COVID, nëpërmjet karantinës strikte dhe mbylljes së vendit, mbajtjes së maskave në publik dhe iu kërkon njerëzve të tregojnë statusin e tyre të “gjelbër” në aplikacionet e shëndetit për të hyrë në restorante dhe dyqane.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se asnjë shenjë e virusit nuk duhet nënvlerësuar dhe se vigjilenca ndaj mutacioneve të reja nuk duhet ulur.

Shefi i emergjencave të Organizatës Botërore të Shëndetit, Dr. Michael Ryan, paralajmëroi se presioni politik mund të bëjë që disa vende të hapen shumë shpejt dhe se kjo do të rezultojë në dëme shëndetësore të panevojshme.

Burimi: AP News

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here