Turizëm: Efektet e pandemisë dhe tendencat e reja në tregun e qerave afat-shkurtra.

Një industri tjetër e prekur negativisht nga pandemia është turizmi. Përpara pandemisë, turizmi ishte një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonominë botërore. Pandemia shkaktoi pasoja të konsiderueshme në ekonomitë ku mbahen më shumë me turizëm. Shumë njësi tregtare u detyruan të mbylleshin për një kohë të gjatë, jo vetëm për industrinë HORECA (hoteleritë-restorantet-kafenetë) por edhe për modelet e tjera të turizmit si industria e Airbnb ose Booking, agjensi të ndryshme turistike të cilat u ndikuan me bllokimin e përgjithshëm të të ardhurave për ofruesit. Me mijra vende punë janë vënë në rrezik si rrjedhojë. Operatorët turistikë janë prekur thellësisht nga mungesa e turizmit gjatë 2020 dhe fillimi i 2021, dhe do të kenë vështirësi të mbartura për një kohë derisa njerëzit të ndjehen të sigurt për të udhëtuar sërish në masë.

Anembanë, u pa që ekonomitë e varura direkt nga turizmi morën masa për të rivendosur politika të reja për të zbutur disi ndikimin e rënies së të ardhurave të turizmit në biznese familjare të vogla apo dhe të mesme. Disa nga masat e përkohshme që u morën në shumë shtete të botës, ishin lehtësimi i taksave, mbështetja e pagave dhe garancitë e huasë, grante të vogla, etj. Bankat, gjithashtu, ndaluan ose rishtynë afatet për ripagimet e huasë për disa muaj. Disa vende e kanë përqendruar mbështetjen e tyre tek punetorët informalë që priren të përqendrohen në sektorin e turizmit dhe që janë shumë të prekshëm nga një krizë e tillë.

Gjithmonë është paë se nga prishja e ekuilibrit të ekonomisë, dalin mundësi të reja për të zhvilluar edhe pse e ardhmja është në pikëpytje. Për këtë mjafton të thellohemi tek Teoria ekonomike “Prospect theory” (Daniel Khneman-Nobel Prize 1979-1992), i cili përshkruan mënyrën se si njerëzit zgjedhin midis alternativave probabilistike që përfshijnë rrezikun, ku gjasat e rezultateve nuk janë të njohura. Teoria pohon se njerëzit marrin vendime bazuar në vlerën e mundshme të humbjeve dhe fitimeve në vend të rezultatit përfundimtar dhe se njerëzit i vlerësojnë këto humbje dhe fitime duke përdorur disa heuristikë. Sipërmarrësit në kohët e sotme i kanë përdorur këto teori për të ndertuar strategji të suksesshme marketing duke krijuar kompani të reja ose rimodelime të bizneseve të tyre aktuale, meqënëse rezulatet bazohen në analiza probabilitare. Gjithashtu, kriza po shihet si një mundësi për të përmirësuar industrinë e turizmit në një periudhë afat-mesme dhe afat-gjatë përmes dixhitalizimit dhe qëndrueshmërisë së mjedisit, sipas një raporti të FMN. OBT (Organizata Botërore e Turizmit) ka inkurajuar nëpërmjet programeve specifike mbështetjen për trajnimin e punëtorëve të operatorëve turistike, që ata të ndërtojnë aftësi dixhitale për të shfrytëzuar të dhënat që marrin nga përdorimi i teknologjive dixhitale në turizëm dhe analizave së të dhënave që gjenerohen nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (IA).

Bizneset që janë të përfshirë në industrinë e turizmit krijuan rimodelim të shërbimeve të tyre, pra nëse ra kërkesa për hoteleri dhe drekimet jashtë në restorante, u rrit më shumë nevoja për shërbime katering. Gjatë pandemisë u pa që në Shqipëri, shumica e restoranteve adaptuan modelin e kateringut, duke mbajtur kështu biznesin aktiv. Në këtë mënyrë siguruan të ardhura dhe nuk rrezikuan vendet e punës.

Një tjetër model biznesi, në plot raste dhe informal, që ka pak vite që ka filluar të gjenerojë të ardhura është dhe Airbnb. Ofrimi i qiradhënies afat-shkurtër nëpërmjet platformës Airbnb, që në Shqipëri mund të konsiderohet si një rrugë zhvillimi për të ulur varfërinë dhe për të përmirësuar ekonominë vendase, me mbylljen e fluturimeve dhe udhëtimeve turistike dhe tregtare, përjetoi pasoja negative të menjëhershme.

Ndërkohë që nga gjysma e dytë e 2020 masat filluan të lehtësohen, ofruesit e shërbimeve turistike dhe ato me Airbnb filluan të kërkojn nje ekuilibër, pra krijimi i një normaliteti të ri.

Vende të ndryshme, të cilat mbahen kryesisht me turizëm, miratuan programe të ndryshme për pranimin e turistëve si psh. të pranojnë turistë nga vende me “rrezik të ulët”, me protokolle të veçanta karantine deri tek lejet e qëndrimit me kohë të zgjatura deri në 12 muaj psh vendet si Barbados, Estoni, Gjeorgji, Aruba, Ishujt Kajman, etj. Në një epokë të re të punës në distancë, turistët jo vetëm që izolohen dhe qëndrojnë në një vend për një kohë të caktuar, pra eliminohet lëvizshmëria e shpeshtë e tyre, por edhe joshen për të sjellë me vete zyrat e tyre virtuale, ndërkohë që shpenzojnë në ekonomitë vendase.

U vu re që fjalët kyçe nëpër komentet që linin klientët në njësitë e publikuara në Airbnb, kanë qënë “rizhvendosje”, “puna në distancë”, “provojmë një lagje të re”, etj, e cila tregon përdorimin e ambjenteve të Airbnb si zyra pune. Në një sondazh gjatë 2020 për Airbnb në Amerikë, 83% e të anketuarve thanë se nuk do ta kishin problem të zhvendoseshin dhe të merrnin shtëpi me qera të përkohshme si pjesë e punës në distancë. Në një tjetër sondazh të kryer në fillim të vitit 2021 (SHBA) për planet për udhëtime gjatë vitit, për shkak të pandemisë 60% e prindërve mendonin të udhëtonin me fëmijët e tyre dhe të punojnë në distancë, nëse oraret e shkollave do të vazhdojnë të jenë online. Për shkak të kësaj tendence të re të mënyrës së të punuarit, shumë njerëz po përdorin pronat me qira të listuara në Airbnb për të testuar dhe lagje të reja përpara se të bëjnë lëvizje të përhershme. Kjo bëri që industria e Airbnb, në prag të një falimentimi gjatë krizës së 2020 të gjente zgjidhje të reja duke u përshtatur sërish në treg.

Lëvizja në “tufë” gjithashtu është një trend i ri në turizëm si dhe në përdorimin e shtëpive me qera afat-shkurtër me Airbnb. Lëvizja në “tufë” quhet kur një grup miqsh ose familjarë bëjnë një udhëtim së bashku për të minimizuar rreziqet e shoqërimit me të tjerët. Pjesëmarrësit mund të marrin me qera disa dhoma ose një vilë në mënyrë që të qëndrojnë së bashku. Protokollet shëndetsore të tilla si distancimi social, kërkohen të respektohen në çdo rast, në çdo hotel apo shtëpi që do të frekuentohet këtë sezon turistik, në mënyrë që të rrisin sigurinë. Vaksnimi gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në rifillimin e rimëkëmbjes së turizmit. Në Shqipëri, operatorët turistikë kanë qenë një nga grupet emergjente për vaksinim përpara sezonit turistik. Edhe gjatë pandemisë, qiradhënësit kanë arritur të mbajnë nivelet e shfytëzimit të kapaciteteve të larta dhe të gjenerojnë të ardhura. Pra, nëse bëhen përgatitjet e nevojshme, me protokollet e higjienës të vendosura nga Ministria e Shëndetesisë, si dhe me rimodelimin e brendshëm për mini-zyrë, ata që janë të interesuar për të drejtuar një biznes të pronave me qera afat-shkurtra mund të jenë të suksesshëm gjatë 2021./mendimi.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here