Diskutim: Demokracia globale e plotë, një pyetje e re për njerëzimin.

Sipas pikëpamjes perëndimore, arsyeja dhe logjika janë themeli kryesor i njerëzve në të vepruarit dhe sjelljen, sepse kujtesa njerëzore, aftësia dhe intuita burojnë nga truri, në mënyrë që njerëzit të marrin frymë, të riprodhohen, të mbrojnë veten, politikën, të luajnë, të flenë gjumë dhe aktivitete të tjera. Ndërgjegja njerëzore si një specie superiore që mund të mbijetojë deri më tani u konceptua shumë kohë para se të zbulohej teoria e evolucionit. Njerëzit atëherë ishin në gjendje të zhvillonin aftësitë e tyre në jetë, komunitet, të formojnë grupe dhe të sulmonin grupe të tjera. Në këtë pikëpamje njerëzit janë në gjendje të kontrollojnë mënyrën e të jetuarit. Fakti që njeriu po shpik teknologji të reja për të krijuar jetë nëpërmjet klonimit apo krijimit të embrioneve me modifikime laboratorike, i jep atij një titulli Krijues – pra Zot. Kjo lloj teorie prezantohet në librin e Yuval Noah Harari. Koncepti i tij “Homo Deus” lidhet me Modernizmin e rolit të njeriut në Tokë, si krijues jete. Në këtë formë njeriu jo vetëm që kontrollon mënyrën e të jetuarit por dhe vetë jetën.

Në aspektin social, njeriu ka dhe aftësi për shtetformim. Shfaqja e rolit të shtetit kërkon ekzistencën e tokës, pasuesve dhe marrëveshjeve apo sistemeve shoqërore. Kjo marrëveshje mund të reflektohet në forma të ndryshme, por paratë dhe taksat janë dy elementët më dominues deri më tani për të mbajtur fort themelet e marrëveshjeve mes shtetesh, pas të cilave lëviz çdo sistem shoqëror. Ndërkohë në vende me qeverisje të dobta interesat e qeveritarëve gjatë qeverisjes janë vetë për përfitime vetjake, dhe jo për popullin. Demokracia është një sistem i tillë i të gjitha vendeve në të cilat njerëzve u është dhënë e drejta të zgjedhin qeverisësin e tyre sipas dëshirës së tyre.

Në foto vëmë re nivelin e arritjes  së demokracisë globale. Sipas Indeksit, renditja e 165 shteteve ne bazë të arritjes së demokracisë së tyre përcaktohet nga numërimi i vendeve në bazë të zgjedhjeve të drejta, pluralizmit, mënyrës se si funksionon qeveria, pjesëmarrjes politike, kulturës politike dhe lirive civile. Për 2021 Shqipëria ndodhet në vendin e 79 me regjim hibrid në krahasim me 2020 ku ishte në vendin 71 dhe e cilësuar me Flawed Democracy (Demokraci me të meta).

Sipas, Global Index, regjimet hibride janë vendet ku ndodh mashtrimi i rregullt zgjedhor, ato parandalojnë një demokraci të drejtë dhe të pavarur. Këto kombe zakonisht kanë qeveri që krijojnë hapësira për kundërshtarë politikë, gjyqësorë jo të pavarur, korrupsion të përhapur, shtypje dhe presione të imponuara në media, sundim kaotik të ligjit dhe kulturë politike të pazhvilluar.

“Nëse kombi dhe identitetet kombëtare kanë rëndësi gjithnjë e më pak – dhe nëse qeveritë kombëtare janë gjithnjë e më pak efektive në qeverisjen e tyre përballë një ekonomie globale – atëherë çfarë bëhet me demokracinë? A është e mundur të konceptohet një demokraci e cila mund të punohet në një shkallë globale?” – Yuval Noah Harari

Tani, në epokën e teknologjisë së avancuar ku njerëzit për të lehtësuar jetesën e tyre janë në garë për risi teknologjike. Në shtetet ku do të mbizotërojë zhvillimi teknologjik në çdo aspekt të jetës së njeriut, lind pyetja: Deri ku duhet të shkojë ky zhvillim? A do të kemi më vetëvendosje dhe demokraci nëse do ta sundojë jetën tonë teknologjia që ne do të krijojmë? Në çfarë modeli sistemi të ri qeverisës do të futemi nëse lejojmë që vendimet të merren nëpërmjet inteligjencës artificiale (ndryshe AI)? Si do të vlerësohet jeta, dhe çfarë sistemi ekonomik do të krijohet? A do të ketë treg të lirë dhe konkurrues, apo do të jetë i gjithi i komanduar dhe i kontrolluar nga një dorë/sistem i unifikuar?

Nëse bëhet unifikim i parasë, dhe nuk do të ketë më këmbime valutore, si do të ndikojë në tregjet ndërkombëtare shkëmbimi i mallrave? A do të arrijnë shtetet në zhvillim (si Shqipëria) të përmirësojnë nëpërmjet teknologjisë demokracitë e tyre, apo do të bien më poshtë? Kush do t’i kontrollojë këto shtete që ato të ndjekin një qeverisje të drejtë dhe demokratike ndërkohë që ato të mos abuzojnë me kontrollin e plotë nëpërmjet teknologjisë? Sa efektive do të jenë ato nëpërmjet AI në mënyrë që të rrisin nivelin e demokracisë në vend? Kush garanton që nuk do të kalojnë në ekstremin tjetër të totalitarizmit?

Në shtetet në zhvillim të cilat përballen me varfëri dhe nivel zhvillimi të ulët e të ngadaltë, është e vështirë të kuptohet denjësisht demokracia nga të gjithë, pasi njerëzit duhet të edukohen dhe të përjetojnë gjatë benefitet e sistemit të ri. Në të shumtën e rasteve, përfitojnë nga korrupsioni i shpejtë për të evituar burokracitë. Shumë pyetje ngrihen, por me zhvillimin dhe modernizimin e jetës nëpërmjet AI, ne duhet patjetër të përmirësojmë vlerat dhe moralet e shoqërive, pasi duhet të mbrojmë demokracinë në thelb. A mund të arrihet një demokraci për të gjithë? Që të kuptojmë demokracinë globale, duhet që të gjitha shtetet ta njohin dhe ta mbrojnë atë. /mendimi.al

 

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here