Në Çikago, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kisha St. Nicholas drejtohet nga prifti shqiptar Ignatios-Viktor Kruja. Përpara se të kemi një intervistë më këtë prift, cila është historia e kësaj kishe?
Në faqen në internet të kishës St. Nicholas thuhet: “Në pranverën e vitit 1944, 12 burra me origjinë shqiptare vendosën të organizojnë një kishë për komunitetin e familjeve të të krishterëve orthodoksë të cilët kishin emigruar në Çikago gjatë viteve 1920 dhe 30-të. Burrat filluan të takohen në shtëpitë e tyre dhe në stinën e verës vendosën ta quajnë kishën e tyre: Kisha Orthodokse Shqiptare Shën Nikolas.”
Kisha e re u riorganizua nga shteti i Illinois në 18 Qershor 1944. Themeluesit më pas u fokusuan në një detyrë më të vështirë: thithjen e donacionevee për blerjen e një godine ku komuniteti shqiptaro-orthodoks mund të mblidhej.
Pas rreth 3 vitesh ngritje fondesh, u mblodhën mjaftueshëm para dhe në 1 mars 1947 komuniteti shqiptar i St. Nicholas bleu Kishën Daneze Evangjeliste Luteriane të Cikagos me adresë në 1655 N. Rockwell Street, për shumën $6,000. Aplikimi për statusin formal si një Kishë Orthodokse Shqiptare kanonikale, iu bë Dioqezës së Kishës Orthodokse Shqiptare të Amerikës dhe njohja zyrtare iu dha nga prifti Fan S. Noli.
Kush është Ignatios-Viktor Kruja? Origjina, edukimi, karriera?
Jam i lindur në Tiranë në Tetor të 1985, djali i dytë i Adrian Kruja dhe Vjoleta Bozdo. Vitet e fëmijërisë i kalova në Tiranë ku u edukova deri në klasën e tetë. Kohë të vështira si për të gjithë shqiptarët dhe duke mos patur mundësi të përballohen shumë gjëra, mamaja vendosi të emigrojmë në Greqi, ku kishte edhe pjesëtarë të familjes së saj, meqë është pjesë e minoritetit grek të Shqipërisë. Ngaqë kushtet nuk ishin të lehta, u detyrova të filloj punë që në moshën 15 vjeç, duke shkuar në mëngjes në punë dhe në darkë në shkollë. Dilja nga shtëpia në 7.30 të mëngjesit edhe kthehesha në 11 të natës.
Ndërkohë që gjithë shokët e moshës time argëtoheshin, unë isha i detyruar të luftoja për jetesën. Mbarova dy shkolla të mesme, një teknike për hidraulik, edhe një të përgjthshme nga e cila dhashë provimet dhe kalova në Universitetin Ekonomik të Selanikut. Binomi punë-shkollë vazhdon edhe në universitet (deri tani 24 vjet punë pa ndalim).
Dëshira për t’u bërë prift ka qenë një dëshirë që kur isha fëmijë fare i vogël, të cilën e kultivova gjatë viteve që kaluan deri në momentit që mora vendimin për të bërë hapin kryesor. Kjo dëshirë që kisha nuk ishte vetëm diçka që e kërkonte zemra ime, por edhe një thirrje gjaku, meqënëse kam pasur dy parardhës të afërm që kanë qenë priftërinj, stërgjyshi im At. Konstandin Bozdo, që meshonte në fshatrat e Dropullit dhe sidomos në manastirin e Shën Trinisë në Pepeli, edhe i ati i tij At. Vangjel Papa (mbiemri u bë Bozdo në kohën e komunizmit) që ka qenë prift në Athinë dhe në zonën e Pogonit.
Edhe pse kisha shumë pengesa dhe mospranim nga ana e familjes ose e rrethit shoqëror, nuk bëra hap pas, por eca përpara me më shumë vullnet. Në fund të 2015 duke qenë në moshën 30-vjeçare dorëzohem në gradën e parë të priftërisë, që është ajo e Dhjakut, duke marrë emrin Ignatios. Në të njëjtën kohë jap provimet dhe pranohem në Universitetin Teologjik të Selanikut (si shkollë e dytë) edhe paralel në Universitetin e Hapur të Patrës për Master në Teologji. Studimet mbarojnë gjatë periudhës të Covid-19, një periudhë që pasi u sëmura, erdhi ora për të kaluar në gradën e dytë të priftërisë, atë të Priftit.
Si u kombinuan rrethanat dhe u bëtë drejtues i kishës Saint Nicholas ne Çikago të Illinois, SHBA?
Ndoshta do duket si shumë magjike ose e pabesueshme mënyra se si arrita të gjendem në Amerikë. Në fillim të tetorit të 2022 ndërron jetë Mitropoliti Ilia Katre që ishte drejtuesi i Kishës Shqiptare të Amerikës nën Patrarkanën Ekumenike. Që të mos ngelej kisha pa Episkop (se kishë pa episkop nuk ekziston sipas rregullit kishtar) përgjegjësia e Kishës Shqiptare kalon përkohësisht tek Kishe Greke e Amerikës dhe në të njëtën kohë fillon kërkimi i një personi që të jetë shqiptar dhe të flasi gjuhën shqipe, por edhe të ketë edukimin e duhur.
Duke mos patur rrugëdalje, një person që është afër Kryepishkopit të Amerikës kërkoi leje të propozojë një person dhe ky person isha unë. (Njihesha me të pasi ai vinte shpesh në Greqi tek Mitropolia ku isha unë, e dinte se nga isha dhe që e dija gjuhën shqipe). Në këtë mënyrë u lajmërua Mitropoliti im në Selanik i cili më thirri e më dha lajmin. Gjithë kjo u bë pa qenë unë në dijeni.
Ajo që e bën akoma më të çuditshme është se në të njëjtën kohë unë ndjehesha i trazuar brenda vetes edhe doja të largohesha nga Selaniku. Në takimin që kisha me Mitropolitin tim isha gati t’i thoja se doja të ikja, por foli ai i pari dhe më dha lajmin që kishte ardhur nga Amerika dhe më bëri pyetjen: “A do të shkosh?” Aty kuptova që Perëndia punoi edhe një herë tjetër për mua edhe më tregoi rrugën edhe iu përgjigja thirrjes me “Po”.
Si e nisët rrugën tuaj në shërbimin kishtar ndaj komunitetit?
Edhe pse në fillim u planifikua që të shkoja në Boston dhe atje të filloja shërbimin tim, gjatë vitit që kaloi mbas lajmit (2023) në kohët e proçedurës të letrave që duheshin, komuniteti i Çikagos duke pasur disa probleme mbetet pa prift. Kjo ishte gjëja e parë që duhej rregulluar, kështu që në vend që të nisesha për në Boston u nisa për në Çikago.
Mund të duket diçka e thjeshtë të jesh prift por nuk është ashtu, sidomos në Amerikë. Në një situatë komplekse, komuniteti ishte thuajse i shpërbërë tërësisht, plus Covid-i që i mbylli njerëzit në vetvete, ndikoi edhe më shumë në këtë shpërbërje. Me fjalë të thjeshta gjeta tokë të djegur, por njerëz, edhe pse të plagosur shpirtërisht nga situatat që kaluan, me shumë dashuri për kishën edhe komunitetin.
Edhe pse ka kaluar gati 1 vit që jam këtu, ka njerëz që akoma e shikojnë priftin me një dyshim edhe me pak frikë duke shpresuar se nuk do ndodhin të njëjtat gjëra që ndodhën më parë. Mundohem sa më shumë për të mirën e komunitetit, edhe siç e kam për çdo gjë që bëj në jetën time, e bëj me dashuri edhe se pëlqej këtë rrugë që kam zgjedhur dhe e bëj me gjithë zemër.
Si është e organizuar një kishë në ShBA?
Organizimi i një kishe është pak a shumë gjithandej i njëjtë. Është kisha (ose komuniteti) që varet nga Dioqeza ose Mitropolia dhe Dioqeza, e cila varet nga Kryepishkopata ose Patriarkana. Në rastin e kishës tonë të Shën Nikollës në Çikago, kisha varet nga Dioqeza Orthodokse Shqiptare e Amerikës, e varur nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës (Stambollit). Si kishë është e njohur nga shteti i Ilinoisit, ka kushtetutë të veçantë edhe në bazë të kushtetutës organizohet edhe drejtohet.
Sipas kushtetutës, organi kryesor i kishës është asambleja e përgjithshme ku marrin pjesë të gjithë anëtarët e komunitetit, me një gjë të veçantë që vetëm ata që janë shqiptarë, ose janë të martuar me shqiptarë, ose kanë një paraardhës shqiptar, kanë të drejtë të votojnë në vendimet e asamblesë. Asambleja mblidhet një ose dy herë në vit.
Organi i dytë i kishës dhe që drejton kishën është Këshilli i Kishës. Përbëhet nga 13 anëtarë të kishës (që duhet të kenë një lidhje shqiptare), 12 janë laik që përbëjnë presidentit, sekretarin, arkëtarin dhe anëtarë të thjeshtë edhe 1 është prifti i komunitetit. Përveç priftit të gjithë pjesëtarët e tjerë të këshillit zgjidhen nga asambleja e përgjithshme çdo 2 vjet.
Pastaj brenda, kisha ka ministri të ndryshme si psh. Grupi i Grave (që merret me punë bamirësie), Grupi i Rinisë, edhe Shkolla e Gjuhës Shqipe me Grupin Arbëria (valle) që nuk janë ministri të kishës por janë nën mbrojtjen e kishës (ka këshill drejtues edhe fëmijët që vijnë janë pa dallim feje).
Kisha që drejtoni mbledh vetëm shqiptarë apo edhe kombësi të tjera?
Si kishë quhet shqiptare, kjo për arsyen se e formuan shqiptarë për të pasur mundësinë e jetës kishtare në gjuhën e tyre. Është më se e kuptueshme se mbas 80 vite jetë, përveç atyre që erdhën në Amerikë mbas vitit 1990 ose vijnë të rritur nga Shqipëria, asnjë nuk e flet më gjuhën. E kuptojnë pak por jo aq sa të mund të kuptojnë çfarë mund të thuhet gjatë meshës në gjuhën shqipe.
Njerëzit që vijnë në kishë nuk janë vetëm shqiptarë (shumë herë shqiptarët janë pakica), por ka nga kombe të ndryshme: grekë, rumunë, nga vendet sllave ose dhe amerikanë të konvertuar në orthodoksë.
Kisha nuk është etnike ose shtetërore, dhe është e hapur për të gjithë njerëzit pa dallim origjine. Arsyja e vetme që në Amerikë ose dhe në vende të tjera vihet tek emri i kishës një kombësi, është thjeshtë për të treguar se kush e ka formuar, dhë është një mënyrë që njerëzit të mbajnë gjallë besimin, traditën dhe gjuhën e atdheut.
Sa të lidhur janë shqiptarët me kishën? Nga cilat qytete shqiptare e kanë origjinën ata?
Siç e përmenda më sipër arsyeja që njerëzit formuan kishën ishte dhe vashdon të jetë, mbajtja e besimit, traditës dhe gjuhës shqipe. Duke mos pasur si bazë të mirë besimin, sidomos ato që erdhën nga komunizmi ateist, duke mos ditur se çfarë është Perëndia ose besimi, e kthyen në mendjet e tyre kishën në një institucion kulturor, domethënë në një grup-shoqatë atdhetare. Marrëdhënia që kanë një pjesë e madhe e anëtarëve me kishën është një marrëdhënie klubi (paguaj anëtarësinë edhe jam në rregull edhe pse nuk e vë këmbën në kishë). Është një problem që është lënë këtu e vite pa u ndryshuar dhe mendoj se ka ardhur koha që të ndryshojë. Të kuptojnë njerëzit se çfarë është kisha.
Grupi i parë që formoi kishën ishte nga Qyteza dhe Sinica (dy fshatra të Korçës) dhe shumica e anëtarëve janë nga rrethi i Korçës, por ka edhe nga gjithë Shqipëria, Tirana, Fieri, Përmeti, Gjirokastra, Vlora, Saranda etj.
Ndjeheni larg vendlindjes ndërsa shërbeni në kontinentin amerikan?
Nuk mund të them se ndjehem larg vendlindjes, sespe si prift, por edhe si murg që jam, kam përgatitur veten time për thirrje në çdo anë të botës. Ajo që eshtë më e vështirë është se jam larg familjes edhe njerëzve të mi. Kjo është pjesa më kryesore, por lavdi Zotit, komuniteti këtu është munduar të më bëjë të ndjehem sikur jam në shtëpinë time edhe të mos ndjehem i huaj.
Ju dukeni mjaft i ri. Cila është mosha juaj?
Faleminderit për komplimentin. Jam 40 vjeç.
Si reagojnë besimtarët kur shohin një prift të ri? A ndikon mosha juaj e re në afrimin e të rinjve pranë kishës?
Reagimet janë të ndryshme. Të vjetrit më shikojnë si nipi ose djali i tyre, ato që janë në moshën time si shokun e tyre dhe ato që janë më të vegjël si babain e tyre. Në një mënyrë më të përgjithshme respektojnë rolin që kam.
Mosha mund të luajë rol të vogël në afrimin e të rinjve, sipas mendimit tim. Ajo që është kryesore është të kesh shpirt dhe mendje të hapur, pa pengesa, që të mund të kuptosh por edhe të përshtatesh në nevojat e çdo moshe dhe kohe.
Mendoni se jeta sot, rrjetet sociale dhe mesazhet e dëmshme i largojnë të rinjtë nga besimi në Zot, më shumë seç ndodhte 15 vite më parë?
Interneti sado që është një mënyrë e shkëlqyer për të pasur më shumë njohuri dhe zhvillim i ka bërë njeriut një gjë të keqe: e mësoi si të bëjë dhe të gjejë gjëra shumë lehtë, pa u munduar fare. Do thotë dikush se kjo është e mirë, dhe e pranoj se është shumë e mirë, por njeriu harroi se si është të fitosh diçka me djersën e ballit. Mundohemi të gjejmë gjëra dhe mënyra sa më të thjeshta, dhe ajo që është më e tmerrshme, nuk mendojnë, nuk punon truri, siç e themi në një gjuhë më popullore.
Çfarë shikojmë në internet e bëjmë ‘Bibël’ pa u menduar dhe pa e filtruar a është e vërtet apo jo. E bën njeriun të besojë se nuk ka nevojë për Zotin, por është vetë i zoti i vetes së tij (sistem komunist). Edhe ju mund ta keni vënë re se kemi njerëz të studiuar (me plot diploma) por jo të edukuar. Edukimi është diçka që fillon nga familja, nga kisha (ose çdo vend besimi që ka dikush).
Ajo që kam kuptuar është se njerëzit nuk largohen nga Zoti se nuk besojnë por largohen sepse u mësuan ti kenë të gjitha pa lodhje, pa mundim, pa detyrime. Marrëdhënia me Perëndinë është një marrëdhënie që ka nevojë të lodhesh pak, duhet të bësh diçka, ka një mundim.
Njerëzit që u rritën pa internet në gjithë mundimet e jetës që kishin, fusnin edhe Perëndinë dhe e kishin pjesë të ditës, merrnin fuqi nga Perëndia që të përballonin vështirësitë. Tani s’kanë nevojë të përballojnë diçka sepse thjesht nuk kanë vështirësi.
Çfarë mesazhi keni për shqiptarët në ShBA dhe të rinjtë në veçanti?
Për shqiptarët, jo vetëm në SHBA por në përgjithësi, kam të njëjtin mesazh që kishte edhe heroi i kombit Gjergj Kastrioti (se ky është emri i tij, por ne shpesh përdorim emrin që i dha Perandoria Osmane): Të jenë të bashkuar. Jo siç u mësuan me shprehjen “feja e shqiptarit është shqiptaria”, por secili me dallimet e tij në fe, origjinë, traditë. Përçarja është bërë pjesë e ADN-së tonë dhe duhet ta heqim nëse duam të ecim përpara si komb. Nuk na e ka fajin asnjeri tjetër; ne vetë e formojmë përçarjen dhe thjeshtë të tjerët përfitojnë nga kjo dhe na përçajnë më shumë.
Për të rinjtë dua të them të mos harrojnë origjinën e tyre, nga kanë ardhur, mundimet që kanë bërë prindërit e tyre. Të mos harrojnë se Perëndia është pranë tyre në çdo moment të jetës dhe nuk është një gogol i frikshëm që nuk i afrohesh dot ose duhet të bësh diçka që ta marrësh me të mirë. Jo! Perëndia është i afërmi i tyre që nuk do ju braktisë anjëherë sado që ne të mundohemi ta largojmë nga jeta jonë. Mos të humbin shpresën për jetën dhe me buzëqeshje t’i përballojnë të gjitha në jetë!