Në punën time si psikologe, shpesh më ndodh që më vijnë klientë e që ankohen se nuk janë të fokusuar në arritjet e tyre. Kërkojnë nga vetja dhe jeta – dhe mirë e bëjnë – por nuk arrijnë të realizojnë çdo gjë që duan. Ndonjëherë ndjehen sikur nuk arrijnë të përkthejnë dëshirat e tyre në veprime konrete për ti përmbushur ato. Argumentojnë me pengesa, të cilat më shumë se reale duken të jenë pjellë e fantazisë së tyre. Unë dua t’i fokusoj lexuesit, miqtë e mi, me disa rekomandime të cilat ua këshilloj dhe klientëve shpesh si formë terapie suksesi.
Jeta është e mbushur me shumë angazhime dhe rutina të përditshme, por nëse nuk mund ta shihni veten duke rrezikuar diçka për të arritur qëllimet tuaja, atëherë ndoshta qëllimet tuaja nuk janë mjaft të qarta, ose mjaft të rëndësishme për ju, dhe kjo nuk do t’ju çojë kurrë në sukses – të paktën jo në një sukses për të cilin mund të ndiheni mirë.
Ideja e suksesit është kaq interesante sepse është krejtësisht e ndryshme për të gjithë. Nuk ka asnjë formulë për suksesin, apo edhe një mënyrë të lehtë për të matur se çfarë është suksesi. Kjo është edhe arsyeja pse mund të duket kaq e vështirë të ndjeni se nuk e keni arritur suksesin, ndoshta sepse shpesh as nuk e dini se si do të dukej suksesi i vërtetë.
Potencialisht, ndodh që objektivat kanë lëvizur pa e ditur. Prandaj, po ju rekomandoj pesë pyetje që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë motivimet dhe metodat tuaja për të arritur suksesin, dhe që shpresojmë se do të transformojnë jetën tuaj. Këto pyetje i kam ndarë sipas një kronologjie psikologjike, njohëse dhe auto-stimuluese.
- Pyetja për objektivat
- Pyetja e besimit
- Pyetja e zemrës
- Pyetja e integritetit
- Pyetja e përgjegjësisë.
- Çfarë është suksesi për mua?
Duke ditur që suksesi është kaq i ndryshëm për të gjithë, dhe plotësisht i varur nga pozicioni që keni në jetë, cilat janë qëllimet, në cilën fushë jeni duke u përfshirë dhe nga keni filluar, të gjitha këto për secilin prej nesh përcaktojnë suksesin tonë.
Bota është e fiksuar pas matjeve dhe krahasimeve. Në vend që të pyesim veten se “Si ta mat suksesin tim?”, pyetja më e mirë do të ishtë se “Si do të ndihem mirë me suksesin tim?” Ose, thënë ndryshe, cili do të ishte një sukses për të cilin mund të ndihem mirë?
Ne duhet të ndalojmë së menduari për suksesin në terma relativë, domethënë “Kam fituar më shumë para se ai tjetri”, ose “Unë kam më shumë klientë se ai tjetri”, ose “Unë kam një shtëpi më të mirë se ai tjetri”. Në vend të kësaj, ne duhet të mendojmë për suksesin në kuptimin se sa të lumtur jemi dhe çfarë kontribuon në atë lumturi që përftojmë. Deklaratat si, “Unë kam qenë në gjendje të lë mënjanë më shumë kursime për arsimin e fëmijëve të mi këtë vit”, ose “Unë kam qenë në gjendje të blej një shtëpi në një lagje që e dua” janë matje shumë më të dobishme të suksesit. Ato ju kujtojnë suksesin tuajin në raport me vlerat, më mirë sesa të bëni një krahasim me një person tjetër i cili mund të ketë filluar nga një vend krejt tjetër, ka marrë ndihmë nga burime të ndryshme gjatë rrugës, ose thjesht kishte qëllime të ndryshme nga ju.
- Si do ta arrij atë sukses?
Pasi të kemi një ide të qartë se si do të duket suksesi për ne (nga pyetja e parë) – para se të fillojmë të bëjmë një plan pune për ta arritur atë – ne duhet të pyesim veten “Si mendoj se ndodh suksesi?”
Përgjigja për këtë pyetje do të nxisë mënyrën se si ne krijojmë një plan për ta arritur atë. Në thelb, në këtë hap, ju jeni duke u qartësuar se si e kuptoni botën, si i filtroni përvojat. Pra, vini re ndryshimin midis filtrimit të pikëpamjes suaj të udhëtimit tuaj përmes historive të krahasimit, konkurrencës dhe kritikës dhe filtrimit të tij përmes historive të kuriozitetit, bashkëpunimit dhe lidhjes, me veten, ata përreth jush dhe botën. Nëse e gjeni veten duke pyetur vazhdimisht për të tjerët me qëllim krahasimi, sesa që të kërkoni nga kurioziteti dhe dëshira për të mësuar dhe rritur, atëherë duhet të kuptoni se si ta ndryshoni mendimin tuaj. Ju nuk mund të jeni të suksesshëm nëse e matni veten vazhdimisht me të tjerët.
Të ndryshojmë jo vetëm planin tonë, por dhe besimet që krijojnë planin, është çelësi për të kuptuar se po pengohemi mbi jetën që kemi ëndërruar gjithmonë për veten tonë.
- Pse po e bëj këtë?
Njerëzit që janë më të suksesshëm janë ata që me të vërtetë kujdesen për atë që po bëjnë. Ata kanë një mision që i flet zemrës së tyre, dhe ata janë të apasionuar pas arritjes së qëllimeve të tyre jo vetëm për suksesin e tyre, por për suksesin e atyre që i ndihmojnë gjatë rrugës. Nëse nuk jeni të sigurt pse bëni atë që bëni, pyesni veten, çfarë është e dashur për mua? Dhe çfarë jam i gatshëm të rrezikoj për ta marrë atë?
Ne duhet të jemi të pamëshirshëm tek sinqeriteti me veten, dhe të mos kemi frikë të ndërmarrim rreziqe në fusha të caktuara, në mënyrë që të jemi vërtet të lumtur me jetën tonë. Nëse nuk mund ta shihni veten duke rrezikuar ndonjë gjë për të arritur qëllimet tuaja, atëherë ndoshta qëllimet tuaja nuk janë mjaft të qarta, ose mjaft të rëndësishme për ju, dhe kjo nuk do t’ju çojë kurrë në sukses – të paktën jo një sukses për të cilin mund të ndiheni mirë.
- Për kë po e bëj këtë?
Së bashku me “pse –në” tonë motivuese, ne gjithashtu duhet të marrim parasysh “kush-in” tonë motivues. Shumë njerëz mbërthehen në modelet e kënaqësisë së njerëzve të tjerë dhe nuk e kuptojnë kjo mënyrë e të parit të gjërave nuk do t’i bëjë ata të lumtur. Hidhini një sy qëllimeve dhe aspiratave tuaja më të mëdha dhe me të vërtetë pyesni veten nëse po e bëni atë për veten tuaj. Po e bëni për familjen tuaj? Miqtë, kolegët, shefin apo prindërit tuaj? A po e bëni atë për të huajt në internet që ndërveprojnë me përmbajtjen tuaj të mediave sociale?
Nëse ndonjë nga këto është e vërtetë, duhet të kuptoni se kur do të jetë radha juaj për të filluar të bëni zgjedhje që janë vetëm për ju. Fokusoheni të kuptoni nëse objektivat tuaja të suksesit po marrin përparësi në mendjen tuaj tani për tani. Por, mbajeni rezervë këtë mendim, për të arritur vërtet suksesin, ju duhet të bëni zgjedhje që, para së gjithash, janë për ju.
- Kur duhet të filloj?
Pasi të keni gjetur përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, gjithçka që duhet të bëni është të kuptoni se kur mund ta realizoni. Nuk ka problem nëse përgjigja nuk është për momentin, por ju duhet të siguroni një kornizë kohore konkrete.
Buda thotë, ka 2 mëkate për jetën: E para është të mos përfundosh udhëtimin tënd. E dyta është të mos e fillosh fare.