A do të provokojë “Pandora Papers” ndryshime në sistemet fiskale?

Pas zbulimit të Dokumenteve të Panamasë (Panama Papers) pesë vjet më parë, i cili nxiti një ndjenjë shqetësimi në pjesën më të madhe të botës, shumë prej subjekteve që trajtojnë fonde off-shore dhe kompani “guaskë” (kompani fiktive që ekzistojnë për të kryer transaksione të klientëve të tyre) u vunë nën presion nga klientët e tyre për të dyfishuar fshehtësinë. Strategjia mund të ketë rezultuar e suksesshme në disa juridiksione, por të tjerat – nga Zvicra, Panamaja, Dubai dhe Monako në Ishujt Kajman dhe Singapor – janë zbuluar të paktën pjesërisht nga Pandora Papers në zbulimin më të madhe që ka ndodhur.

Dosjet iu dhanë Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) dhe qindra gazetarë kanë kaluar 18 muaj duke studiuar 12 milionë dosje.

Sidoqoftë, ideja e menaxhimit dhe depozitimit të fondeve off-shore nuk është veçanërisht befasuese. Evazioni fiskal ose shmangia përmes ‘parajsave fiskale’ nuk është një risi, dhe sigurimi i pronave jashtë shtetit është rutinë për ata që kanë burime për t’i kryer ato. Por si i kanë arritur, shumica e tyre, milionat, ose miliardat që kërkohen për “investime” të tilla është një histori tjetër. Këtu hyjnë në diskutime të thella ryshfetet dhe ‘pastrimi i parave’, abuzimet me postet drejtuese, etj.

Ne jetojmë në një botë ku pabarazitë e mëdha të pasurisë vazhdojnë të intensifikohen. Miliarderët më të pasur në botë nuk përmenden në zbulimet e Pandorës, kjo sepse ata nuk janë nën asnjë detyrim për të maskuar pasurinë e tyre monumentale, kryesisht nga vendet perëndimore.

Ata përmenden në publik herë pas here për mos pagimin e një pjese të taksave, por zor se detyrohen të paguajnë. Shumë prej tyre tentojnë të luftojnë duke argumentuar se nuk kanë bërë asgjë të paligjshme.

Problemi me lëvizje të tilla, ku mijëra biznesmenë apo njerëz më një lloj kapitali të caktuar tentojnë të shfrytëzojnë sisteme financiare të ngritura për veprime të tilla qëndron në faktin cfarë është e moralshme apo jo. Morali dhe një treg i parregulluar jetojnë në dy botë të ndara. Në vendet kapitaliste kjo ndarje botësh nuk mund të tejkalohet. Ndaj, udhëheqësit e shumë kombeve të sfiduar nga zbulimet e Pandorës janë zotuar të hetojnë akuzat.

Ajo që kemi parë deri tani është që rrallë rrjedhin pasoja domethënëse nga hetime të tilla, të cilat janë premtuar edhe nga krerë të ndryshëm të shteteve ose qeverive. Ja një grafik i nxjerrë nga ICIJ për shtetet me numrin më të lartë te politikanëve të përfshirë në dosjet e Pandorës.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here