Aplikacioni “Agrotime”, një risi për agroturizmin shqiptar

Intervistë me koordinatoren e GIZ (Albania), Sofjola Kotelli.

AgrotimeAL është aplikacioni që bashkon bujqësinë me turizmin. Është një databazë e gjerë të dhënash mbi fermat agroturistike dhe prezanton një larmi opsionesh për to: si vendodhja, produktet e ofruara, dhe logjistika e tyre me harta e udhëzues praktik për përdoruesin. 

Aplikacioni është lehtësisht i përdorshëm dhe përmban informacion të mirëfilltë dhe të besueshëm. Ai është lançuar që në dhjetor të 2020 dhe është duke marrë vëmendjen e duhur si brenda vendit dhe jashtë saj. 

Meqënëse jemi fillim të sezonit turistik, dhe vendasit luajnë një rol të veçantë në mbështetjen e drejtpërdrejtë të agroturizmit shqiptar ky aplikacion do të jetë mjeti udhërrëfyes për mjaft shqiptarë dhe të huaj që duan të bëjnë turizëm natyror në vendet më tërheqëse të Shqipërisë. Promovimi, lançimi, dhe model design është mundësuar nga ekipi i McCann në Shqipëri. 

Qëllimi ynë është të informojmë dhe të freskojmë kujtesën e publikut duke përmendur risitë e fundit në teknologji, turizëm dhe ekonomi vendase.  Por cila do të jetë ecuria e projektit dhe ndërthurja me projekte të tjera zinxhir? Këtë na e tregon më mirë koordinatorja e projektit që solli nërtimin e këtij produkti. 

  • Na flisni mbi projektin shkurtimisht dhe qëllimin ndërinstitucional për të promovuar fermat shqiptare. 

Aplikacioni Agrotime.al, është një risi në promovimin e ofertës turistike rurale në Shqipëri. Është financuar nga qeveria gjermane. Sot e dimë që marketingu online, aplikacionet, informacioni dixhital është ai që tërheq më tepër dhe targeton audiencë më të gjerë. 

Ka qënë një iniciativë e përbashkët e projektit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural (SRD)/GIZ, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Turizmit.  Në aplikacion do të gjeni më shumë se 200 agroturizme, ferma turistike, kantina vere apo ture kulinarie anembanë Shqipërisë. Shumë shpejt do të jenë pjesë e aplikacionit edhe kampingjet në zonat rurale duke e plotësuar edhe më tëpër ofertën e turizmit rural. Aplikacioni ofron informacion në anglisht dhe shqip, paraqet me foto dhe përshkrim gjithë ofertën turistike, paraqet me hartë vendodhjen, opsionin e fermave afër teje dhe shumë elementë të tjerë që e bëjnë jo vetëm interesant, por edhe lehtësisht të përdorshëm. Ne kemi vetëm 6 muaj që kemi lançuar aplikacionin dhe kemi më tepër se 8000 shkarkime të tij. Padyshim ky aplikacion është kthyer në një guidë të fundjavës dhe ka rritur interesin për fermat dhe fshatin në tërësi. 

  • Si është financuar projekti dhe a lidhet me një strategji kombëtare? 

Projekti i zhvillimit të qëndrueshëm rural, i GIZ, është një projekt që financohet nga qeveria gjermane dhe fokusohet ndër të tjera në lidhjen mes bujqësisë dhe turizmit. Agroturizmi është një nga sektorët që mbështetet dhe padyshim promovimi i tij një ndër elementët me të cilët projekti punon. Pikërisht AgrotimeAl është një ndër produktet e zbatuara nga ky projekt. Patjetër që është në linjë edhe me strategjinë e zhvillimit të turizmit, ku zhvillimi i turizmit rural ka një fokus gjithashtu. 

  • Si u bë kontaktimi me fermat?

Në qershor të 2020 ne kemi hapur një thirrje për të gjitha fermat të cilat plotësonin disa kritere të caktuara dhe dëshironin të bëheshin pjesë e këtij aplikacioni. Pra, ne kemi ftuar fermat turistike të “vetëidentifikohen”. Më pas patjetër që ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me to. Është një punë e gjatë prapa apliacionit, ekspertë të angazhuar dhe me shumë pasion që kanë mbedhur dhe përpunuar të dhënat duke vizituar çdo fermë. Janë bërë fotografitë gjithashtu në të gjitha fermat, pasi synimi jonë ishtë jo vetëm të promovonim, por edhe të ofronim informacion të saktë për çdo fermë turistike që është pjesë e tij. 

  • Cfarë kriteresh duhet të kenë subjektet e fermave për të qënë pjesë e kësaj platforme?

Kushti kryesor është vendodhja në zonë rurale dhe ofrimi i aktivitetit në fermë. 

  • Agrotime është start-up/subjekt privat, shtetëror apo ndërthurje e të dyjave dhe si do të kryhet menaxhimi mbi përditësimin dhe mbarëvatjen e platformës. 

Momentalisht SRD menaxhon sot aplikacionin dhe përgatit të gjitha update të nevojshme përmes ekspertëve të specializuar në këtë drejtim. Por për në është shumë e rëndësishme qëndrueshmëria. Ndaj me iniciativën e 14 subjekteve agroturistike jemi duke punuar për ngritjen e shoqatës së agroturizmit, të cilës do të donim ti jepnim dhe menaxhimin, apo pasurimin me tej të aplikacionit të agroturizmit, kur projekti jonë të përfundojë. 

  1. Incentivat për lehtësimet fiskale për subjektet e çertifikuara si Agroturizëm, janë si rrjedhojë e këtij projekti (pra të stimuluara nga GIZ për antarësimin në platformë të subjekteve). Pra, a ka ndikuar GIZ nëpërmjet këtyre programeve të tij për të krijuar reforma në legjislacion, më tej lehtësi fiskale për këto subjekte e të tjera?

GIZ siç e theksova edhe më lart mbështet sektorin e agroturizmit. Incentivat fiskale për sektorin janë iniciativë e qeverisë shqiptare, të cilën ne e mbështesim në drejtim të politikave për agroturizmin. 

Më konkretisht ne punojmë me dy ministritë përgjegjëse për agroturizmin, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Turizmit duke ofruar asistencë lidhur me politikbërjen në këtë sektor. 

7) Çfarë të reja të tjera keni në planin e vazhdimësisë së politikave mbështëtese?

Promovimi është një shtyllë tjetër e mbështetjes së sektorit. Dhe e fundit por jo më e parëndësishmja është puna që ne bëjmë direkt me subjektet agoturistike dhe fermat e ndryshme. Më konkretisht jemi duke zbatuar tre paketa:

  • Paketa e krijimit të kushteve dhe standarteve anti-COVID që po zbatohet në 228 biznese (agroturizme; ferma turistike, bujtina në zonat rurale) 
  • Paketa e marketingut online dhe lidhjes së fermave me platforma të njohura turistike që po zbatohet në 148 biznese 
  • Paketa e kurseve anglisht për stafet e subjekteve të agroturizmit, apo fermave që po zbatohet në 60 biznese 

Shumë shpejt fillojmë me prezantimin e një koncepti të ri, atë të fermave edukative që do të pilotohet në 20 agroturizme dhe synon të krijojë shtimin e ofertës turistike të tyre. /mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here