BIRN/ 235 mijë persona të mashtruar nga kompanitë call centre

Call centers të cilat kishin pas një ish-zyrtar të lartë politik u bënë shtylla operative e një rrjeti kriminal ndërkombëtar, të cilat gjatë 5 viteve mashtruan 235 mijë viktima dhe duke zhvatur miliarda euro.

E gjitha nisi në 2018 kur një grua bëri një denoncim në rajonin e Katalunjës në veri të Spanjës, pasi kishte rënë pre e një mashtrimi nga një kompani investimesh në bursë. Humbja i kishte kushtuar rreth 560 mijë euro.

Katër vite më vonë, e njëjta zonjë shkoi për të bërë një denoncim ndaj një studio të pretenduar ligjore, pasi kishte humbur edhe 291 mijë euro të tjera. Studio kishte qenë në dijeni të mashtrimit të parë dhe i kishin premtuar rikuperimin e parave.

Hetuesit në dosjen hetimore të siguruar nga BIRN shprehen se kjo ishte pjesë e të njëjtit mashtrim të kryer nga e njëjta organizatë.

Nëpërmjet gjurmimit të IP-së (adresa e protokollit të internetit), u zbulua se platforma e mashtrimit operonte në Shqipëri, Ukrainë dhe Serbi. 

Në këtë mënyrë u zbulua organizata kriminale ndërkombëtare, “Milton Group”, e cila përdorte call centers me operatorë në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoni e Veriut dhe Ukrainë.

Kjo organizatë ka siguruar të ardhura me vlerë 50 milionë euro çdo tremujor, sipas Eurojust.

Gjatë nëntorit 2022, SPAK në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike të lidhura me “Milton Group”, nga ku u arrestuar 4 persona të dyshuar.

Këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin dhe ish-këshilltarin politik të Olta Xhaçkës, Amant Josifi dhe ish-partner biznesi Olsi Rama, vëllai i kryeministrit të Shqipërisë. Aman Josifi ka shërbyer si këshilltar nga dhjetor 2018 deri në maj 2020 dhe Xhaçka gjatë asaj kohe drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Josifi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.

Mashtrimet financiare nëpërmjet call centers u shpërngulën nga Tel Avivi në vitin 2017, drejt Evropës. “Milton Group” është e përfshirë në krim kibernetik, mashtrime dhe pastrim parash në Evropë që nga vitit 2016.

Një ish-operator shprehet se fillimisht prezantoheshin me viktimën dhe në momentin që i fitonin besimin e bindnin të investonte në skemën mashtruese, duke theksuar se fitimet mund të tërhiqeshin në çdo kohë. Sipas ish-punonjësit ka qindar call center të tillë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër.

Sipas analizës të rreth 3 milionë emaileve është evidentuar ndërlidhja e call centers me organizatën kriminale me shtrirje ndërkombëtare, thuhet në dokumentet e para nga BIRN. Janë identifikuar 235,942 viktima potencialë në të gjithë Evropë, ku më shumë se një e treta e tyre jeton në Gjermani. Ish-operatori është shprehur për BIRN se punonjësit shqiptarë të call centers ishin në dijeni të mashtrimeve që i prisnin klientët e tyre.

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here