Deloitte & PwC: Të diplomuarit e epokës pandemike kanë probleme me punën në grup

Deloitte dhe PwC po i bëjnë trajnime shtesë stafit të tyre më të ri në Mbretërinë e Bashkuar, pasi vunë re se të rekrutuarit, edukimi i të cilëve u ndërpre nga karantina, kanë aftësi më të dobëta të punës në grup dhe komunikimit sesa brezat e mëparshëm.

Punonjësit e rinj që kaluan një pjesë të viteve të shkollës ose universitetit të izoluar nga bashkëmoshatarët e tyre e kanë pasur më të vështirë të përshtaten me mjedisin e punës, thanë për Financial Times partnerët në firmat konsulente.

Ata thanë se të rekrutuarit kanë më pak besim në kryerjen e detyrave bazë, siç janë prezantimet dhe të folurit në takime.

Futja e trajnimit shtesë nga dy nga rekrutuesit më të mëdhenj të diplomuarve dhe praktikantëve në Mbretërinë e Bashkuar tregon sfidat me të cilat përballen punëdhënësit në trajtimin e ndikimit afatgjatë që kufizimet pandemike kanë pasur te disa njerëz.

Ian Elliott, shefi i burimeve njerëzore në PwC në Mbretërinë e Bashkuar, tha se ishte “e kuptueshme që studentët që humbën aktivitetet ballë për ballë gjatë Covid mund të jenë tani më të fortë në fusha të caktuara, si puna e pavarur, dhe më pak të sigurt në të tjera“. Disa ishin “më pak të sigurt” duke përfshirë paraqitjen dhe të folurin në takime, bashkëpunimin me kolegët dhe krijimin e kontakteve të reja, tha ai.

Shumë nga grupi më i ri “kanë pasur vetëm përvojë pune minimale ose virtuale, me më pak ekspozim ndaj një mjedisi korporativ“, tha Henry.

Vështirësia e trajnimit të të punësuarve të rinj ishte shtuar nga puna hibride, tha një partner i lartë në një firmë konsulence, sepse kufizonte mundësitë për të mësuar duke vëzhguar kolegë më me përvojë. Ashtu si shumica e firmave të shërbimeve profesionale, Deloitte dhe PwC lejojnë punonjësit e tyre të ndajnë javën e punës midis shtëpive dhe zyrës së tyre.

Për të trajtuar problemin, PwC po përforcon trajnimet që ofrohen për stafin e ri. Plani përfshin lejimin e disa punonjësve që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me klientin të kalojnë dy vjet në detyrë si trajnerë me kohë të plotë, duke udhëhequr kolegët e rinj për zhvillimin e karrierës, performancën dhe mirëqenien e tyre.

PwC do të nisë gjithashtu një iniciativë trajnimi që do të theksojë rëndësinë e takimeve ballë për ballë dhe do të sigurojë që stafi i ri të ketë më shumë ekspozim ndaj aktiviteteve personale me partnerët dhe drejtorët.

Deloitte ka ndërmarrë gjithashtu veprime për të ndihmuar në plotësimin e “boshllëqeve të aftësive” midis të diplomuarve dhe praktikantëve. Kjo përfshin një program të ri induksioni, plus trajnime për prezantimin online dhe personalisht, dhe ndërtimin e rrjeteve profesionale.

Nga korriku, anëtarët e rinj do të ndjekin gjithashtu një program trajnimi njëjavor me sesione mbi “rezistencën mendore, tejkalimin e vështirësive dhe rëndësinë e mentalitetit“.

Burimi: ft.com
Përktheu dhe përshtati: mendimi.al
Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here