Ditari i turistit: Fundjavë në Malësinë e Madhe

Ndërsa shumë pushues u drejtohen plazheve këto ditë të nxehta gushti, disa të tjerë mund të preferojnë vendet malore. Shqipëria është e bekuar me relievin e saj dinamik. Në një afërsi prej brenda 100 km, mund të jesh në mal dhe në det. Këtu nuk është e pamundur t’i bësh të dyja. Ja cfarë shkruhet në ditarin e një turisti për fundjavën në Malësinë e Madhe.

Veriu i Shqipërisë ofron atë çka ne quajmë turizëm malor. Fshatrat malore janë sensibilizuar të krijojnë kushte me hoteleri dhe kulinari vendase për këdo që preferon t’i vizitojë si për disa ditë ashtu edhe për vetëm fundjavë. Thethi dhe Valbona janë përshtatur shumë shpejt për turistët vendas dhe të huaj, por dhe pjesa më veriore e Shqipërise si Vermoshi dhe Lëpusha, po mobilizohen më së miri për turizëm.

Rruga është shumë e mire, e asfaltuar nga Shkodra deri në mes të fshatit Vermosh.  Përpara Vermoshit ndodhet Tamara. Veç bujtinave dhe restoranteve ku mund të shijohet trofta e freskët, Tamara ka histori interesante. Një prift franceskan (italian), dikur i pozicionuar në manastirin e zonës, prodhonte raki të mrekullueshme. Vetë banorët tregojnë se si ai u mësonte fshatarëve për llojet e ndryshme të rakisë. Rakitë e zakonshme në këto zona janë prej rrushi, kumbulle ose thane. Por ky prift eksperimentonte me frutat e tjera të zonës. Ai përdorte dhe frutat e tjera si boronica, trëndafili i egër, ose rrënjën sanza (ndryshe Gentiana – bima që përdorte mbreti Gent për të kuruar ushtrinë e tij). Normalisht një raki e tillë është zakonisht raki rrushi ose kumbulle dhe bëhet me infuzion (e fut frutin në raki dhe ai lëshon aromën), sepse është shumë e vështirë. Në këtë mënyrë, rakia merr ngjyrë dhe aromë të frutit që është futur brenda si shtesë. Pra, prifti i nderuar ka sjellë një risi për banorët e zonës dhe kjo tashmë është kthyer në traditë. Tamara është një pikë ndalese për turistët që dëshirojnë të blejnë produkte vendase, si pijet alkolike, reçelra, dhe çajra të ndryshëm.

Një ndalesë tjetër është Selca. Aty pranë ndodhet dhe lumi Selca, nga fshati merr dhe emrin. Gjithashtu ndodhet dhe ujvara e Selcës- një mrekulli për t’u vizituar. Pyesni banorët e zonës se ku ndodhet pasi nuk është e vështirë për ta gjetur, nëse preferoni aventura të tilla.

Më sipër nja 45 minuta me makinë, ndodhet Lëpusha. Një vend malor përrallor. E rrethuar nga Bjeshkët e Namuna (ose të bekuara), ofron bujtina dhe kulinari të bollshme. Rreth Lëpushës ka shtigje për per ecje në mal, dhe ujvara me ujë të bollshëm.  Të gjitha shtigjet janë të shënuara nga guidat turistike. Në pyjet dhe lëndinat përreth mund të mbledhësh luleshtrydhe mali, nga ato të voglat plot arome e shije, mjedra shija e të cilave nuk hiqet nga kujtesa, dhe boronica nëse arrin deri në 2000 metra lartësi ngjitje. Çaji i malit dhe sherebela janë nga bimët më kurative të cilat i gjen me shumicë në këto zona.  Një tjetër bimë kurative e cila rritet vetëm në këto zona, është sanza (ndryshe  Gentiana), e cila në fakt është një rrënjë e zhytur thellë në tokë. Kjo bimë gjendet mbi 2.500 m lartësi, dhe shumë e vështirë për ta nxjerrë. Rrënja përdoret për çaj për problemet me stomakun, ose tretjen. Është shumë e kërkuar dhe eksportohet kryesisht në Itali e Gjermani.

Vermoshi është një dashuri më vete. Fshati vetë shtrihet përgjatë lumit Vermosh, i cili është një nga pak lumenjtë e vetëm në Ballkan të cilët rrjedhin në drejtim të kundërt. Zakonisht lumenjtë e Ballkanit burojnë në lindje dhe rrjedhin në perëndim. Lumi Vermosh përkon rrugën perëndim – lindje. Në majat e bjeshkëve ka plot livadhe për kullotat dhe stane (ndryshe vendasit i quajnë t’bane). Në fakt fjala “stan” vjen nga serbishtja që do të thotë apartament. Vermoshi është pika e fundit kufitare me Malin e Zi. Vijën kufitare e ndan një kanion i vogël, shumë i bukur, ku kalon lumi Vermosh, i cili më pas bashkohet me lumin Cem. Uji është i kristaltë, mjaft i ftohtë dhe mund të pihet. Sfida e turistëve është nëse arrijnë të notojnë dot në pellgun që formohet përpara kanionit piktoresk. Uji në gusht aty mund të ketë temperaturën rreth 10 gradë celcius. Për ata që duan të ndjehen trima dhe të tonifikojnë lëkurën, notimi në këto pellgje është i duhuri.

Këto vende kanë shumë për të ofruar, që nga mikëpritja, natyra dhe dashuria për malet. /mendimi.al

Shpërndaje

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here